Guvernatori ngre supet

Postuar në 21 Maj, 2016 12:12

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, në një intervistë për revistën "Monitor", konfirmon perspektivën e anemike të ekonomisë, nisur nga kërkesa e dobët e biznesit për t'u financuar dhe skepticizmin për të investuar në një vend si Shqipëria.
"Kredia e re e dhënë vetëm gjatë vitit 2015 për investime biznesi dhe për blerje apartamentesh banimi shkon afër nivelit 550 milionë euro, ose rreth 6% e PPB-së. Megjithatë, rritja e portofolit të kredisë shfaqet mjaft më e ulët, sepse ky portofol ka një afat maturimi relativisht të shkurtër.
Gjithsesi, duke dashur të nënvizoj se sistemi bankar mbetet aktiv në kreditim, nuk dua aspak të kundërshtoj faktin që rritja e kredisë është në nivel të ulët dhe larg niveleve ku do të donim të ishte.
Lidhur me arsyet, gjykimi ynë është se kjo ecuri reflekton si një kërkesë të ulët për kredi nga sektori real i ekonomisë, ashtu edhe një ofertë të shtrënguar kredie nga sektori bankar.
Kërkesa e ulët është natyrisht faktori i parë dhe më i rëndësishmi që shpjegon rritjen e ngadaltë të portofolit të kredisë. Kjo kërkesë ka një komponent racional, që lidhet me pozicionin ciklik të ekonomisë shqiptare dhe praninë e kapaciteteve të pashfrytëzuara të prodhimit, çka redukton nevojën e investimeve për zgjerim aktiviteti, por edhe një komponent emotiv që lidhet me rritjen e pritur dhe perceptimin e rrezikut për të ardhmen. Paralelisht me to, gjej me vend të theksoj se gjatë dy viteve të fundit kjo kërkesë ka tentuar natyrshëm të jetë disi më e ulët, për arsye të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura nga sektori publik. Këto shlyerje përfaqësuan një injektim likuiditeti prej 54 miliardë lekësh për biznesin shqiptar, duke ulur nevojën e tyre për kredi bankare"- deklaroi kreu i Bankës Qëndrore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.