Shtrëngo rripin Aleks

Postuar në 23 Maj, 2016 10:24

Kryeministri i radikalëve të majtë Aleksis Cipras u premtoi grkëve pavarësi ekonomike dhe dinjitet përballë kreditorëve, por pas ardhjes në pushtet ngushtoi lakun dhe shtrëngoi rripin për shumë familje greke. Të dielën në mbrëmje parlamenti grek miratoi me votat e maxhorancës paketën e re të masave, që parashikojnë kursime me vlerë 1,8 miliardë euro, dhe që përfshijnë veç të tjerash rritje të taksave, si dhe krijimin e një super fondi për privatizimet.

Masat u votuan në zbatim të kërkesave që duhet të përmbushë Athina me qëllim që të çlirohet një këst këst i kredisë prej 86 miliardë eurosh që iu akordua Greqisë me paketën e tretë të shpëtimit, vitin e kaluar. Paketa u votua në parim nga 153 deputetë të koalicionit qeveritar. Por SYRIZA vlerësohet se ka marrë një goditje, pasi një deputete e kësaj partie, Vasiliki Katrivanou, dha dorëheqjen, për të shprehur kundërshtimin ndaj paketës së miratuar. Votimi u zhvillua ndësa jashtë parlamentit protestonin më shumë se 11.000 qytetarë, që iu përgjigjën thirrjes së sindikatave.

Para votimit u zhvillua një debat i ashpër parlamentar. Shefi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, theksoi se vendi ka nevojë për reforma të vërteta, të cilat, sipas tij, nuk mund t’i realizojë qeveria aktuale.“Liderët europianë po marrin mesazhin se Greqia i mban premtimet e saj dhe merr përgjegjësitë që i takojnë. Qysh nesër mbetet të marrë përgjegjësinë e veta edhe pala tjetër”, theksoi pas votimit kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

Ministrat e financave të Eurozonës do të takohen të martën, më 24 maj, që të shqyrtojnë nëse Athina ka bërë aq sa duhet për t’u finalizuar inspektimi i parë i programit të tretë të shpëtimit. Nëse hapet drita jeshile, Greqia do të marrë një këst prej të paktën 5,7 miliardë euro. Nga ana tjetër, dhënia e notës pozitive Greqisë forcon shpresat e Athinës që të fillojë një diskutim për lehtësimin e mëtejshëm të borxhit publik grek.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.