Pajisja e Përgjimit, pezullohet Haki Çako, arrest shtëpie për dy zyrtarë të policisë, nën hetim edhe ministri

Postuar në 07 Qershor, 2016 12:01

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka pezulluar nga detyra  Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe ka vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie për Drejtorin e Forcave Operacionale të Policisë, Artion Duka dhe specialistin  Entiol Xhelilaj pas dyshimeve se kanë administruar në kundërshtim me ligjin pajisjen specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi. Prokuroria thotë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje të tillë specifike.

Ndërsa për dy zyrtarët e tjerë dyshohet se me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi.  Sipas Prokurorisë  pajisa “IMSI Catcher” ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin.

Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”.

I dyshuari Çako, ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Po ashtu, shtetasi Çako ka deklaruar se pajisja “IMSI Catcher” është administruar gjatë të gjithë kohës nga ekspertët italianë. Ndërkohë, rezulton që në të paktën dy raste, mjeti ku gjendej pajisja, ka lëvizuar nga specialisti i F.O, Ention Xhelilaj.

Gjithashtu, në dt. 13.05.2016, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër për sekuestrimin e pajisjes, e cila dyshohej se ishte në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës kanë hyrë në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në datën 13.05.2016, midis orës 11.45 dhe 12.00. Në këto ambjente nuk gjendej shtetasi Haki Çako dhe oficerët kanë vijuar të prisnin ardhjen e tij. Në orën 12.10 nga kqyrja e librit të hyrje-daljeve në ambjentet e F.P.O. automjeti që mbarte paisjen ka dalë nga këto ambjente në drejtimin e shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj, pra rreth 10 minuta pasi O.P.Gj-të ishin paraqitur në D.P.Policisë me vendimin për sekuestrimin e  kësaj paisje. Nga krahasimi i periudhës para datës 12.05.2016 dhe pas kësaj date, Prokuroria dyshon se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjestarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore, pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambjenteve të F.P.O. dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapsira kohore prej gjysëm ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit.

Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të provuar, ndër të tjera, edhe zyrtarë të tjerë të lartë që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.