Sikleti i një premtimi që vazhdon(pa fotot përkatëse)

Postuar në 05 Maj, 2016 16:34

Sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka dalë në një pronocim pë shtyp pas një aktiviteti të zhvilluar me rastin e inaugurimit të një kopështi në Tiranë, afër Fushës së Aviacionit. Duke folur me një fëmijë në krah, Veliaj, ka nisur fjalinë me premtimin për të gdhenur memorien e Tiranës dhe banorëve të saj: “Dua të theksoj që, ky vit do të mbahet mend si viti i fëmijëve në Tiranë”(http://vizionplus.al/veliaj-2016-do-jete-viti-i-femijeve/).

Me kalendarin e kujtesës sonë të përbashkët si paradhënie, Veliaj, ka folur për punët që po bën sipas tij Bashkia në rikonstruksionin e kopshteve. Tha kryetari i Bashkisë:  “Jo vetëm se do të mbarohen të gjitha kopshtet, por sepse do të mbarojmë këndin e lodrave te Liqeni, do të mbarojmë gjithashtu këndin e lodrave në të 11 njësitë urbane të Tiranës, aty ku dhe përqendrimi i fëmijëve është më i madh...Ne kemi premtuar që këtë vit do të rikonstruktojmë 23 kopshte të Tiranës, do i rehabilitojmë ato totalisht, do të heqim lagështirën, do të vendosim të gjitha mjetet higjeno-sanitare, do të ketë kënde lodrash në kopshte dhe kemi premtuar që fëmijët do t’i kemi prioritet në Bashkinë e Tiranës. Kjo është arsyeja pse vjet filluam me çerdhet dhe sivjet vazhdojmë me kopshtet”.

Mund të pyetet fare kollaj: pse kryetari i Bashkisë së Tiranës, tashmë në detyrë, rishfaqet në media, me një premtim, kur prej muajsh të tërë, ai na shërbehet nga media që i bëjnë hosana të përditshme, me shirita inaugurimi, apo me përballje të forta kundër “presidentit  që del kundër këndit të lojërave”? “Transformim rrugicash, ja fotot”,  “shndërrim qoshesh, ja fotot”, “mbjellje pemësh, ja fotot - këto janë lajmet e Bashkisë në media.

Një përgjigje mund të gjendet te gjysmë e vërteta që kryetari i Bashkisë u detyrua të pranojë sot kur thotë: “Ne kemi premtuar që këtë vit do të rikonstruktojmë 23 kopshte të Tiranës, do i rehabilitojmë ato totalisht, do të heqim lagështirën, do të vendosim të gjitha mjetet higjeno-sanitare...”. Pra kopshtet janë duke u rehabilituar dhe se do të përmbyllen të gjithë brenda vitit. Por si po vepron praktikisht Bashkia? Si po ecën ritmi i punimeve, a po vazhdojnë ato, a ka ndërprerje?

A po cenohet standardi i edukimit dhe mbajtjes së fëmijëve dhe po krijojnë këto ndërhyrje të Bashkisë vështirësi duke CENUAR CIKLIN ZYRTAR TË KOPSHTEVE?

Pra duhet të dimë a ka sot në Tiranë kopshte ku fëmijët , për shkak të punimeve, që ndoshta edhe janë ndërprerë pa asnjë shpjegim për stafin, mbahen aty me orar të kufizuar, apo në mjedise të papërshtatshme?  

Pyetja nuk është legjitime vetëm nga vështrimi i prindërve, por edhe nga fakti se praktika e ndjekur deri më tani e “transformimit me fotot përkatëse”, që përcillet pa doganën e kritikës së mediave të caktuara, mbulon probleme të mëdha. Këtu është një rast tjetër sesi operohet nga ky institucon: http://www.respublica.al/2015/09/04/nis-viti-shkollor-por-tri-shkolla-në-tiranë-janë-në-rikonstruksion-“emin-duraku”-do-bëjë.

Për më tepër që pyetja dokumentohet lehtë, madje “ME FOTOT DHE PAMJET PËRKATËSE” pasi në Tiranë ka shumë kopshte- 23 thotë kryetari – që kanë nevojë për ndërhyrje. Nuk kërkon askush që ta bëjë qimen tra, por nuk pse të pranojë askush që dështimet dhe paaftësinë menaxheriale të dikujt që na sanksionon sot se çfarë viti do të jetë ky, t’i gëlltisë në emër të kompromisit se “kështu e kanë këto punë”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.