Shqipëria dhe Kosova, “shtete “që kanë probleme me Protokollin

Postuar në 02 Maj, 2016 11:35

Hashim Thaçi u zgjodh President i Kosovës dhe ky është tashmë një fakt i prodhuar nga institucionet e vendit. Ndonëse ceremonia në qendër të Prishtinës i ngjante një dasme të fortësh që pretendojnë se edhe kur marrin frymë ky është interes publik, sërish Thaçi është në mënyrë legjitime numri një i shtetit të ri në Ballkan. Po sa pranohet ky fakt nga pjesa tjetër? Shumë vështirë, madje aq sa sfidon rregullat normale protokollare.

Në një shkrim të vetin sot “Koha Ditore” shkruan se Protokolli i Ministrisë së Jashtme u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të vendosin portretin e Thaçit në zyra. “Në një porosi dërguar të gjitha institucioneve shtetërore, si dhe misioneve diplomatike dhe konsullore jashtë vendit, Protokolli i Shtetit ka bashkangjitur foton zyrtare të presidentit Thaçi, të cilit i referohet si “SHTZ Hashim Thaçi” (“Shkëlqesia e Tij Zotëri Hashim Thaçi”). Duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, Protokolli i Shtetit i përkujton të gjitha institucionet e vendit se me ligj janë të obliguara që këtë portret të presidentit Hashim Thaçi ta vendosin në zyrat e institucioneve, derisa bashkë me foton, ua ka dërguar institucioneve edhe “Rregulloren nr.19/2011 për kriteret e përzgjedhjes dhe vendosjes së fotografisë së presidentit të Republikës së Kosovës”, raporton KD.

Pra ka një ligj, ka një rregullore, ajo duhet zbatuar për të mos u konsideruar tribu. Ky është një rast tipik në politikën shqiptare, pasi edhe në Shqipëri, portreti i zyrave është bërë simbol i katundarisë mentale që karakterizon klasën politike. E cila voton vetë, i zgjedh vetë ata që drejtojnë, e mandej u mban mëri.

Zgjidhja e sugjeruar nga kryeministri Edi Rama për të vendosur në zyra portretin e Ismail Qemalit, si e si për të shmangur Bujar Nishanin, është edhe më tipike, pasi ajo është një zgjidhje që kalon nga fshehja dhe ikja nga një përgjegjësi që e rregullon Kushtetuta.

 Po kështu, rasti më i fundit është bojkoti që politika i bëri selisë qendrore të Kishës Orthodhokse me rastin e Pashkëve, me gjasë për të shmangur një takim me Kryepeshkopin Janullatos. Do të ishte shumë më e sinqertë që politika t’u sqaronte, me fjalë, jo me gjeste, qyetarëve, se përse shmang Kryepeshkopin, që është një person të cilin e njeh zyrtarisht. Le të kujtojmë për të gjithë se Janullatos ka marrë njësoj si klerikët e tjerë kryesorë në Shqipëri, dekoratën “Urdhri i Skënderbeut” nga ish-presidenti Bamir Topi. Janë akte që shteti shqiptar i ka bërë në vullnet të plotë. Nëse sot është penduar është mirë të shprehet, të heqë dekoratën dhe të bëjë të qartë për të gjithë, pasi askush nuk është këtu për të duartrokitur teatrin e kukullave të politikës. Kuptohet nëse këta që sot bojkotojnë e bëjnë këtë në vullnet të plotë e jo për t’i shkelur syrin ndonjë miku vërdallë Shqipërisë.

Por në çdo rast, për ata që e dinë dhe kanë informacion, asnjë prej këtyre çudive prej hajvanësh politikë, nuk ia kalon thagmave të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për të cilat mund të shkruheshin libra të tërë që do të mbanin me të qeshur një kontinent.

Comments

Submitted by Ndoc Dudasi (not verified) on

Shkrim i dobet.
Pa lidhje llogjike te tre paragrafet.
Me paragrafin e trete, nenkutohet sikur autori i shkrimit eshte zedhenes shtypi i Janullatosit.
Per t'u habitur u cuditur.
C'fare nuk degjon njeriu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.