“Bully pulpit” i ambasadorit Lu

Postuar në 08 Qershor, 2016 23:16
Eduard Zaloshnja

Shprehjen “bully pulpit” e ka përdorur për herë të parë Presidenti Teodor Rusvelt, dhe në një përkthim të drejtpërdrejtë, do të thotë “podiumi i demit”. Por Rusvelti e përdorte në mënyrë figurative për Shtëpinë e Bardhë, si një podium nga i cili Presidenti mund të të ndikonte më shumë se kushdo tjetër me fjalët e tij. Ka një shekull që kjo shprehje përdoret në SHBA, sa herë që Presidenti mban një fjalim apo shpërndan një deklaratë për shtyp.

Në çerek shekullin e fundit, rolin e “bully pulpit”-it në Shqipëri, e ka luajtur vila në Rrugën e Elbasanit, ku punon njeriu që përfaqëson drejtpërdrejt Presidentin Amerikan – amasadorin e SHBA-së, i cili emërohet personalisht nga Presidenti. Dhe është e thjeshtë arsyeja përse fjalët që dalin nga Rruga e Elbasanit kanë në Shqipëri po atë peshë që kanë në SHBA fjalët që dalin nga Shtëpia e Bardhë – bazuar në sondazhin më të fundit të Pew Research Center, Shqipëria është vendi më proamerikan në botë pas Izraelit (vetëm 10% e shqiptarëve janë antiamerikanë ose kanë dhënë përgjigje të tipit “ku di gjo un lale”).

Pardje dolën në media fjalët e mëposhtme të Bashës (thënë në grupin parlamentar të PD-së): “Të gjitha janë në e-mailet me ambasadorin Lu dhe, nëse është e nevojshme, do të publikohen. Si Nulandi dhe këshilltari i Merkelit, me të cilin fola dje në telefon, janë të qartë se këtë formulë [të vendeve të rezervuara] e ka propozuar vetë Rama, e ka konfirmuar Venecia, dhe se ne thjesht po kërkojmë atë për të cilën është rënë dakord”.

Dhe amabsadori Lu e përdori “podiumin  e demit”, duke u kundërpërgjigjur me një deklaratë zyrtare ku thuhej: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë.”

Këtë deklaratë e publikuan të gjithë mediat televizive dhe elektornike shqiptare – ajo ishte një kundërgoditje “demi”, në një audiencë që është 90% proamerikane.

PD-ja u mundua të ngrihej nga ky nokdaun, duke publikuar e-mailet që kishte shkëmbyer me OBDAT-in dhe Euralius-in (jo me amabasadorin Lu), si dhe duke cituar paragafin aq e kaq të opinionit të Venecias, si dhe formulën kështu e ashtu për votimin me 3/5, pas përzgjedhjes 2 me 2, etj, etj. Këto argumente të PD-së ndoshta mund të përdoreshin me sukses në një gjyq në Strasburg, por jo në gjyqin e publikut të thjeshtë shqiptar.

Në fakt, disa shqiptarë “indipendentistë” ose berishistë mund të jenë pro PD-së në këtë debat. Sidoqoftë, për shumicën dërrmuese të shqiptarëve të thjeshtë, fjalët “qeveria shfaqi fleksibilitet, por në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë”, të thëna nga “podiumi i demit”, duket se i vënë vulën debatit mes PD-së dhe ambasadorit Lu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.