Komisari i Dritës*

Postuar në 08 Qershor, 2016 13:02

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili është nën hetim nga Prokuroria për pengimin e veprimeve që çojnë në zbardhjen e së vërtetës për çështjen e pajisjes së Interforcës italiane i qëndroi sot retorikës se kjo nuk është një çështje ligjore, por një betejë parimore mes të mirës dhe së keqes.

Ministri tha se vendimi i Gjykatës për të pezulluar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është politik dhe i ndërmarrë nga një prej anëtarëve të Frontit të së Keqes, duke përdorur termin e shpikur një ditë më parë nga kryeministri.

Praktikisht ministri pranoi se nuk e njeh shtetin, të cilit i shërben dhe as vendimet e Gjykatave, duke folur për “kulakë” të sistemit të drejtësisë. Akuzoi nominalisht gjyqtarin që dha vendimin për Haki Çakon, si të inkriminuar të korruptuar etj etj.

Kjo që thotë ministri mund të jetë e vërtetë dhe ai duhet të provojë në të tashmen apo në të ardhmen, por medalja ka dy anë. Kjo nuk përjashton që vendimi i Gjykatës për pezullimin e  Haki Çakos të jetë i drejtë dhe i bazuar në prova, aq më tepër që vjen pas një kërkese të Prokurorisë, e cila ka nën hetim edhe vetë ministrin.

Çako e ka apeluar vendimin dhe do të jetë po drejtësia që do të korrigjojë vetveten nëse ndaj drejtuesve të lartë të policisë ka veprime me prapavijë politike, por retorika e përdorur nga ministri i Brendshëm i ngjan komisarëve politikë të Partisë së Punës.

Ministri foli për një gjykatës që ka liruar përdhunues nga burgu, por Partia që ai përfaqëson ka kryetarë bashkish që janë dënuar nga Gjykatat për përdhunime në grup si rasti i Elvis Roshit dhe ministri nuk i ka kërkuar partisë ta shpëtojë nga ky front i së keqes. Ndaj dhe ministri duhet të bëjë punën e ministrit dhe jo të Komisarit të Dritës*

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.