Një tender më shumë...

Postuar në 23 Maj, 2016 18:41

Sot ministri i Jashtëm Ditmir Bushati njoftoi në konferencën “Investo në Shqipëri: Sfida dhe mundësi”, se  “do të ngrihet edhe një sistem informatik, i cili do të krijojë ndërlidhje në kohë reale mes selive tona diplomatike dhe institucioneve qendrore me qëllim dhënien e informacionit sa më të plotë për investitorët e huaj”.  Nga ana e vet ministria e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi kërkoi që “diplomatët  të kenë më shumë njohuri për marrëveshjet tregtare të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare dhe shtetet e ndryshme”( http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=327316&ref=ngj).

Parimisht nisma nuk ka pse të kritikohet, e as të shihet me dyshim. Por është praktika e funksionimit të gjërave që të bën të dyshosh se ky është shoë i radhës.

Së pari, Ministria e Jashtme e ka krejtësisht të pamundur që të thithë investitorë serioze nga jashtë, sa kohë që selitë kryesore diplomatike në Tiranë, njoftojnë largimin e investiroëve të tanishëm. Rasti i fundit është i sotmi, kur zv.ambasadori amerikan, Muniz, deklaroi largimin e dy investitorëve pasi u penalizuan sipas tyre padrejtësisht nga gjykatat.

Së dyti është imazhi i Shqipërisë, për të cilin qeveria dhe Ministria e Jashtme, ose nuk po bëjnë asgjë, ose asgjë nuk perceptohet. Po të heqim shkrime 300 mijë euro, si ai në rubrikat me pagesë të “The Economist”, asgjë reale nuk duket se është bërë për të eliminuar imazhin negativ të Shqipërisë. Intervista e fundit e kryeministrit Edi Rama për “Euroneës” e risolli në vëmendje këtë gjë, sikurse deklarimet e ministres së Mbrojtjes së Britaninë e Madhe. Dhe po flasim për kritika asgjësuese për zbatimin e ligjit dhe funksionimin e shtetit.  Qeveria aktuale miratoi madje ligjin për investimet strategjke, përmes të cilit ofronte lehtësi të mëdha, madje kontrata qiraje 1 euro për investime mbi 50 milionë euro,  por asgjë nuk ndryshoi.

Shpesh janë bërë kritika të forta, sidomos nga ambasada dhe biznesi gjerman, për ndryshim të stafeve që menaxhojnë marrëdhëniet me investitorë të huaj, çka ul besueshmërinë.

Së treti është situata e pronësisë në Shqipëri. Dy lajme të ditëve të fundit, anullimi Parkut Industrial në Lezhë dhe reduktimi në 100 ha, i Zonës Ekonomikë të Spitallës, flasin për probleme serioze pronësie në Shqipëri. Sado që të propagandojë qeveria se brenda 10 viteve do të zgjidhë problemin e pronës, kjo është larg realitetit. Cili investitor serioz do të mendonte të hidhte para në një vend me pasiguri të tilla?!

Pa harruar këtu se qeveria, me ligjin për investimet strategjike, i jep të drejtën vetes të shpronësojë për të mundësuar investimet që klasifikohen strategjike, por që në thelb mbeten interesa private.

Së fundmi, është kapaciteti dhe serioziteti i rrjetit diplomatik shqiptar. Kushdo mund të provojë vetë që të kërkojë të aplikojë për një pasaportë në selitë diplomatike apo konsullore shqiptare. Le të provojë kush ka dëshirë ta zëmë Konusllatën e Milanos dhe të gjykojë se me çfarë ka të bëjë. Po flasim për një shërbim bazik, themelor, Pasaportën, për ofrimin e së cilës, shteti shqiptar operon me dy sportele, pra dy çmime: një për qytetarët rezidentë dhe një për emigrantët.

Problemet kryesore që ka vendi, që janë edhe të trashëguara, rëndohen nga problemet themelore organizative të këtij ekipi që qeveris Shqipërinë dhe nga vullneti apo energjia e tij për të ndryshuar diçka. Të flasësh sot për një sistem informatik mes selive diplomatike, kur realiteti manifeston krizë reale dhe të thellë, është as më shumë e as më pak: dekor, grim, teatër politik dhe sidomos, Një Tender më shumë. Gjithësesi, urojmë që kjo nismë të japë efekt. Fundja do ishte mirë për të gjithë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.