2017, ShBA investojnë 3.4 mld$ për mbrojtjen e Europës

Postuar në 31 Maj, 2016 14:43
Intervistoi: Ani Ruci

Një konkluzion për takimin e Asamblesë së NATO në Tiranë nga Michael R. Turner, kongresmen në SHBA, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përmes një interviste për Deutsche Welle.

DW: Z. Turner a i përmbushi pritshmëritë tuaja Asambleja Parlamentare e NATO-s, sesioni i pranverës, që përfundoi punimet (30 maj 2016) në Tiranë? Cilat ishin çështjet ku u fokusuan diskutimet?

Michael R.Turner: Gjatë këtij viti kemi pasur tri çështje kryesore në fokus: e para është vazhdimi i mbështetjes për zgjerimin e NATO-s; e dyta është kthimi përsëri i NATO-s në një organizatë që mund të frenojë agresorët, si është Rusia; e treta është që të sigurohemi që vendet anëtare janë të zotuara për të kontribuar me 2% të PBB dhe që fondet për mbrojtjen ushatarake nuk janë prerë. Diskutimet tona në Tiranë kanë korresponduar me këto tri çështje. Ka pasur një simbolikë të madhe fakti që Asamblenë Parlamentare të NATO-s e zhvilluam për herë të parë në Tiranë, në një kohë kur Mali i Zi ka marrë ftesën për t'iu bashkuar Aleancës Euro- Atlantike. Fakti që ndodhemi në Ballkanin Perëndimor dhe që Mali i Zi ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO u festua shumë në Tiranë. Lidhur me çështjen e agresivitetit të Rusisë, ne shohim vetëm rreziqe më të mëdha për vendet anëtare të NATO-s dhe njëherazi një zotim më të madh, të dakortësuar nga sejcili prej nesh. Neve na duhet të jemi më të fortë në aftësitë tona ushtarake. Dhe natyrisht që kemi diskutuar për burime financiare dhe fonde kur SHBA-ja është zotuar që vitin e ardhshëm të kontribojë me 3,4 miliardë dollarë për forcimin e mbrojtjes në Europë. Pjesë e diskutimeve në Tiranë ka qënë sesi vetë europianët mund të parashikojnë të rrisin kontributet e tyre në mënyrë që të ndahet barra financiare e një mbrojtjeje më të fortë.

DW: Po Gjermania? A do të rrisë kontributin financiar me rritjen e agresivitetit të Rusisë?

Michael R.Turner: Gjermania është një partnere shumë e përgjegjshme, shumë mbështetëse dhe lider në NATO. Mendoj që të gjitha vendet anëtare, të gjithë ne nëse shohim buxhetet e mbrojtjes mund të gjejmë mënyra që t'i rrisim ato për t'iu përgjigjur si agresivitetit të Rusisë, ashtu edhe kërcënimeve nga ISIS , terrorizmi apo kërcënimeve që po shfaqen nga Koreja e Veriut. Por gjithashtu edhe për të qenë të sigurtë se kemi aftësitë e duhura ushtarake për të kontribuar kudo. Nëse shohim sesi sejcili vend i përgjigjet situatës, atëhere të gjithë janë të një mendimi se lidershipi gjerman është shumë i rëndësishem dhe zëri i delegacionit gjerman, ai i Ulla Schmidt, Zv. Presidente e Bundestagut, njëherazi edhe Raportuese e Posaçme e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për dimensionin qytetar të Sigurisë në punimet e kësaj Asambleja, ishin zëra shumë të fortë dhe kontribues.

DW: Si mund të forcohet roli dhe kontributi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s për të përballuar situatën aktuale gjeo-politike në Europë, veçanërisht kërcënimet teroriste, duke patur parasysh ngjarjet në Stamboll, Ankara, Bruksel?

Michael R.Turner: Rëndësia e Asamblesë Parlamentare të NATO-s është që mbledh anëtarë të parlamenteve nga vendet anëtare të aleancës për të diskutuar dhe ndarë informacionin për kërcënimet që ne po përballojmë. Në këtë takim miratuam një rezolutë që informon kryetarët e shteteve për Samitin e ardhshëm të Natos, këtë vit, në fillim të korrikut në Varshavë dhe u bëmë atyre apel të rrisin shpenzimet për mbrojtjen për t'iu përgjigjur agresivitetit të Rusisë dhe kërcënimeve terroriste. Ne duhet të sigurohemi që kemi aftësitë dhe vullnetitn për t'i përballuar sfidat e situatës.

DW: Sfidë përbën edhe përballja me stabilitetin vulnerabël në Ballkanin Perëndimor. Zv.Presidentja e Bundestagut, Ulla Shmidt, tha se "nuk mjafton thjesht mungesa e luftës për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për rajonin". Si mund të kontribuojë Asambleja Parlamentare e NATO-s në vendet anëtare,që në Ballknain Perëndimor të çimentohet stabiliteti?

Michael R.Turner: Qyteti im i lindjes është Dayton, Ohio, ku u negociua Marrëveshja e Paqes e Dayton-it. Nëse kthehemi 20 vite pas kur kjo marrveshje u firmos, shohim që në Bosnjë- Herzegovinë kemi arritur paqen. Por aty duhet të arrijmë shumë më tepër. Anëtarët e parlamenteve kombëtare të secilit vend anëtar të NATO-s, sjellin këtu zërin e Parlamenteve të tyre dhe çojnë në Parlamentet e tyre çëeshtjet që diskutuam në Tiranë. Përfitoj nga rasti t'i bëj thirrje komunitetit ndërkombetar të ndihmojë Ballkanin Perëndimor si për të arritur një zgjidhje diplomatike të çështjes së emrit të Maqedonisë që të shohim hyrjen e saj në NATO dhe BE ashtu edhe per të mbështetur Bosnjë- Herzegovinën në evolucionin e saj kushtetues që ajo të bëhet një anëtare aktive e NATO-s.

DW: Çfarë u arrit me miratimin në mbyllje të punimeve të asamblesë të "Rezolutës së përbashkët dhe të qëndrueshme" për axhendën e Samitit të NATO-s në Varshavë nga parlamentaret/ët e 28 vendeve anëtare të NATO-s?

Michael R. Turner: Rezoluta njeh rreziqet si edhe mundësitë që ka NATO-ja për t'i përballuar ato.

"DW"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.