Rasti Balili, fillimi i fundit për qeverinë Rama ka nisur

Postuar në 18 Maj, 2016 11:48

Implikimi i një zyrtari shtetëror në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe gjithçka pasoi me mosarrestimin dhe zhdukjen e tij, ekspozon turpshëm qeverinë shqiptare përpara partnerëve ndërkombëtarë dhe kompromenton rëndë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Faktet që dolën në dritë falë hetimit të policisë greke dhe DEA-s amerikane lidhin keq të ardhmen politike të udhëheqjes aktuale që përballë çdo argumenti ka të dokumentuar implikimin e strukturave të saj në rrjetet kriminale të drogës. Reagimi i europianëve dhe amerikanëve do të shihet në ditët në vijim, por sinjalet e para janë dhënë qoftë edhe mediatikisht. "CNN Greek" nuk ka nguruar ta theksojë vazhdimisht se Klement Balili ka patur lidhje të forta politike dhe mbështetje shtetërore në aktivitetin që kryente. Izolimi i qeverisë Rama-Meta është i paevitueshëm, pasi europianët nuk mund të negociojnë me udhëheqësit e një qeverie nga zyrat e së cilës drejtohej trafiku ndërkombëtar i drogës.

Në këtë kontekst edhe nëse nga Brukseli do kishte një predispozitë për të bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh për t'i dhënë dritën jeshile Shqipërisë në hapjen e negociatave, me daljen e fakteve që implikojnë drejtëpërdrejtë qeverinë Rama në trafikun ndërkombëtar të drogës, nuk ka shanse që Shqipërisë t'i jepet në vjeshtë hapja e negociatave. Çdo mit i ngritur mbi luftën pa kompromis të qeverisë ndaj krimit e korrupsioni dhe liderit që po heq Shqipërinë nga harta e drogës ka rënë bashkë me reputacionin e tij në anekset apo korridoret e Brukselit, ku iu dha mundësia të hapte edhe ndonjë ekspozitë pikture.

Për kryeministrin dhe bashkëkryetarin e Aleancës Për Shqipërinë Europiane ka vetëm një rrugë, ndërgjegjësimi për fillimin e fundit. Në bazë të Ligjit Antimafia, Klement Balilit dhe të afërmve të tij duhet t'i sekuestrohen të gjitha pasuritë e krijuara me para të pista. Balili përveçse ishte aktiv në politikë, ka lidhje të familjare të ngushta me kryetarin e bashkisë së Delvinës, kandidat i Aleancës Për Shqipërinë Europiane, fushata e të cilit ka patur mbështetjen e fuqishme financiare të Klement Balilit. Nëse vërtetohet që fushata politike e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë të financuara nga këto para, atëherë bie jo vetëm morali për të qëndruar në politikë, por edhe refuzimi për të dhënë shpjegime publikisht dhe institucionalisht për lidhjet e të dyve me botën e krimit. Edhe sikur partitë e të dyve të mos jenë financuar nga paratë e Balilit, mosveprimi dhe emërimi i kokës së trafikut të drogës si menaxher i punëve të qeverisë në jug të vendit kompromenton rëndë kontratën politike të Edi Ramës dhe Ilir Metës me publikun. Një ndarje mes të dyve mund të ishte një dritare shpëtimi, por vetëm për konsum të brendshëm. Në planin e jashtëm të dy janë djegur tashmë. Fillimi i fundit ka nisur..

Comments

Submitted by I Vemendshmi (not verified) on

Po kjo dihej me kohe, duheshin vetem faktet, sepse si mundet nje drogaxhi si Edvin Rama (ne Amerike keta tipa i quajne "junky") te zhdukte Shqiperine nga harta e droges? Po kjo ishte loje, sic do te thoshte i ndjeri Ndrek Luca.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.