Fundi i progresit

Postuar në 01 Qershor, 2016 12:52
Intervistoi: Zan Boag

Zan Boag: Shoqëria e sotme i kushton e vlerëson shumë rëndësinë e progresit dhe rritjes ekonomike. Çfarë do të thotë progres për një shoqëri?

David C. Wood: Ideja e progresit me anë të iluminimit mund të mos jetë aq e re sa mendojmë. Legjionet që çuan rrugët e drejta dhe Pax Romanan në gjysmën e botës nuk mendonin veç po zgjeronin bazën e taksës së Romës. Barbarët kishin nevojë për civilizim. Dhe kjo referencë koloniale hedh dritë mbi arsyet e skepticizmit bashkëkohor për vlerën e progresit. Progresi është përdorur shpesh si justifikim për dominim dhe pushtim perandorak. Më afër, përfytro një pensionist të cilit i thuhet, ndërsa i shembin shtëpinë: “Nuk mund t’i pengosh rrugën progresit.” Përballë kënvështrimeve pozitive për progresin tashmë qëndron një pranim në rritje për pengesat e tij: pasojat e paqëllimshme, sprapsjet, reagimi jo imun, qëndresa, zhvillimi jo i barabartë e kështu me radhë. Këto nuk pasqyrojnë vetëm frenime bashkëkohore – dy hapa para, një hap prapa – por difekte strukturore ose sistematike gjatë realizimit të qëllimeve tona. Dyshimeve për lehtësinë e progresit dhe besimit tonë në pashmangshmërinë e tij, duhet t’u shtojmë shqetësimin në rritje se cili është kuptimi i progresit? Ne mund të kemi dyshime për ekzistencën e progresit, kur kaq shumë njerëz nuk kanë ushqim bazë, kontroll shëndetësor, strehim dhe siguri. Por kur begatia materiale sjell hidhërim, depresion dhe jetë boshe, ne mund të bëjmë serish pytjen se çfarë kuptimi ka progresi. Dhe, tjetra, kush jemi ‘ne’? Një refugjat i dëshpëruar mund të ketë dyshime për drejtimin progresiv të historisë së botës, por mund të jetë shumë i qartë për pamjen që mund të kishte ‘progresi’. Ka një ndjenjë të fortë në të cilën ‘besimi në progres’ është i lidhur ngushtë me nevojën për shpresë në rrethana të vështira. Nuk kërkohet që progresi, lokal apo global, të jetë i pashmangshëm, por duhet besuar që të bëhet i mundur.

ZB: Pse ky fokusim te progresi dhe rritja ekonomike?

DCW: Supozohet që progresi është i lidhur me rritjen e begatisë ekonomike dhe është i mundshëm vetëm me rritjen ekonomike. Rritja ekonomike e përcaktuar nga GDP-i gjithnjë në rritje. Nëse lumturia/kënaqësia e jetës është njësi matëse e progresit, dhe është e lidhur me begatinë ekonomike, dhe nëse GDP-a është një tregues i begatisë ekonomike të përgjithshme, atëherë sa më e madhe rritja, aq më të lumtur të do të jemi ne. Megjithatë, një GDP në rritje jo domosdoshmërisht përkthehet në begati ekonomike, le më pastaj në lumturi. Çdo aksident trafiku ose vizitë në spital rrit GDP-në. Lëvizjet evropiane për pakësim të rritjes ekonomike, reduktim, janë rrënjosur në idenë që supozimi për rritje të vazhdueshme të krijuar në teoritë ekonomike moderne nuk llogarit pakësimin e kapitalit natyror. Këtu gjendet rëndësia e qëndrueshmërisë.

ZB: Çdo brez mendon se ka bërë progres nga një këndvështrim etik. Çfarë do të kenë brezat e ardhshëm të thonë për ne dhe për mënyrën tonë të tanishme të jetesës. Me fjalë të tjera, në cilat fusha do të bëjmë progres?

