E padobishme ndihma e ambasadorëve për kryeministrin. Reforma kalon nga dyert e PD-së

Postuar në 25 Maj, 2016 22:10

Partia Demokratike po i qëndron idesë se drafti final i reformës në drejtësi është përgjegjësi e legjislatorit duke hedhur indirekt poshtë alibinë e mazhorancës dhe kryeministrit që janë fortifikuar pas togfjalëshit: Komision i Venecias. Në një prononcim pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, kryetari i saj, Lulzim Basha, deklaroi se drafti i tretë, i propozuar nga PD-ja duhet marrë në shqyrtim. “Do ta bëj të qartë për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar, se ka edhe nga ata që e kanë kuptuar por bëjnë sikur nuk e kanë kuptuar: tek vendimmarrja ne qëndrojmë fort mbi propozimin e bërë nga faktori ndërkombëtar për vende të rezervuara. I kemi thënë “Po” dhe për ne këtu çështja konsiderohet e zgjidhur. Sigurisht duhet dhe pala tjetër të shprehë vullnetin për të cilin kemi marrë garanci nga faktori ndërkombëtar. Për arkitekturën, “Venecia” e thotë qartë, drafti e përsërit në pjesën të kuqe mbi të bardhë se arkitektura që pamundëson kapjen politike është përgjegjësi e legjislatorit. Pra, nuk ka dhe nuk mund të ketë NJE formulë, e në veçanti nuk mund të ketë pranueshmëri të një formule e cila nuk garanton moskapjen politike”, tha ai.

Në këto kushte, kur PD-ja ka hedhur një propozim që e artikulon si parimor, nevoja për negociata politike është e domosdoshme, në mos PS-ja do të çedojë në draftin aktual. Bëhet fjalë për propozime ekspertësh, pavarësisht prapavijës politike dhe në një kontekst normal, çdo propozim mund të shqyrtohet nga ekspertët. Por deri më tani, PS-ja ka preferuar të qëndrojë pas idesë se drafti i “kolauduar” nga Venecia është i paamendueshëm, çka është një sjellje jo elastike. “Prej ditës tonë të parë kemi thënë Po për Reformën në Drejtësi, por jo kapjes politike. Dhe sot qëndrojmë për të njëjtin parim, Po Reformës në Drejtësi. Aspektin antikorrupsion, atë që iu nxin jetën qytetarëve, korrupsionin në nivele të larta qeveritare, korrupsioni në drejtësi, kemi që në mars që themi ejani të votojmë amendamentet, sigurisht bashkë me aktet ligjore dhe ti hapim rrugë”, shtoi Basha.

Teknikisht PD-ja po kërkon që reforma të kompletohet pas zgjedhjeve të përgjithshme, duke propozuar që me ligjin e dekriminalizimit Parlamenti do të jetë pastruar, por edhe mazhoranca do të ketë kaluar provën e zgjedhjeve. Duhet kujtuar se procesi elektoral i vitit 2015, u kritikua nga OSBE-ja dhe nga kjo pikëpamje, opozita ka një farë të drejte që të kërkojë maksimumin. Basha ka hedhur poshtë edhe perceptimin e përhapur qëllimisht se vonesa për reformën vjen nga dora e Sali Berishës, duke refuzuar edhe presionin e diplomatëve të huaj për “mungesë kohe për të bërë ndryshime”. “Deklaratat e ambasadorëve i komentoni ju sepse duhet të kuptoni që unë kam punë më të rëndësishme sesa komentet e deklaratave të ambasadorëve. Por mund t’ju them se Bashkimi Europian nuk mund dhe nuk do të hapë kurrë dyert e negociatave për një vend që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ai, duke lënë të kuptohet se shpresa e shumicës qeverisëse për hapje ngociatash është e kotë.

Nga ana e vet, kryeministri Edi Rama, ka deklaruar sot përmes një interviste teatrale për Top-Channel, zhvilluar duke ecur në bulevard, se është gati të takohet me Bashën. “Ftesa është bërë me shkrim dhe nëse doni ta kompletoni me gojë merreni si konfirmim. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë çdo përpjekje dhe nuk më vjen fare zor të them që i lutem PD që të mos e minojë një proces! Të mos e kyçë Shqipërinë në një zonë gri që mund të bëhet vrimë e zezë në procesin e integrimit”, tha kryeministri. Sipas tij drafti nuk preket, por këto janë deklarime që e bëjnë të pakuptimtë ftesën për takim. Kjo është një provë sjelljeje që ka prodhuar zero produkt politik edhe në të kaluarën. Kompromis me oferta kategorike u bënë në zgjedhjet e vitit 2007 dhe u arrit diçka përgjysmë, u bë pas zgjedhjeve të vitit 2009, u kërcënua me lënie mandatesh. Në fund, PS-ja u deyrua të puthej me Ilir Metën.

Sot mbrojtja më e mirë është Komisioni i Venecias, krahas miratimit për një takim të nivelit politik, që shërbehet si ndihmë për opozitën. E kundërta është e vërtetë: mazhoranca ka nevojë politike për reformën më shumë sesa opozita. Kjo nga vështrimi taktik. Ndaj nëse kërkohet zgjidhje duhet edhe lëshim, i cili tashmë rrjedh edhe nga faktet e vetëdeklarimit të deputetëve. Asnjë prej palëve nuk është në pozocion ideal, as në epërsi morale e politike për këtë çështje dhe këtë mesa duket e ka kuptuar më mirë PD.

Comments

Submitted by Pema (not verified) on

Hajde brrockulla respublica hajde. Per ju gazetaret gjithcka shihet nen prizmin e lojes politike.
Fakti qe ambasadorja e BE e tha troc qe pa miratuar reformen ne drejtesi brenda qershorit negociatat shtyhen per te pakten 3 vite, per ju kjo nuk ka rendesi fare. Rendesi ka qe pd mos te humbase pike politikisht, pa vendi le te "digjet".
Ju jeni te gjith njesoj, si politikanet dhe gazetaret, jeni plehra deri ne palce. Por cfar te bejm ne thuj, ne qe na ka ron te jetojm ne nje vend ku 80% e njerezve kane te njejtin integritet moral si ju.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.