Sinjale të qarta për qeverinë, 89% e shqiptarëve shohin korrupsion alarmant, 59% përkeqësim të ekonomisë

Postuar në 02 Qershor, 2016 11:34

Perceptimi i qytetarëve shqiptarë për korrupsionin në vend mbetet i lartë. Pothuajse 89% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është ose “i përhapur” ose “shumë i përhapur” mes zyrtarëve publik. Pothuasje 1 në 3 qytetarë mendojnë se korrupsioni është rritur krahasuar me 3 vjet më parë, ndërsa 37% mendojnë që korrupsioni ka mbetur i njëjti krahasuar me tre vjet më parë. Ashtu si gjetjet e sondazhit te 2010, qytetarët e shohin shumicën e institucioneve në vend si të korruptuar, duke shënuar një mesatare prej 61 pikësh në një shkallë korrupsioni nga 0 deri në 100 ku 0= “shumë i ndershëm”, dhe 100= “shumë i korruptuar”. Mësuesit e Shkollave Publike, Drejtuesit Fetarë, Presidenti i Republikës dhe Mediat renditen mes institucioneve të cilat konsiderohen si më të ndershmet nga qytetarët shqiptarë.

Ndërkohë, Punonjësit e Doganave, Gjykatësit dhe Prokurorët, shihen si më të korruptuarit. Për më tepër, rezultati i sondazhit në 2015 tregon se ndërsa shëndetësia vazhdon të konsiderohet ndërmjet sektorëve më të prekur nga korrupsioni bazuar në vlerësimet e qytetarëve, vihet re gjithsesi, një përmirësim krahasuar me sondazhin e 2010 përsa i përket përvojave personale. Kështu, ndërsa rreth 1 në 3 (33.5%) të intervistuar të cilët kishin marrë shërbime në spitale në 2010 deklaronin se ju ishte dashur të “pagonin një rryshfet tek doktori apo infermierja”, vetëm 1 në 5 (21%) deklarojnë të njëjtën gjë në 2015. Një përmirësim i konsiderueshëm vihet re gjithashtu në numrin e të intervistuarve të cilët deklarojnë se “u është kërkuar rryshfet nga një oficer policie” në 2015 (4%) krahasuar me 2010 (8.2%) si edhe në numrin e të intervistuarve të cilët deklarojnë se “kanë parë dikë ti jap rryshfet policit” (12% në 2015 krahasuar me 28.4% në 2010).

Situata e përgjithshme ekonomike në Shqipëri shihet si e zymtë nga shumica e qytetarëve në vend. Gjetjet tregojnë se pothuajse 3 nga 5 (59%) e pjesëmarrësve e shohin situatën në këtë aspekt si të “keqe” ose “shumë të keqe”. Krahasuar me 1 vit më parë, shumica e qytetarëve (53%) mendon se situata ekonomike në vend është përkeqësuar. Studimi është zhvilluar nga IDRA me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.