DCW: Mbetet për t’u gjykuar progresi ynë në luftën kundër racizmit, skllavërisë, dhe shumë vetë do të shtonin speciezmin [speciet njerëzore]… Trazirat në Ferguson, uraganin Katrina, vdekjet e përvitshme me mijëra në kufirin meksikan, dhe popullsia me ngjyrë në burgje, e bëjnë të qartë që Amerika është një shoqëri thellësisht raciste. Nëse perëndimi e ka ndaluar më në fund skllavërinë, ne ende importojmë mallra nga Kina, Bangladeshi dhe Afrika që prodhohen në kushte pune skllavëruese. Lufta e SHBA kundër sindikatave, për sigurinë e punëtorëve, dhe për rregullimet mjedisore dëshmojnë ndikimin që respekti për të drejtat e njeriut dhe mirëqenien mund të kenë mbi kufirin bazë. Fitimet e mposhtin vazhdimisht etikën. Por brezat e ardhshëm nuk do të ankohen për këtë. Ata do të duan të dinë sesi ne e degraduam kaq seriozisht kapacitetin e planetit për të ruajtur jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumturisë – duke qenë në dijeni për gjithçka që dimë në lidhje me shkaqet e ndryshimeve klimaterike dhe për mënyrën si mund të parandalohej.

ZB: Ju thoni që speciezmi është një fushë ku ne s’kemi bërë shumë progres. Cilat janë fushat problematike, sipas jush?

DCW: Fushat problematike? Atëherë le të fillojmë me vetë speciezmin… Një rast që dukej i pamohueshëm. Dhe 40 e ca vjet më vonë, ngrënia globale e mishit është shtuar me ritëm të begatë, zhdukja e specieve nga ndryshimet klimaterike vazhdon pa u ndalur, dhe ka pasur shumë pak lëvizje në qëndrimin ndaj gjuetisë ose eksperimentimit me kafshët. Pse kaq pak ndryshim? Mund të jetë për shkak se argumentet nuk ishin aq të forta sa ne mendonim… Ndoshta analogjia me racizmin dhe seksizmin ishte e ekzagjeruar. Por debati nuk pati qenë kurrë për faktin që ne s’mund dhe s’duhet të bëjmë dallime mes specieve të ndryshme, ose ne duhet ta injorojmë faktin që ‘ne’ jemi njerëz, por ka disa drejtime – si domethënia e dhimbjes dhe vuajtjes – në të cilat këto dallime nuk duhet të kenë rëndësi… Njeriu anti-speciesist nuk kërkon që gjirafave t’u jepet e drejta e votës, por që habitati i tyre të ruhet. Dhe që lopët të mos mbarështohen dhe të theren si ushqim për njerëzit. Dhe që pulave të mos u shkurtohet sqepi dhe të mos kenë një jetë shkurtër dhe në kafaz…

Megjithatë, kritiku i specieizmit thotë që ne nuk mund të vazhdojë të favorizojë speciet tona në mënyrën që i favorizojmë pa hipokrizi dhe paqëndrueshmëri. Dështimi është dështim i logjikës, imagjinatës ose ndjeshmërisë morale. Specieizmi është një nga fushat në të cilën progresi ka qenë zhgënjyes. Ne përmendëm ndryshimet klimaterike, dhe aftësinë tonë për të shkuar të drejt shkatërrimeve në të ardhmen. Ka dhe shumë të tjera. Lista e Derrida-s me dhjetë murtajat e Rendit të Ri Botëror në librin Spectres of Marx [Fantazmat e Marksit] ishte një fillim i mirë: papunësia, demokracia difektoze, lufta ekonomike e pamëshirshme, dështimet e tregut, borxhi i jashtëm, industria e armëve, armët bërthamore, luftërat etnike, rritja e shteteve superfuqi, ligji ndërkombëtar. Dhe kur unë i sugjerova që ngrohja globale duhej shtuar si murtaja e njëmbëdhjetë, ai e miratoi menjëherë. Sigurisht që është tunduese për të veçuar dy ose tre shkaqe të thella për këto probleme të ndryshme: kthimi i gjithçkaje në mall, mekanizimi, babëzia, testosteroni…

Nëse do të jepja kontributin tim unë do të veçoja stiumjt perversë… Kërkimi i fitimit nuk është një gjë e keqe në vetvete, por kur shfrytëzon një kompleks industrial ushtarak kjo krijon një strukturë stimujsh perverse që favorizon luftën dhe jo paqen, menaxhimi i dyshimtë i shpenzimeve – si groposja e mbetjeve toksike – një industri ushqimi që dërgon trupa me shëndet të keq te kompleksi mjekësor dhe farmaucetik, një sistem gjyqësor që ushqen industrinë e burgjeve, korrupsioni i procesit demokratik, mandatet afatshkurtra e kështu me radhë. Kur rezultati i këtyre stimujve perversë – për shembull degradimi mjedisor – është i tillë që të ofrojë mundësi të mëtejshme fitimi si rindërtimi pas një fushate bombardimi, pastrimin e derdhjeve të naftës dhe skemat e izolimit të gazit, kjo mund të duket si konfirmim i një sistemi ekonomik. Stimujt perversë krijojnë më shumë mundësi. Nëse shumësi i pasojave të stimujve ekonomike perversë është krijimi i një bote të paaftë për të ruajtur jetën si dikur, atëherë do të bëhet e qartë që pasojat e perversitetit nuk mund të kthehen sërish si ushqim në sistem, si mebetjet për derrat.

