Modeli i politikanit shumëpërdorimësh

Postuar në 25 Maj, 2016 15:25

Sajmir Tahiri duket se ia ka hedhur edhe këtë herë. Pa mohuar dot se një pajisje përgjimi është operuar nga policët e tij në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, por as duke e pohuar dot deri në fund, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, i diskredituar në çdo drejtim, luajti atë pjesë që di të bëjë më mirë: ditët e para nuk fliste, heshtte, ulte sytë sa herë dilte në media dhe pranoi që në Komisionin e Sigurisë të poshtërohej dhe tallej nga Flamur Noka. Të cilit dikur, me kapardisje i thërriste “Mul”.

Nëse shohim serinë e skandaleve që kanë shoqëruar këtë ministri që nga viti 2013, me zhdukje personash që nuk gjenden, me deklarata të ndryshme për zbulime të vrasjeve të bujshme, për mushkonjat e Divjakës që mandej rezultuan avionë me thasë droge, për dalje informacionesh të klasifikuara, për bllokim të urdhër arresteve nga Interpoli për deputetë etj., ne mund të themi se ajo që ia zverdhi fytyrën Sajmir Tahirit, nuk është shkelja e ligjit. Është posedimi i instrumenteve të shantazhit që kundërshtarët e tij kanë në dispozicion që e ulën në gjunjë njeriun e fortë të Rilindjes. Janë ato instrumente që bashkë me flagrancën e pajisjes së përgjimit, ekzistenca e së cilës nuk u mohua asnjëherë, që rikonfirmuan modus vivendin e këtij koalicioni, i cili është: kurthi dhe shantazhi.

Deklarimet e LSI-së, në ditët e para të skandalit, duket se krijuan kushtet e duhura të presionit që ministri bashkë me drejtorin e Policisë të mbyllnin sytë për Klement Balilin, një funksionar i partisë së Ilir Metës. Gjithë pra një skemë e vënë në veprim që në fillim, e ku duket se Ilir Meta po del fitues. Menjëherë pas seancës në Komisionin e Sigurisë, Sajmir Tahiri u shfaq në studio televizve, bërtiste me të madhe se po goditej policia, një ditë më vonë vuri në punë kasetën leksikore të Rilindjes për “Shqupin që hedh baltë”, përherë kjo në tolereancën dhe qetësinë që sjell heshtja e LSI-së. Një heshtje e negociuar kushedi sa shtrenjtë vetëm e vetëm që skandali të mbyllet. 

Kjo është shfaqja që iu ofrua qytetarëve nga politikanë të tredhur siç janë ministrat e kësaj qeverie, apo nga një kryeministër që di të fshihet. Por përtej saj, qëndron diçka më e rëndësishme: të drejtat e qytetarëve, Kushtetuta dhe besimi në institucionet e shtetit.

Ka nisur një hetim penal për gjetjen e pajisjes, por ende asnjë informacion zyrtar nuk ka nga Prokuroria. Ka një letër bakalli nga Ambasada e Italisë e cila u skualfikua nga Prokuroria, për shkak të parregullsive dhe mungesës së seriozitetit. Ka heshtje nga misioni Interforce, misioni italian, i përfshirë në akuza të mëdha gjatë çështjes “Zagani”. Një mision i huaj që operon në territor shqiptar dhe që nuk do të dëgjojë për institucionet e këtij vendi.

Ka një shqetësim zyrtar nga Presidenti i Republikës, që foli për pajisjen përgjuese, që akuzoi qeverinë për mashtrim. Por Komandanti i Forcave të Armatosura, drejtues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nuk ka qenë në gjendje të shkojë më tej. Ai nuk po flet më dhe askush nuk është i sigurtë nëse në këtë moment që po flasim, Sajmiri është duke na përgjuar ende, apo duke u zgërdhirë për faktin sesa lehtë ia hedh në Shqipëri.

Nga ana e vet, opozita, Partia Demokratike, ngjan të ketë bërë pjesën e vet dhe sot e ka transferuar çështjen te pushteti i popullit. “Qeveria, Edi Rama, Saimir Tahiri, ende nuk përgjigjen, ku gjendet sot pajisja, kush e solli, nga u fut, pse nuk u regjistrua, kush e përdori, kush u përgjua dhe pse? Ky është një shqetësim i madh publik, kulmi i paligjshmërisë, që ka autorë, ka përgjegjës, dhe prokuroria lypset me shpejtësi të bëjë drejtësi. Ky është një zhvillim tronditës që kërkon reagimin e qytetarëve, e shoqërisë civile, e universiteteve, të medias. Një klan mafioz në pushtet si ky i Ramës këtë dëshiron, heshtjen, mos-reagimin. Por ky zullum nuk mund të kapërdihet. Të gjithë duhet të bashkohemi e të ngremë zërin, që ky antishtet të ndalohet, që dhunime të tilla të Kushtetutës, të Sigurisë Kombëtare, të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut të mos ndodhin më”, tha deputeti Luçiano Boçi.

Një larje duarsh deri në seancën e radhës, që mund të jetë ndonjë përgjim, apo edhe ndonjë tender. Paligjshmëria e pajisjes përgjuese për të cilën flet Boçi, është në këtë pikëpamje një argument apo alibi politike për përgjimet që mund të disponojë opozita nesër. Një Pazar që vë gjithçka në shitje e që e ka reduktuar publiken në një prezervativ që e përdorin të gjithë.

Ushtrimi i të drejtave dhe respektimi i tyre duket qartë se nuk po përmbushet as kur institucionet që janë garant i tyre nuk ja dalin. Ndoshta sepse janë të paaftë, kanë një axhendë tjetër, apo edhe sepse modeli “Tahiri”, i politikanit shumëpërdorimësh, është interes i përbashkët për të dy krahët. Nuk mbetet veçse të shpresojmë që negociatat e pazarit të mos kenë patur pjesë të tyre edhe Ngrirjen e “Qytetarit Dixhital”.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.