Rroba të reja, Kryeministër i vjetër

Postuar në 29 Maj, 2016 17:32

Antikonformist dhe ndryshe. Dy truke në lojën e imazhit që e ndihmuan shumë Edi Ramën të bënte karrierë politike në Shqipëri. Madje dikur, të ushqente për shumëkënd edhe iluzionin e europianit të vetëm në skenën politike shqiptare. Edi Rama dhe imazhi, marketingu, “improvizimi”, të gjitha fragmente të harruara të një politike që autosugjeron për veten vetëm Prologun apo ngjitjen. Por koha u kërkon të gjithëve llogari dhe duket se një qasje për të parë më nga afër  anatominë politike të tij pas bjerrjes së fuqisë së aparencës– është një mundësi për të dorëzuar gjykimin politik në sensin e realizimit.

Për këtë “hollësi” të cilit Edi Rama i dha peshën e gjestit të vetëm politik të tij, shkruan në Peizazhe të Fjalës, Alen Bejko. “Rrobat e reja të kryeministrit” titullohet shkrimi, që është një radiografi e shpejtë e rënies së Ramës edhe në këtë drejtim. “Tre vitet e fundit të pushtetit kryeministror i kanë kushtuar shumë imazhit të Edi Ramës. Gjithnjë e më i thinjur, më i rrudhur dhe më i ngurtë në fjalët e tij, ai dëshmon për një plakje pazakonisht të shpejtë”, hap shkrimin Bejko.  “Plakja e Ramës, fizikisht po aq sa politikisht, ka krijuar një problem komunikimi për kryeministrin”, vijon autori.

Por tej kësaj “valence” të humbur që rizgjohet në mënyrë dembele në takimet në rrethe, ku kryeministri “neglizhon” qibrën, veshja si përçues i një simbolike politike, e gjen atë, sipas Bejkos, krejt të paditur. Ose vështirë se mund të kuptosh gjë nga “gjesti i veshjes” së tij. Dy raste merr autori për ta ilustruar këtë gjë: një mbrëmje e Ministrisë së Integrimit Europian në TKOB në ditën e Europës dhe dasma e vajzës së presidentit turk, Erdogan.

Kostumi i habitshëm blu i kryeministrit ishte një kopje e saktë e atij që vishte shtetari që i dha emrin petkave, deri në shaminë e palosur në formë trekëndore brenda xhepit të gjoksit të xhaketës. Pundit Xhavaharlal Nehruja, kryeministri i parë i Indisë së lirë, vetëm sa popullarizoi një version të përditësuar të një veshjeje, të njohur si  “akçan”, që mendohet të jetë përdorur në nënkontinent prej shekullit të dhjetë. E krijuar si një rrobë e lehtë kindagjatë pambuku, ajo u kthye në një veshje të rëndë oborri, si përgjigje ndaj përhapjes së gjerë të frakut britanik mes elitave indiane. Në botën perëndimore, kostumi Nehru u vesh nga “Bitëllsat”, tek Shon Konëri si 007-a, nga të gjithë aktorët që luanin kundërshtarin e tij të përhershëm, Ernst Stavro Blofeldin, e deri tek satira e tyre nga Majk Majërsi si dr. i Ligu në filmat Ostin Pauërs. Për një sërë arsyesh, mes të cilave edhe njëfarë ngjashmërie me kostumin à la Mao, i cili dyshohet ta ketë origjinën nga uniformat e kadetëve japonezë që shërbenin në Kinë në vitet ’20, ky kostum u përhap në perëndim mes kryengritësve që ishin të pakënaqur me kapitalizmin e Luftës së Ftohtë. Këto rroba morën një karakter kundër-perëndimor, kundër-borgjez dhe imperialist në kohën e luftës së Vietnamit dhe majit ’68...Është e vështirë të kuptosh se përse, pikërisht në një mbrëmje për ditën e Europës, kryeministri të zgjidhte të jepte këtë mesazh nëpërmjet rrobave të tij. Ka shumë të ngjarë që ai të mos jetë në dijeni të shtegut historik që ka përshkuar rroba që mbante veshur e të konotacioneve politike që mbart me vete...”, shkruan Bejko(http://peizazhe.com/2016/05/29/rrobat-e-reja-te-kryeministrit/).

Misteri i llojit  - çfarë ka dashur të thotë autori, në këtë rast i veshuri – bëhet më i madh në dasmën e vajzës së Erdogan. “Nga të gjithë të ftuarit e shquar, kryeministri shqiptar ishte i vetmi që nuk ishte veshur me kostum, e atje ishte i pranishëm edhe kryeministri pakistanez, i cili ka arsyet historike për të veshur uniformën e rajonit të tij. I vetmi shtetar tjetër që është dukur në Europë me një kostum të ngjashëm është sekretari i përgjithshëm i PKK-së dhe presidenti kinez Shi Jinping...Ngjashmëria në shije me udhëheqësin e superfuqisë së vetme komuniste në planet e bën të panevojshëm komentin. Ne gjendemi përballë të vërtetës se kryeministri i vendit kërkon të rinojë e ripërtërijë imazhin e tij pas tre vitesh të një qeverisje tepër të kontestuar, nëpërmjet një kostumi që ka tridhjetë vjet që ka dalë nga moda. Në vend të ndikimit pozitiv që pati stili agresiv i Varufakisit, apo edhe refuzimi diskret i Ciprasit për të mbajtur kravatë para zgjidhjes së krizës, zoti Rama rithekson padashur pikërisht atë që dëshironte të fshihte, vjetërsinë e tij...”, vijon Bejko, që e mbyll me një thirrje dashamirëse, e pse jo patriotike: “Dikush duhet ta paralajmërojë përpara se të dalë sërish shëtitje me rrobat e tij të reja”. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.