ZB: Ju përmendët që brezat e ardhshëm do të duan të dinë sesi ne e bëmë një sy qorr karshi degradimit mjedisor. Si kemi arritur në një pikë ku degradimi i planetit merret si i mirëqenë?

DCW: Keni të drejtë, vitet e fundit ka pasur një kapërcim nga përpjekja për të parandaluar ndryshimet klimaterike te gjetja e rrugëve për ta përballuar atë. Pse? Shumica e asaj që do të ndodhë tashmë është në rrugë e sipër dhe nuk mund të parandalohet. Dhe ka mbetur shumë pak besim në përpjekjet pas marrëveshjes së Kyoto-s për të kufizuar emisionet e karbonit me anë të marrëveshjeve ndërkombëtare. Si arritën në këtë pikë? Ka shumë faktorë në lojë. Interesat kombëtare mbizotërojnë vazhdimisht ndaj përpjekjeve globale të organizuara… Liderët miopë pjesërisht reflektonin shqetësimet e publikut për vendet e punës dhe pakësimin e begatisë, dhe një besnikëri ndaj interesave kombëtare. Iu dha përparësi gjërave afatshkurtra ndaj atyre afatgjata, sërish me një farë justifikimi… Dhe pastaj vjen diskreditimi i shkencës, krijimi i debateve fals për ndryshimet klimaterike. Nëse ka dështim të imagjinatës, ka dhe dështim të vullnetit, njësoj të kuptueshëm. Shumë njerëz, duke pasur parasysh informacionin, pyesin: çfarë mund të bëjmë? Të ndjekur nga dëshpërimi dhe pastaj dorëzimi. Sepse mund të duket se pavarësisht se ç’bëj unë, ose miqtë dhe familja, ose dhe komuniteti im, planeti nuk mund të shpëtohet. Unë mund të bëj veprime simbolike domethënëse (të shkoj me biçikletë në punë, të ricikloj mbetjet), por nëse këtë nuk e bëjnë të gjithë, kjo nuk do të sillte ndonjë ndryshim të prekshëm. Dhe në këtë pikë, kufizimet e një organizate të përbashkët kanë peshë të rëndë. Ne thjesht nuk jemi në gjendje të organizojmë një Ne globale që mund t’i rregullojë gjërat…

Nëse veprimet simbolike individuale funksionojnë më mirë për ushqimin e shpirtit në vend që të shërojnë planetin, atëherë ka shumë punë për të bërë në projektimin e një ekonomie suplementare, strukturave politike, alternativave të fitimit të pastër, ngaqë kjo mund të sjellë një ndryshim real. Çmimet Emmy dhe Oscar nderojnë veprimtarinë e medieve. Ecos duhet të nderojë heronjtë e mjedisit; portret e tyre mund të gdhenden në një mal virtual [analogji me malin ku janë gdhendur presidentët amerikanë]. Në të njëjtën kohë, gjykatësit duhet të shkojnë në punë të padisin CEO-të e korporatave toksike mjedisore për krime kundër njerëzimit, neglizhencë kriminale, etj.

ZB: Çfarë do duhet që ta përmbysim këtë gjendje?

DCW: Çfarë duhet të bëjmë që ndalim degradimin mjedisor? Fillimisht duhet të kuptojmë thellësinë e problemit, duke filluar me fjalët ‘ne’ dhe ‘vepro’. Siç e shikoj unë, prova e diçkaje që ia vlen ta bësh është që ajo mund të kontribuojë për një ngjarje jo lineare, një pikë kthese që do të sjellë ndryshim dramatik. Gjithçka tjetër do të jetë e pamjaftueshme, dhe e vonuar. Sistemi i ri nderimesh (çmimet) dhe kreativiteti legjislativ do të ishin shembull për këtë. Përdorimi i internetit për të prodhuar forma të reja rrjetesh politike do të ishte një tjetër. Dhe pas teorisë së kaosit, kushedi se çfarë ndikimi mund të ketë një shofer i kthyer në çiklist?

