Morali i Shukriut dhe njollat e partisë

Postuar në 14 Maj, 2016 17:52

Partia Socialiste kërkon ta përjashtojë veten nga përgjegjësia për aferën seksualë të bashkiakut të Dibrës dhe këtë detyrë ua ka ngarkuar emisarëve të saj, që në gjuhën politike njihen si kordinarorë. Dhe kjo barrë e madhe për t’i hequr partisë njollën e Shukriut i ra ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri,  i cili tha në Dibër një frazë të nxjerrë nga arkivat partiake të realizimit socialist. “Janë veprime që nuk përfaqësojnë moralin e Partisë Socialiste. PS është e fortë dhe patjetër do ta kalojë edhe këtë ngjarje. Është shumë me rëndësi të ndahet çështja e individit Shukri nga Partia Socialiste, ajo parti e cila e fitoi bashkinë për shkak të mbështetjes së të gjithë dibranëve. Qeveria shqiptare do ti qëndrojë pranë dibranëve për të gjitha projektet e rëndësishme që ne kemi filluar”, u tha Gjiknuri banorëve. E vështirë të kuptohet si partia do u ngrejë moralin e rënë përtokë dibranëve socialistë. Dhe këtë do ta bëjë  një ministër që është kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për një dëm të madh ekonomik që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit nga marrëveshja e mirëkuptimit me CEZ. Në rastin e Shukriut dëmi për partinë konsiderohet moral dhe autokritika mund të vlejë qoftë edhe formalisht, ndërsa për krimet financiare s’ka apologji që të justifikojë vjedhjet përmes tenderave. Nëse Shukriu e futi dorën në cicat e vartëses së saj, Damiani me shokë akuzohet se ka futur duart në xhepat tona dhe katarsisi për t’u distancuar nga Shukriu u ngjan fletërrufeve të kohës së socializmit. Pushteti dhe seksi apo pushteti dhe paraja janë binome që flirtojnë me njëra tjetrën dhe morali ndaj sjelljeve të Shukriut nuk mund të heqë njollën që Partia Socialiste ka si forcë politike në raport me demokratizimin e vendit apo përvetësimin e pasurisë publike. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.