Pse nuk duhet të ndërtohet HEC-i në Poçem

Postuar në 15 Maj, 2016 22:56
Sazan Guri

Shqipëria, një vend ku 70% e territorit është mal, dhe ajo që ngelet është kodra, tokë e rrëshqitur, tokë nën erozion. Ajo që mbetet është tokë urbane. Në total, vendit tonë i  ngelet 10%  tokë buke, gjysma e së cilës po gllabërohet nga biznesomania e HEC-eve. Në këtë vorbull është futur HEC-i i Poçemit, që para se të prodhojë energji, do të nxjerrë nga faqja e dhèut, dhèun historik të trevës Kut, Çorrush, etj. Por, a ka nevojë Shqipëria apo mallakastrioti për HEC-in në Poçem? Aspak. Le të fillojmë.



Na u tha se Shqipëria vuan humbjet e mëdha në rrjet për shkak të vjedhjeve dhe largësisë nga HEC-et e Drinit. Po tashmë që ndërtuan linjat e interkonjeksionit, pse vuajmë ende? Po tashmë që kemi një institucion që rikuperon humbjet-vjedhje me mekanizmat e propaganduara. Po tashmë që dimë se 76% e sistemeve ujore të lumit që kalon në Poçem (Vjosë) rrëmbehet në burim nga shteti fqinj. Po tashmë që kemi një HEC të lënë në pjesën më lart Poçemit, siç është Kalivaçi i pakallur. Po tashmë që i ngritëm tre HEC-e në Langaricë, ku sakrifikuam zonë të mbrojtur, të kaluarën, zanafillë të njeriut parak (nëpër shpella) shqiptarë dhe europian.



Atëherë, nëse ne marim 76% të ujit të grabitur në burim, nëse ne rehabilitojmë vjedhjet në rrjet, nëse kemi forcuar linjën e interkonjuksionit me 400 kV apo dhjetëra linja me 220kV, apo qindra nënstacione të rinj apo mijëra ushqyesa (feeder), nëse do të marim energji nga tre HEC-et në Lengaricë, nëse do të marrim energji  prej 40MW nga Kalivaçi, a më thoni dot ju të dashur politikanë dhe vendimmarrës, pse na duhet HEC-i në Poçem? A na thoni dot pse kjo babëzi, aq sa edhe lartësinë e digës prej 23 metra e parashikuar më parë, sot e kërkoni 28 metra, që do të thotë mijëra hektarë më shumë tokë me frut e mbytur apo që ikën kot. Kuptojmë që HEC-et në Vjosë mund të ndërtohen në rrjedhjen e sipërme të saj, duke filluar nga Ḉarshova deri në Kalivaç që s'janë pak, por mbi 12-13 HEC-e që sigurojnë një energji të tërë së bashku deri në Kalivaç përmbi 350MW. Na detyruat të pranonim HEC-et në Lengaricë, se gjoja kishin filluar punimet dhe nuk ka kthim prapa. Po tani që nuk ka asnjë metër kub punim, çfarë kini që nuk dëgjoni edhe kur jeni gabim? Përse duhet menduar, duke filluar nga Poçemi dhe në drejtim të rrjedhjes poshtë të lumit Vjosë, edhe për 12 HEC-e të tjera, duke bërë që të përmbyten me mijëra hektarë fushë buke të bonitetit të kategorisë së parë? Si mund të ndërtohet një rezervuar gjigant në Poçem, ku shtresa zhavorore që ushqen ujin e Vjosës apo që mund të thithë ujin e rezervuarit të Poçemit është mbi 45 metra e trashë, që do sjellë kufinjtë e pamundësisë së shpenzimeve për perdëzimin e tabanit të shtresës ujore të rezervuarit.



Po kujt i duhet kjo energji? Sot, në kushte tregu dhe globalizimi, energjia blihet në bursë. Prodhon apo s’prodhon banane ky vend, nuk rri pa patur banane, apo nuk rri pa i gjetur e siguruar ato për qytetatët e vet. Kështu është edhe energjia që mund ta blesh kudo e mund ta shesës kudo. Nuk është se, meqenëse e prodhojmë vetë, edhe do të përfitojmë në uljet e kostove të çmimit të saj. A përfitoi populli shqiptar pse naftë dhe kromin e prodhon në tokën e vet nga kompanitë koncensionare vendase apo të huaja. Përkundrazi, i blen këto produkte më shtrenjtë se shtetet e tjera. E kuptoni apo jo, o popull? Ku i vetmi përfitim është një taksë minerare, pothuajse qesharake, me ç'ka ofrojmë si burime natyrore apo me dëme që sjellin në mjedis apo në shëndetin e qytetarëve. Kështu është edhe energjia që do të prodhohet nga HEC-i në Poçem e ato poshtë tij, ku për pesë të punësuar që kërkon një HEC do të zhduken tokat e bukës, jetesa e mijëra njerëzve, historia mijëra vjeçare e kësaj zone, dhe për çfarë? T’ju japësh energji alternative apo të diversifikuar shteteve përreth. Dhe e dini pse? Sepse shtetet fqinje, si Italia dhe Greqia, kanë lidhur me shtetin shqiptar një kontratë për prodhim energjie të gjelbërt (green energy), që të kompensojnë energjinë e tyre të kafe të prodhuar në vendet përkatëse (brown energy), ku për këtë lloj kontrate, ata marrin burime financiare pa fund nga KE. Pra, ata të jenë në rregull me lumenjtë e tyre, ndërsa lumenjtë tanë dinamikë të kthehen në ujëra statikë, dhe kur? Në një kohë që SHBA kanë mbyllur deri më sot më shumë se 1000 diga. Ndaj dhe themi se dikur na pushtonin me ushtarë, sot na kolonizojnë me tregtarë. Ndaj ne duhet t’iu përgjigjemi, si dikur me ushta e ushtarë, veçse me ndryshimin, sot, me ligje e dijetarë.



S’na ngelet gjë tjetër, veçse të themi të dashur qytetarë, se dikur të pushtuar ushtarakisht, sot të pushtuar ekonomikisht. Dikur nga marrëzia e të tjerëve, sot nga marrëzia e vetvetes. Ndaj është e pafalshme të dorëzosh tokat e bukës, apo të heqësh dritën e syve të tu e të çosh dritë për energji e fitim të tjerëve. Në fund të fundit nuk është vepër publike, por një biznes, ku fiton kompania dhe disa të fortë të vendit. Ndaj do të bënim thirrje që lumi i Vjosës të shpallet zonë e mbrojtur e kategorisë së III-të, Monument Natyror.

"Shekulli"

Comments

Submitted by arnaut (not verified) on

Dakort me konkluzionin e Gurit, por gjuha e tij eshte paksa hutuese dhe sikur ne vend ta qartesoje situaten e turbullon ate...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.