“Çështje që i takon Parlamentit”. Referendumi, si miklohet populli me iluzionin e sovranit

Postuar në 01 Qershor, 2016 03:11

Britania e Madhe do t’i drejtohet referendumit për të vendosur nëse do të duhet të rrijë apo jo në Bashkimin Europian. Dhe për të arritur objektivat e vet, politikanët i kanë konsumuar të gjitha kartat, deri sa përfshinë edhe Shqipërinë si delen e zezë, me të cilën britanikët duhet të rrinë larg. E çuditshme ndërkohë dhe paradoksale, që politikanë të cilët sot janë pro daljes nga BE-ja, deri dje nuk thanë një fjalë për referendumin e Skocisë.

Gjithësesi, referendumi për një çështje si kjo e tanishme, pra të rrish apo të qëndrosh në BE, është me specifik sesa referendumi me thelb separatist që u realizua në Skoci. Në këtë të dytën i bëhet apel një emocioni që përçon një pyetje të thjeshtë: do apo nuk do të jesh në një shtet me anglezët? Dhe kushdo e di mirë nëse do që të jetojë apo jo me dikë tjetër.

Tjetër punë me BE-në, që është një hapësirë ku britanikët në vetvete nuk çedojnë në asgjë. Ndaj këtu bëhet fjalë për diçka më të komplikuar. E cila ndoshta nuk mund t’i besohet publikut. Këtë mendim e ndan në një opinion të vetin David Mitchell, aktor dhe komedian i njohur, që shkruan në “The Guardian” se “unë nuk e di nëse vota ime është e drejtë, ndonëse jam i bindur për qëndrimin në BE".

Ky është një problem i madh i funksionimit të vetë demokracisë, e cila ofron mjete demokratike, por që  të instrumentalizuara e humbasin kuptimin dhe rolin e tyre. Mitchell referon fjalët e Richard Dawkins(https://en.wikipedia.org/wiki/Richard_Dawkins), profesor, biolog që flet hapur për këtë truk të politikës: “Është irrituese që njerëz injorantë si puna ime do t’u kërkohet të votojnë. Kjo është një çështje e komplikuar ekonomie, politike, historie dhe ne jetojmë në një demokraci përfaqësuese, jo në një demokraci plebishitare. Mund t’i drejtohesh popullit në raste të caktuara – gjuetinë ndaj dhelprës p.sh – por jo për diçka që përfshin BE-në. Kjo duhet të jetë çështje e Parlamentit”. Fjalë që Mitchell i riprodhon për të dhënë një mesazh të qartë demokracie “nga poshtë”: Ç’punë kemi ne me vendime që duhet t’i marrin ata që kemi votuar?

Më mirë se kaq çështja nuk mund të shtrohet, as të debatohet. Aq më tepër, kur si komedian i hollë që është, Mitchell i shton këtij paradoksi kombëtar, edhe paradoksin e kryeministrit aktual, Cameron. I cili sipas Mitchell po i bën Britanisë një nga gjërat më të këqija, duke e drejtuar në këtë referendum. “Cameron e ka strukturuar karrierën e tij duke iu shmangur kësaj pyetjeje, duke drejtuar një parti që është e ndarë në vendimin për çështjen më të rëndësishme për të ardhmen e vendit...Ne nuk i shohim më anëtarët e parlamenti si njerëz që manifestojnë inteligjencë të madhe, thellim, qetësi dhe mendje të ftohtë gjatë një krize...Nuk do të marrin frenat në dorë të udhëheqin. Nuk do të thonë se ata e dinë. Ekspertiza është hedhur poshtë si elitiste. Ata janë të lumtur që ky vendim do të merret nga vota e zakonshme...Përveç David Cameron. Ai po bën fushatë për “Por Qëndrimit në BE”, por sipas aleatit të tij të vjetër politik, Steve Hilton, “instinkti” i Cameron është për “Brexit. “Nëse do të ishte një pjesëtar i publikut...jam i sigurtë që ai do të ishte pro Largimit nga BE”. Kështu që ai nuk mundet të vendosë. Lideri ynë nuk e di nga të shkojë. Nuk më vjen keq vetëm pse është kryeministër –më vjen keq që ai merr vota”, shkruan Mitchell(http://www.theguardian.com/commentisfree/2016/may/29/eu-referendum-parliament-leaders-david-cameron-david-mitchell?CMP=fb_gu).

***

Një zë që bën thirrje që politika të mos shpërdorojë një shans historik, apo t’i shmanget një përgjegjësie historike duke ia ngecur topin popullit.

Ky trajtim kaq kritik na ndihmon edhe në Shqipëri me rastin e propozimit absurd të votimit të reformës në drejtësi me referendum popullor. Njësoj si në referendumin e vitit 1994, vota është patjetër politike dhe atë do ta instruktojnë më mirë fobitë apo keqkuptimet që ushqehen enkas nga politika, sesa leximi i kujdesshëm i draftit. Nëse atëherë drafti i Sali Berishës u rrëzua pas pretendimit të PS-së se “Berisha po kërkon të të gjitha pushtetet”, le të imagjinojmë sesi mund të jetë një votë referendare për një reformë në drejtësi, ku fjalimet kryesore pro dhe kundër mund të jenë: Votoni reformën që fut pushtetarët e djeshëm në burg(kuptohet jo Metën) dhe tjetra: Mos votoni një reformë që instalon martesat gej.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.