Klementi i fundos të gjithë. Tahiri: Llalla nuk më la ta arrestoj

Postuar në 17 Maj, 2016 10:27

I gjithë shteti është i eskspozuar ndaj rastit flagrant të mosarrestimit të Klemend Balilit, zyrtarit të LSI-së që nga zyrat e Drejtorisë së Transporteve drejtonte trafikun ndërkombëtar të drogës. Implikimi i strukturave ligjzbatuese nuk është vetëm në faktin pse Balili nuk u arrestua apo ndalua, por edhe sepse ai u la i lirë të arratisej. Publikisht ministri i Brendshëm pohoi në emisionin Top Story se për arrestimin e Balilit u bë pengesë Prokuroria. “Policia i ka bërë në datë 7 apo 8 maj disa kërkesa prokurorisë për ta arrestuar, por ata kanë refuzuar sepse nuk kishin asnjë të dhënë për këtë person. Ne nuk kishim asnjë arsye të arrestonim një njeri vetëm se për të shkruan media. Kanë kaluar 10 ditë që atëherë dhe ne nuk kishim mundësi ta mbanim nën vëzhgim një person kishte një potencial të lartë të largohej. Nëse ju mendoni se ne kishim nevojë ta ndihmonim ne e kishim ndihmuar më përpara. Deri para se të hyja në studio nuk ka një mandat-arresti. Nuk mund të arrestohet dikush vetëm flet media”-deklaroi Tahiri. Ministri duhet vlerësuar për transparencën që po tregon në lidhje me vullnetin e Prokurorisë për të luftuar krimin, por përgjegjësia e tij është në mosmbajtjen në vëzhgim të Balilit, kur policia greke e shpalli publikisht si kapon e organizatës kriminale. Nëse ministri e dëgjoi për herë të parë emrin e Balilit nga mediat, atëherë diskutimi merr një rrjedhë tjetër. Por nuk rezulton të jetë kështu. Policia shqiptare ka qenë në dijeni të këtij hetimit nga pala greke dhe DIA amerikane, ndonëse nga partnerët u la jashtë operacionit. Pyetja që lind është se çfarë e pengoi policinë të mbante nën vëzhgim Balilin dhe të mos lejonte arratisjen e tij? Nga ana tjetër veprimet e prokurorisë kanë ngritur shumë hije dyshimi mbi rolin e saj në këtë çështje. Ministri e akuzoi publikisht Llallën, por si mazhoranca dhe opozita deri më tani nuk kanë shprehur ndonjë vullnet për të ngritur një hetim parlamentar mbi këtë çështje. Emri i Klement Balilit implikon segmente të larta të pushtetit dhe kësisoj arrestimi i tij mund të ishte me pasoja politike dhe juridike për të mëdhenjtë e politikës. Por edhe pa u arrestuar, Balili i ka bërë pis, pasi shumë segmente të politikës kanë ngjyer gishtin në tasin e bollëkut të drogës. Që nga kreu u kuvendit Ilir Meta, i cili mori pjesë në imagurimin e hotelit "Santa Quaranta" në pronësi të Balilit dhe shumë të tjerë të pranishëm që duartrokitën këtë investim, si ministri Arben Ahmetaj apo deputeti Koço Kokëdhima. Përveç kësaj, Balili ka qenë pjesë e strukturave të LSI-së dhe financues i saj dhe pavarësisht portalit të transparencës në faqen zyrtare të LSI-së angazhimi i tij politik lë shumë dyshime për burimin e sponsorizimit. Një i afërm i Balilit është kryetar Bashkie në Delvinë dhe hetimit nuk duhet t'i shpëtojë edhe transparenca e financimit të fushatës për zgjedhjen e tij, ku u valëvitëm flamujtë e LSI-së, PS-së dhe partive të tjera. Edi Rama dhe Ilir Meta kanë qenë pjesë e kësaj fushate dhe nëse vërtetohet se burim i financimit kanë qenë paratë e drogës, atëherë pushteti i "Aleancës për Shqipërinë Europiane" kompromentohet rëndë dhe duhet të ndryshojë emërtim sipas kritereve që përmbush.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.