ZB: Përkrahësit e progresit kanë pohuar përgjatë 300 viteve që gjendja njerëzore është përmirësuar gjatë rrjedhës së historisë dhe do të vazhdojë të përmirësohet. Megjithatë, kur shikojmë dhjetë murtajat e Derrida-s – njëmbëdhjetë duke përfshirë sugjerimin tuaj për të përfshirë ngrohjen globale – mund të duket sikur mirëqenia njerëzore mund të mos vazhdojë të përmirësohet, madje do të pësojë rënie në dekadat e ardhshme. Mos përballemi me fundin e progresit, të paktën sa i përket mirëqenies njerëzore?

DCW: Le të përfytyrojmë një skenar në të cilin ne imagjinojmë mundësitë para se të supozojmë sa e mundshme është shfaqja e tyre. Një mundësi e tillë, siç kam sugjeruar më herët, është një periudhë barbarizmi, duke supozuar që nuk kanë hyrë ende në të. Përfytyroni për një çast që ndryshimi klimaterik nuk ka ndikim të njëjtë, që ndikon më shumë njerëzit të varfër sesa të tjerët, imponon emigrim masiv për t’u arratisur luftës, urisë dhe sëmundjeve. Përfytyroni gjithashtu që agjencitë e ndihmave janë shumë të ngarkuara, dhe me fondet që u pakësohen gjithnjë – në fakt, kjo është përshkrim i ebolas në Liberi në vitin 2015. Dhe që nuk mungojnë armët automatike dhe të rinjtë e zemëruar. Në fund, përfytyroni që vendet e privilegjuara mbyllin kufijtë tyre, mbyllin kufijtë për të forcuar shtypjen e të varfërve dhe të paaftëve të vendit të tyre që të veçohen nga ndikimi i drejtpërdrejtë i gjendjes së keqe ndërkombëtare. Kjo është një recetë për shfaqjen e bandave ushtarake në arrati dhe shembjen e këtij rendi botëror sado të meta që kemi…. ose, mendo të njëjtën gjë pa bandat në arrati – vetëm mos dëshira për të pranuar sëmundjen, urinë dhe zhvendosjen në masë, mes shembjes së ekonomisë globale. Këta skenarë nuk janë shumë të largët në Siri, Irak, Sudan – ku jeta e rehatshme është bërë kujtim i largët.

Versioni global i këtij skenari është bazuar në idenë që në kushtet e mospasjes, ndërsa shumë njerëz mund të tregojnë dhembsuri të jashtëzakonshme, po aq të tjerë kthehen lehtësisht në minj që kur u mungon djathi sulmojnë njëri-tjetrin. Një version jo tërheqës për t’u bërë kafshë. Këto janë thjesht nja dy skenarë. A po përballemi me ‘fundin e progresit’? Levinas tha dikur që është shumë e rëndësishme të dimë nëse jemi ‘droguar nga morali’ apo jo. Për fatin e keq e qartë është që ka kushte – lufta si shembulli prësor – në të cilat morali, në përgjithësi, flaket nga dritarja. Ne shpresojmë që kushte të tilla do të jenë të përkohshme, kalimtare, por pak besojnë që ka ndonjë siguri për këtë, që jeta njerëzore do të strehohet në një fare ombrelle morale, le më në ndonjë mbrojtje hyjnore. Nuk ka asgjë që të parandalojë skenarin barabar që do të ishte me siguri fundi ose pezullimi i progresit. Mund të thuhet që është e mundshme që, në një epokë të tillë, të bashkekzistosh me grupe të vogla njerëzish shumë të privilegjuar me pushtetin dhe floririn për të vazhduar jetën e pasur dhe të “izoluar”. Por vetëm anëtarët e tij të parfumuar mund ta quajnë progres. Tani kthemi te çështja e mundësisë së një skene të dyfishtë si kjo. Për mua, ne po ecim në një drejtim ku emigrimi masiv dhe uria në masë janë tejet të mundshëm. Emrigimi i tanishëm i njerëzve (p.sh. në Siri) mund të jetë shenjë e kësaj të ardhmeje, dhe nëse lëmë mënjanë ngurrimin etik ndaj emigracionit, siç historia ka bërë shpesh, atëherë epoka e barbarizmit nuk është shumë e largët…

