Një klasë politike që ka sovranitet vetëm për të vjedhur*

Postuar në 05 Maj, 2016 23:55

Është totalisht e pazakonshme, për thirrjen nga ana e ambasadorëve të BE dhe SHBA…Që nga viti 1914 kur Fuqitë e Mëdha sollën një administrator se s’kishim mundësi të vetëorganizoheshim, ska pasur ditë më të turpshme për ne.

Por nëse në vitin 1914 s’kishim fuqi të ushtronim sovranitetin,  sot është shumë më keq se kaq, se klasa politike shqiptare s’do dhe po e saboton qëllimisht reformën në drejtësi. Ambasadorët kanë vendosur të mbledhin 3 grupet tona parlamentare për të përcaktuar jo vetëm punën, por edhe orarin e punës. Kanë vendosur ta mbledhin Parlamentin e Shqipërisë jashtë kësaj salle.

Disave kjo nuk u thotë asgjë, siç ka njerëz që në 100 vjet kanë qenë më qesharak se kaq. Nga kjo ditë ky parlament ka humbur legjimitetin e vet. Ndërkombëtarët s’po na lënë vetëm, megjithatë kjo mbështetje për reformën në drejtësi ka një çmim:  tallja dhe çmontim i këtij parlamenti, përçmimi i kësaj klase politike edhe në fund fare shfarrosja. Çmimi është ndëshkimi i klasës politike, shfarrosja si specie e kësaj klase politike. Nëse nuk e kuptoni duhet ta dini se jemi shumë afër shfarrosjes, proces që shqiptarët nuk e bënë me votë,  si seleksionohen speciet. Kjo do bëhet mes reformës në drejtësi.

Shumica e shqiptarëve do e aprovonin, se Shqipëria do jetë më mirë kur ne të ikim. Nëse pyesni shqiptarët ata janë dakord. Ne e meritojmë të tallemi dhe nëpërkëmbemi si po ndodh; shqiptarët kanë besim se klasa e tyre politike do ndëshkohet, pasi ka rezistuar për shumë kohë duke sabotuar drejtësinë.

Reforma në drejtësi ndoshta do kalojë, çka mund t’i japë shpresë shumicës së njerëzve se me ndihmën e partnerëve pronat nuk do të vidhen, deti nuk do të falet, stadiumet me majucë nuk do të ndërtohen më dhe se jeta mund të jetë pak më e drejtë dhe shumë më cilësore. Reforma në drejtësi nëse miratohet,  si mesa duket do të miratohet, mund të shërbejë për të ndalur shpopullimin e vendit dhe zbrazjen nga politikanët ç’ka ka ndodhur në 25 vjet.

Ndoshta, nëse Fuqitë e huaja, miqtë ndërkombëtarë do të marrin në dorë drejtësinë ka shumë shpresë që politika esadiste të shterojë. Ky parlament shumë shpesh ka qenë sadist, por çdo ditë ka qenë esadist, ka ecur në rrugën e Esat Toptanit dhe të jesh esadist do të thotë të jesh kundër interesit kombëtar, kundër interesit publik, kundër atyre që vuajnë, që s’marrin drejtësi, do të thotë të jesh kundër Shqipërisë.  Por si dëshmon historia, esadistët apo Esat Toptani, nuk përkulej nëse ndërkombëtarët nuk hynin në lojë siç po ndodh sot e ku parlamenti si besnik i parimeve esadiste po shënon fundin e vet.

E shihni ku e solli veten ky kuvend? Ambasadorët vijnë në grupet tona për të na bindur të bëjmë drejtësi. Kjo do të thotë se në sytë e shqiptarëve ne duket se nuk duam të bëjmë drejtësi.  Parlamenti nuk ka as fuqi,  as dinjitet,  as mundësi të bëjë atë që duhet e atë që pritet. Po tallemi dy herë si klasë politike: njëherë po tallemi nga ndërkombëtarët e herën e dytë nga shqiptarët.  Ky kuvend e ka konsumuar orën e fundit dhe ka ardhur koha të ikë në shtëpi.

Të tre grupet parlamentare duhet të skuqen, unë s’do doja të isha pjesë e asnjërit nga tre grupet, kjo klasë e meriton deri në fund këtë tallje. Mesa duket koha e sadistëve esadistë ka përfunduar.

*Fjala e deputetit Ben Blushi në Parlament/Titulli është i redaksisë

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.