Debati në grupin e PD, pro dhe kundër reformës së ambasadorëve

Postuar në 10 Maj, 2016 10:24

Zbardhja e diskutimeve në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka qartësuar disi edhe pozicionin që partia më e madhe e opozitës ka për reformën në drejtësi. Në PD ka një debat të brendshëm për cilësinë e draftit të ndërkombëtarëve që ndoshta reflekton edhe skepticizmin e ish-ministrave për qëllimin e vërtetë të reformës. Ndaj shumë prej tyre janë shprehur kundër draftit dhe pranisë së ambasadorëve Vllahutin e Donald Lu në mbledhjet e grupeve parlamentare.

Lulzim Basha:  Qëllimi i mbledhjes së sotme është prezantimi i platformës për reformën zgjedhore, të cilën PD-ja do ta paraqesë në Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore dhe gjithashtu për t’ju informuar se ditën e mërkurë, në orën 10:00, ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë shprehur dëshirën të marrin pjesë në një mbledhje të Grupit tonë Parlamentar.

Jozefina Topalli: Kryetar, unë jam kundër pjesëmarrjes së ambasadorëve në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së. Për mua personalisht pjesëmarrja e ambasadorëve në Grup shkel sovranitetin e kësaj force dhe dikton votën tonë në komision. Unë, sigurisht, që jam për Reformën në Drejtësi, por s’jam kurrë për Reformën e Drejtësisë për ta votuar, pa e parë, pa e lexuar dhe pa e studiuar. Është momenti që secili prej nesh të bëjë zgjidhjen përfundimtare, në mënyrë që të mos shkojmë te 2013-a, të mos shkojmë te ‘44-a dhe të mos qëndrojmë te 2016-a.

Arben Imami:  Edhe unë jam kundër pjesëmarrjes së diplomatëve të huaj në mbledhjet e Grupit Parlamentar. Është e paprecedentë. Kam parë draftin e propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Në gjykimin tim dhe në njohuritë që kam si ish-ministër Drejtësie, kam vërejtur se është një draft i shkruar nga njerëz të paaftë, nga njerëz që nuk kanë shkruar kurrë në jetën e tyre një Kushtetutë. Patjetër që ndaj respektin maksimal për kontributin dhe ndihmën e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, por në vlerat e tyre, në lirinë e tyre. Vendi ka nevojë për një reformë të saktë për sistemin e drejtësisë. Ky draft, me ndryshime kushtetuese që është propozuar, është i sakatuar. Kam lexuar me kujdes atë nenin famoz, nenin 25, që ngjalli aq shumë debate. Nuk është normale, ne na pandehin si kriminelë. Duan të hapen letrat, patjetër le të hapen dhe jo vetëm për 3 vjet, por për 300 vjet. Nuk është hera e parë që kërkohet dhe bëhen përpjekje për reformimin e sistemit të drejtësisë. Kemi pasur gjithmonë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, por asnjëherë nuk na është imponuar apo diktuar një produkt. Pse u dashka që të pranojmë një draft që e kanë bërë vërtet ekspertë të SHBA-ve e BE-së, por pa përvojën e duhur? Pse nuk hetohet Saimir Tahiri, që pranoi publikisht se makinën në pronësi të tij e përdorin baronët e drogës? Po flasim për gjëra konkrete, për gjëra të pranuara vetë nga ky ministër.

Genc Ruli: Edhe në gjykimin tim, kjo pjesëmarrje e ambasadorëve është diçka që nuk ka ndodhur. Është një procedurë e paprovuar më parë. Unë kam qenë dhe mbetem mbështetës i idesë se Partia Demokratike duhet të ketë një draft të sajin për Reformën në Drejtësi. Është e pazakontë kjo vizitë e ambasadorëve nga njëri grup në tjetrin. Nuk ndodh në asnjë vend tjetër.

Lulzim Basha:  Kjo reformë nuk do të votohet pa dakordësinë e çdo deputeti në Grupin Parlamentar të PDsë. Ndërkohë sa i takon pranisë së ambasadorëve, nuk shoh asgjë shqetësuese, për aq kohë sa takimi është konsultues dhe informues.