Këtu dua të bashkoj Derrida-n me Che Guevarën. Derrida shpesh flet për rëndësinë etike në të menduarit e të pamundshmes. Dhe Che Guevara u shpreh bukur kur tha: “Ji realist: kërko të pamundshmen”. Argumenti është i thjeshtë: ne duhet të ndjekim të pamundshmen për të shmangur të pamendueshmen – që unë e kam quajtur barbarizmi i ri. E pamundura? E kam fjalën ndryshime në zakonet tona, vlerat, prioritetet… që nuk guxojmë ta shkojmë në mendje ose ta besojmë si të ‘mundshme, le më pastaj si të nevojshme. Shumë nga këto ndryshime duken të papranueshme, nëse mendojmë se mënyra e tanishme e jetesës është opsion. Por kur të bindemi që nuk është opsion, mund të jemi të prirë të ndryshojmë… Si fëmijë, më kujtohet që qeshja me profetët e qametit që parakalonin në Hyde Park të veshur me kuti kartoni dhe shpallnin fundin e botës. S’ka asnjë dyshim që dëshpërimi personal mund të projektohet lehtësisht mbi planetin ose kozmosin. Dhe mjegulla apokaliptike zë vend menjëherë. Rreziku është se fëmija që ka bërtitur shpesh “ujku, ujku” për t’u tallur me fshatarët, nuk do të besohet kur ujku të shfaqet në horizont. Kur Derrida shkroi: “E ardhmja mund të parashikohet vetëm në formën e një rreziku absolut”, dukej se deklarata e tij kishte një masë hiperbolizimi. Për më tepër, dukej si deklaratë që mund të ishte bërë në çdo fazë të historisë.

Ajo që duket e dallueshme në të tashmen është se apokalipsi është i llogaritshëm në mënyrë të pallogaritshme – mund të drejtojmë gishtin nga pika – dy gradë rritje në temperaturën globale – pas së cilës do të hapet sistemi i destabilizimit, edhe ndërsa ecim drejt temperaturave më të larta. Këta tre skenarë mund të duken ‘ekstreme’ ose ‘alarmuese’. Do të ishte ngushëlluese nëse do të ishin të tilla dhe nëse paralajmërimet e shkencëtarëve do të rezultonin të gabuara.

ZB: Kemi folur për problemet e progresit, për drejtimin që ka marrë njerëzimi. A ka një anë të shndritshme? Çfarë mund të bëjnë individët – ata që lexojnë këtë intervistë – mund të bëjnë që të implementojnë një farë ndryshimi pozitiv në botë?

DCW: Çfarë mund të bëhet? Asnjë nga këta skenarë nuk na thotë të rrimë duarkryq. Por ndoshta duhet të mësohemi me pamjen që do të ketë ‘veprimi domethënës. Me një farë hezitimi – ata ndërthuren shumë me njëri-tjetrin – do të veçoja tre lloj veprimesh të ndryshme: instrumentale, ekzistenciale dhe simbolike. Më i njohuri është veprimi instrumental. Pavarësisht, në e mendojmë rrezikun në mënyrë shpirtërore apo materiale, levat e ndryshimit, nëse ekziston ndonjë, nuk duken në horizont. Për të zgjeruar listën e mëparshme, kandidatët për shkakun rrënjësor të vështirësive përfshijnë teknologjinë, mekanizimin, kapitalizmin, tregun e lirë, kthimin e çdo gjëje në mall, kompleksin industrial ushtarak dhe Wall Street. Të gjitha çojnë në organizimin e marrëdhënieve mes njerëzve dhe mes njerëzve dhe Tokës: zakone shkëmbimi dhe origjine, mënyra prodhimi. E sugjerova dhe më herët që problemi është te operimi i stimujve perversë. Mund të fillojmë me dëshirim të kishim mundësi pushtetit që do të pamundësonte akses te levat e ndryshimit, por kjo është sigurisht fantazi. ‘Pushteti’ i njerëzve me pushtet qëndron kryesisht në të vepruarit e tyre ‘brenda sistemit’; mund të mos ketë shumë leva të mëdha për të ndryshuar kursin e ekonomisë globale. Treni mund të mos jetë pa shofer, por nëse ka shofer ai nuk mund të hidhet nga makina, dhe nëse hidhet atëherë ai nuk do të jetë më shoferi. Është e bezdisshme me agjenci në formën e “Vullnetit për pushtet” të Niçes… që e çoi Heidegger-in të fliste për ‘përgatitjen e rrugës’.

