Thikë Vjosës, qeveria vulos koncesionin e Poçemit. Fitojnë turqit pa konkurrencë

Postuar në 03 Maj, 2016 20:22
Gjergj Erebara

“Pa bujë dhe pa krenari, në një cep të faqes së vet të internetit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë shpalli rezultatin e tenderit për hidrocentralin e Poçemit, një nga koncesionet më të mëdha të dhëna në sektorin e energjisë elektrike përgjatë viteve të fundit.

“Komisioni i dhënies me koncesion për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin tek Autoriteti Kontraktor të hidrocentralit “Poçem” ka përmbyllur procedurën e garës duke shpallur fitues bashkimin e dy shoqërive turke “Ayen Enerji Anonim Şirketi” dhe “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm San Ve Tic Ltd.Şti”, thuhet në njoftimin e publikuar në seksionin ‘publikime te tjera’ të faqes në internet të Ministrisë së Energjisë.

“Në përfundim të vlerësimit, Komisioni klasifikoi Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm San Ve Tic Ltd.Şti” dhe “Ayen Enerji Anonim Şirketi”, si ofertë të vetme dhe e shpalli atë fituese të procedurës konkurruese”, vijon më tej njoftimi.

Hidrocentrali i Poçemit është një nga shumë hidrocentralet e projektuar gjatë kohës së komunizmit për t’u ndërtuar në kaskadën e Lumit Vjosa në Shqipërinë e Jugut. Qeveria aktuale i dha një bonus kompanisë turke si koncesion i pakërkuar, ndërsa kritikët argumentuan se dhënia e bonusit nuk justifikohet për shkak se projekti i hidrocentralit ekziston dhe se praktika e duhur është hapja e tenderit pa bonus për çfarëdolloj kompanie të interesuar. Ndërkohë, një grup ambjentalistësh kundërshtojnë dhënien e koncesionit me argumentin se Lumi Vjosa mbart vlera të mëdha mjedisore dhe mund të sjellë të ardhura përmes zhvillimit të turizmit. Qeveria shqiptare i është përgjigjur shqetësimeve të ambjentalistëve duke argumentuar se në Vjosë do të ndërtohen vetëm dy hidrocentrale, ai i Poçemit dhe ai i Kalivaçit ndërsa pjesa tjetër e kaskadës do të shpallet park kombëtar, ndonëse parku kombëtar nuk është shpallur ende.

Qeveria e hapi tenderin formalisht në muajin mars pasi e reklamoi mundësinë për pjesëmarrje edhe në median ndërkombëtare, por për shkak se kompania turke kishte marrë një bonus prej 8 pikësh, asnjë kompani tjetër nuk shprehu interes.

Hidrocentrali i Poçemit parashikohet të ketë fuqi të instaluar prej 99.5 MW, sipas propozimit të kompanisë koncesionmarrëse, dhe prodhim vjetor prej rreth 305 milionë kWh. Nëse do të ndërtohet, Poçemi do të bëhet hidrocentrali i dytë më i madh i dhënë me koncesion për nga niveli i prodhimit pas projektit të Devollit. Vlera tregtare e energjisë së prodhuar nga Poçemi mund të arrijë në 15 milionë euro në vit me një çmim prej 5 centësh për kËh. Sipas kompanisë turke që fitoi koncesionin, ndërtimi i këtij hidrocentrali do të kushtojë rreth 101 milionë euro, investim që me çmimet aktuale të energjisë elektrike në tregun privat mund të rikuperohet brenda 7-10 vjetësh nga 35 vjet që është kohëzgjatja e koncesionit”.

Ky shkrim është publikuar nga “BIRN”

PS: Ndërtimi i HEC-ve në Vjosë është kthyer në një problem ndërkombëtar, për ndikimin që pritet të kenë në mjedis. Disa herë janë bërë thirrje në media të huaja që Vjosa, zemra blu, e Europës, siç quhet, të mos përfshihet në projekte të ngjashme. Edh për Valbonën pati disa zëra kundër në Parlament para disa javësh, por duket se qeverinë aktuale nuk e kanë ndalur këto thirrje. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.