Eduard Selami:  Unë nuk shoh ndonjë problem kaq shqetësues në praninë e ambasadorëve në një nga mbledhjet e Grupit parlamentar. Është një praktikë që, pavarësisht se nuk ka ndodhur më parë, është në funksion të informimit dhe konsultimit të plotë të Reformës në Drejtësi. Unë dua të ngre një shqetësim të brendshëm për funksionimin e kësaj force politike. Është dhënë një urdhër për degë të caktuara në të gjithë vendin për zhvillimin e zgjedhjeve në kuadër të riorganizimit. Dua të di cilat kanë qenë kriteret përzgjedhëse të degëve, në të cilat do të ketë zgjedhje? A ka qenë demokratik ky proces? A jeni konsultuar ju me bazën për këto vendime? Në gjykimin tim, është vendosur të ketë zgjedhje në ato degë, në të cilat kërkohet të ketë influenca nga kjo seli, por nuk mund të anulohen procese dhe nuk mund të hiqen individë që janë zgjedhur me votë.</p>

Sali Berisha:  Është e vërtetë që, në një vend normal, ambasadorët nuk shkojnë në mbledhjet e Grupit, por ky nuk është një vend normal. Ndaj edhe gjykoj se nuk duhet parë me ndonjë shqetësim të madh. Ky është vend i “Shullazëve” që kanë kapur çdo gjë. Ndaj edhe ambasadorët kanë kërkuar një takim ku çdokush mund të jetë pjesëmarrës, të dëgjojë, të bëjë pyetje. Kam thënë prej shumë kohësh që duhet të kemi një draft. Menjëherë pasi “Venecia” rrëzoi draftet e tyre, atëherë ne duhet të paraqisnim draftin tonë. Kam kërkuar për draftin aktual të di se mbi çfarë modeli është bazuar, ku është marrë dhe deri më sot nuk kam marrë ndonjë përgjigje. Ne nuk kemi pse të pranojmë një draft që nuk ekziston gjëkundi. Gjithashtu, duhet të bëjmë një pasqyrim më agresiv në media, pasi na i shtrembërojnë ato që themi ne. Për aq kohë sa të jetë Rama në këtë vend, nuk ka zgjedhje. Nuk ka zgjedhje pa rrëzuar Edi Ramën.

Astrit Patozi:  Edhe unë personalisht jam kundër pjesëmarrjes së ambasadorëve në mbledhjet e Grupit, por është diçka që duhej pranuar. Këto takime të ambasadorëve janë pasqyrë e katandisjes ku ndodhet vendi. Nuk më pëlqen që ata të vijnë në mbledhje, dhe për këtë ne jemi më pak përgjegjës se maxhoranca. Nëse për ne është e hidhur kjo gjë, për Ramën dhe Metën është turp i ngrënë me bukë. Për aq kohë sa këto mbledhje janë pranuar që të zhvillohen nga PS-ja dhe LSI-ja, refuzimi nga PD do të prodhonte një kosto të panevojshme për opozitën. Megjithatë, më shumë sesa Reforma në Drejtësi, unë gjykoj se duhet të investohemi në Reformën Zgjedhore. Reforma në Drejtësi është e pakrahasueshme me këtë reformë. Për ne si opozitë, zgjedhjet janë sfida jonë reale. Nëse do të shkojmë në zgjedhjet e vitit 2017 në të njëjtën mënyrë si në dy zgjedhjet e fundit, atëherë do të asgjësohemi. Në krye të kupolës është një grup që vetëm është mësuar me vjedhjen e votës, i cili do të shumëfishojë mandate, nëse nuk ndërhyhet me një Reformë Zgjedhore.

Edmond Spaho: Me këtë qeverisje nuk bëhen zgjedhje normale, por duhen zgjedhje me qeveri teknike. Krahas Reformës Zgjedhore, duhet edhe një trysni politike për të shtyrë vendin drejt krijimit të një qeverie teknike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.