Çfarë do të thotë kjo? Përgatitja e rrugës mund të kuptohet si quasi-instrumentale dhe pastaj quasi-ekzistenciale dhe simbolike. Instrumentale, nëse, siç sugjeruam më herët, e marrim ndryshimin jo linear seriozisht, dhe nëse teknologjia jonë dhe mënyra jonë e jetesës do të kishin pika kthese si klima, atëherë mund t’ia vlente të bënim gjëra të zakonshme të mira që çonin drejt pikës së kthehesës, edhe pse të kuptuar linearisht nuk premtojnë shumë. Përdorimi i transportit publik mund të inkurajojë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë që mund të gjenerojë një masë kritike të nevojshme për një investim të ri që mund të ndryshojë lojën – makina të reja, trena të rinj, stacione të reja. Mendoni gjithashtu për instalimin e paneleve diellore, pjesëmarrjen vetëm në konferenca, refuzimin e riprodhimit. Nuk kemi nevojë të garantohemi për rezultatin, ngaqë është e arsyeshme të ndjekim mundësi për të cilat veprimet tona mund të jenë kritike. Do të shfaqen gjithashtu shumë nga zgjedhjet që mund t’i quajmë ekzistenciale ose simbolike. Me veprim ekzistencial nënkuptoj që pavarësisht, nëse veprimi premton ose jo, direkt apo indirekt, efikasitet, është shumë joshëse ndjekja e një mënyre jetese të parashikueshme – zbatimin e ndryshimit që dëshironi të shihni – sa më mirë të jetë e mundur. Kujtoni lëvizje si Voluntary Simplicity ose Back to the Earth. Këtu ka gracka dhe iluzione gjithashtu. Fermerët e vegjël ngasin kamionçina të etura, dhe humbasin përfitimet nga densiteti urban. Shumë nga zgjedhjet ekzistenciale të kënaqësisë janë praktika shpërdorimi ose parazite, ose që nuk mund të universalizohen, edhe nëse e realizojnë qëllimin. Ato mund të duken si kënaqësi të trishta, që ushqejnë një shpirt të bukur, dhe jo një kontribut serioz për të ardhmen. Por përpjekjet personale për të jetuar ndryshe, për të jetuar lehtë, dhe për të jetuar vërtetë mirë nuk mund të mos llogariten. Shembulli mund të nxisë të tjerë të rishikojnë mënyrën e tyre të jetesës. Të jetosh mirë nuk ka të bëjë vetëm me kursimin, mospërdorimin e ajrit të kondicionuar, por është festim i vetë ekzistencës veçanërisht si reagim ndaj thelbësores, kushëri i konceptetit Fourfold të Heidegger-it.

Në fund, ‘përgatitja e rrugës’ mund të marrë shumë forma simbolike. Të jetosh jetën në dritën e një ideali të caktuar – si sakrificë, si rezistencë, si qëndresë, si ndjekje linjash fluturimi, si fetish, si vepër arti, me përkushtim ndaj komunitetit, duke imagjinuar rrugë të tjera të të qenit, duke eksperimentuar me lulëzimin e gjithfarë llojeve, të qenit shkrimtar ose artist – të gjitha këto mundësi vënë në dukje jetën dhe veprimet individuale ose kolektive në dimensionin e tyre simbolik. Dhe kjo e drejtuar apo jo në parandalimin, qëndresën ose pranimin e ndryshimeve klimaterike. Mund të këndosh për faktin që nuk ke nevojë për një prezantues moti të të tregoj drejtimin nga fryn era, ose thjesht mund të këndosh. Gjithë këto opsione simbolike mund të përdoren për të treguar shembjen e qytetërimit. Orkestra që vazhdonte të luante ndërsa Titaniku zhytej mund t’i kenë pasur kokat e tyre budallaqe zhytur në rërë, por dhe mund të kenë performuar njeriun në rrethana të vështira. Contributions [Kontribute në filozofi] i Heidegger-it mund të jetë ekuivalenti filozofik i një gjesti të tillë. E gjithë kjo është për të thënë që edhe kur i dëgjomë tashmë gurgullimat e rrëkesë që vjen drejt nesh, ka shumë për të bërë. Mundësia e katastrofës nuk është justifikim për të qëndruar duarlidhur.

David C. Wood është profesor filozofie dhe i studimeve euvropiane në Universitetin e Vanderbilt, Tenneessee, SHBA, dhe botues i New Philosopher

http://www.postbllok.com/fundi-i-progresit/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.