Ana e errët e demokratizimit të moralit

Postuar në 19 Maj, 2016 14:44
Gilman Bakalli

Në fillim lajmi i mirë. Kush janë të parët në garën e artikulimit publik, kur problemet që shtrohen rrezikojnë të relativizojnë themelet e ngrehinës morale të shoqërisë shqiptare? Cilët janë personat e kalibruar tashmë për t’iu kushtuar vëmendje pa pushim çështjeve të orientimit seksual apo të modelit familjar? Klerikët fetarë? Jo! Nuk janë as Dom Gjergj Meta i dioqezës së Durrësit e as Skënder Bruçaj i komunitetit mysliman. Janë intelektualët e rinj klerikë! Por le t’i marrim gjërat me radhë.

Si në shumë vende të Europës, edhe në Shqipëri, institucionet fetare janë tashmë periferike sa i takon mbulimit mediatik që iu bëhet çështjeve që lidhen me etikën e familjes dhe atë seksuale. Deklaratat e tyre rreth çështjeve në fjalë janë të kujdesshme, jo dhe aq kategorike, në disa raste gati-gati si reflekse të automatizuara, që ngjasojnë me urimet e politikanëve me rastin e festave fetare. Çdo prononcim i tyre rreth këtyre çështjeve thjesht konfirmon pozicione e qëndrime plotësisht të parashikueshme, gjëra që diheshin prej kohësh të largëta. Dhe si të tilla nuk habisin askënd, sepse, edhe kur artikulohen publikisht, konsumohen kryesisht nga një komunitet besnik, i pandryshueshëm në qëndrimet e tij morale. Gjërat kanë ndryshuar edhe në lidhje me konceptimin e moralit si sistem akohor, i përjetshëm e imun ndaj ndryshimit. Dikur konglomerat parimesh të ngurtësuara që ushqeheshin kryesisht nga tradita dhe jo rrethanat e reja të bashkëjetesës njerëzore, edhe prej moralit pritet “t’i përshtatet frymës së kohës”. Statusi i tij totalitar e integral duket se është shkërmoqur. Nuk ka më një moral, por ka perspektiva morali. Që të pranohet, moralit sot i duhet t’iu përshtatet nevojave të shoqërisë, përndryshe konsiderohet i dalë mode dhe çnjerëzor. Qysh se njeriu ka ekzistuar si i tillë, detyra e moralit ishte kufizimi i veprimtarisë njerëzore, veçanërisht kanalizimi i instinkteve të tij, në shina të ngushta. Të bëje jetë morale nënkuptonte një jetë sakrificash e vetëmohimi. Kurse sot, që morali të pranohet nga njeriu, ai duhet të jetë “i kohës” dhe të mos përjetohet si ndalesë e kufizim. Përkundrazi, sot morali është kthyer në një lloj legjitimimi normativ të preferencave vetjake. Në mënyrë që morali legjitim të mos jetë në kundërshtim me mënyrën e jetesës së secilit, atij i duhet të heqë dorë nga një premisë tjetër e stërlashtë: ideja se njeriu është mëkatar. Para qindra vjetësh, modeli i një jete të moralshme ishte ekskluzivitet shenjtorësh. Kurse sot, një jetë e moralshme, është e mundshme (ndoshta edhe e mundimshme) për gjithsecilin prej nesh. Morali është demokratizuar. Ky shekullarizim i jetës së moralshme ka bërë që e përditshmja të jetë sakralja. Sakralja nënkupton të drejtën e gjithsecilit prej nesh për ta jetuar jetën siç e mendon dhe pretendimin e gjithsecilit prej nesh për ta konsideruar këtë të drejtë si diçka të paprekshme dhe të shenjtë. Kjo sjell atë që mund ta quajmë si teologjizim të banales. Çdo kritikë ndaj zgjedhjeve individuale në jetë konsiderohet si sakrilegj, dhe si e tillë nuk duhet lejuar, bile ndëshkuar. Ky “teologjizim” i së përditshmes sjell me vete tribunalizimin e saj. E përditshmja para gjyqit moral! Gjyqit moral të kujt? Tashmë jo të klerikëve të institucioneve fetare, por të një kategorie hibride që sharton intelektualin e ri, me një vokacion të fortë fetar. Kjo shartesë i ka dhënë jetë intelektualit klerik.

Intelektualët klerikë janë të parët, shqisat e të cilëve kapin çdo ndryshim, apo tentativë për ndryshim, në modelet tradicionale që rregullojnë sjelljet e ndryshme morale, të parët që gjuajnë nga frëngjia e kullës shekullore të moralit cilindo person, grupim social apo nen të ndonjë projektligji që rrezikon ta prekë sadopak traditën. Diskursi i tyre është diskurs moral, në thelb luftarak edhe pse argumentativ në formë; retorika e tyre është një retorikë moraliste penetruese, e cila fokusohet te dallimi midis së mirës dhe së keqes; mbartësit e kësaj retorike janë vazhdimisht të zemëruar, të indinjuar, të turpëruar, të fyer nga E Ndryshmja, të cilën e gjurmojnë me ngulm dhe mundohen ta delegjitimojnë, duke thirrur nën armë, përveç doktrinës fetare, edhe një karroceri shkencëtarësh konservatorë nga mbarë bota.

Ky është lajmi i keq pra. Sepse, në këtë mënyrë, kemi arritur sërish në fillimin e historisë. Pluralizimi i moralit, d.m.th. tendenca për ta çliruar individin nga institucionet tradicionale të moralit dhe normave të tyre shtypëse, kanë çuar në krijimin e një sistemi moral po aq të ngurtë e hipokrit. Rojtarët e paepur të këtij sistemi nuk janë edhe aq klerikët tradicionalë fetarë, por intelektualët e rinj klerikë. Ana e errët e demokratizimit të moralit.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.