Nuk ka asnjë marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Gjykatës së Strasburgut për çështjen e pronave

Postuar në 19 Maj, 2016 20:06

"Vonesa e hyrjs së ligjit në fuqi i dha Shqipërisë edhe një faturë shtesë me gjyqe që vazhduan dhe faktikisht sot ligji funksionon. Dhe për shkak se ligji funksionon nuk ka vendime të reja të Gjykatës së Strasburgut". Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në seancën plenare të datës 12 maj 2016, kur foli për çështjen e pronave. Televizioni "Top-Channel" e raportoi këtë deklaratë si arritje të një pakti të qeverisë me Gjykatën e Strasburgut për të pezulluar shqyrtimin e padive të reja të pronarëve kundër shtetit shqiptar.

Por a është vërtet kështu?

Së pari duhet të sjellim në kujtesë një fakt që ka rëndësi: kjo nuk është përpjekja e parë e qeverisë aktuale për të ndaluar veprimin e Gjykatës së Strasburgut në shqyrtimin dhe vendimmarrjen e vet për pronat në Shqipëri. Duke qenë se ky problem ka një faturë shumë të lartë për financat, aq sa edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar si rrezik ndër kryesorët, qeveria tentoi njëherë edhe në vitin 2014 të merrte konçesione nga Gjykata. Por nuk ja doli dot. Këtu:http://www.respublica.al/content/strasburgu-refuzon-k%C3%ABrkes%C3%ABn-p%C3%ABr-ngrirjen-e-dosjeve-t%C3%AB-ish-pronar%C3%ABve-d%C3%ABmshp%C3%ABrblimi-500-mln, mund të lexohet se për të arritur këtë objektiv, qeveria aktuale vuri në lëvizje edhe Avokaturën e Shtetit.

"Avokatura e Shtetit, që ka përfaqësuar qeverinë pranë Gjykatës së Strasburgut bëjnë të ditur se kërkesa e paraqitur për një shtyrje të dytë të marrjes në shqyrtim të morisë së dosjeve të ish-pronarëve është refuzuar nga ky institucion. Në 15 korrik pritej një vendim për këtë çështje, por asnjë i tillë nuk është marrë deri tani, rrjedhimisht dosjet mbeten në shqyrtim", raportohej në vitin 2014.

Ky pasazh ka rëndësi pasi po të dëgjohet me vëmendje fjala e kryeministirt në seancën e kaluar, pretendimi për pezullim të shqyrtimit të padive nga Gjykata e Strasburgut lidhet me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të pronave, pas rrëzimit që Gjykata Kushetuese i bëri ankimit të Presidentit të Republikës. Në të vërtetë nuk ngjan të jetë kështu: përpjekja e qeverisë në vitin 2014 provon të kundërtën, po aq sa fakti se ligji i ri është një rregullator që nuk prevalon asnjëherë ndaj të drejtës ndërkombëtare ku bazon veprimtarinë e vet Gjykata e Strasburgut.

Deklarata e kryeministrit shqiptar, pasoi një vizitë në Strasburg të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani dhe atij të Financave, Arben Ahmetaj. Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje thuhet: "Ministri Manjani u shpreh se “...ka nevojë të kemi një bashkëpunim nga Gjykata, duke marrë në konsideratë faktin se tashmë ka një Ligj që ofron mekanizmin e munguar për trajtimin e kësaj çështjeje në Shqipëri. Në këtë kontekst u kërkua që në bazë të artikullit 38.1 të Statutit të Gjykatës, të pezullohet shqyrtimi i mëtejshëm i çështjeve në pritje në këtë gjykatë"(http://www.drejtesia.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrat-manjani-dhe-ahme...).

Pra thjesht është bërë një kërkesë në adresë të Gjykatës që të marrë në konsideratë përpjekjet e qeverisë shqiptare. "ResPublica" u interesua dhe kërkoi informacion nga autoritetet shqiptare për këtë çështje, por nuk mori përgjigje, as nga kryeministria, as nga Agjencia e Pronave dhe as nga Ministria e Drejtësisë. Në rrugë private, burime nga Ministria e Drejtësisë deklaruan se nuk ka një marrëveshje, pavarësisht se është kërkuar një e tillë.

Ndërkohë kërkesës për informacion, Zyra e Shtypit e Gjykatës së Strasburgut, i dha këtë përgjigje: "...do të jetë Dhoma ajo që do të shqyrtojë kërkesën e autoriteteve shqiptare lidhur me fazat proceduriale në rastet që janë pezull në këtë gjykatë".

Pra kërkesa është depozituar, por Gjykata është në të drejtën e vet, të pavarur që të vlerësojë se çfarë do të bëjë për paditë që janë aktualisht në proces. Nisur nga kjo përgjigje është e logjikshme të pyetet: pse thuhet se hyrja e ligjit të ri në veprim, ka sjellë mosshqyrtim të padive të reja?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.