Politika e Gjermanisë, kërcënim për Bashkimin Europian. A mund të marrë një rol të ri Italia?

Postuar në 29 Prill, 2016 01:00

Anatole Kaletsky, kolumnist i njohur i “Times”, “The Economist”, “Reuters” etj., si dhe autor i një libri me ndikim me titull: “Capitalism 4.0: Lindja e një Ekonomie të Re si Rezultat i Krizës”, trajton në një opinion të vetin në “Project Syndicate” temën e lidershipit në Europë. Kaletsky i bashkohet zërave kritikë ndaj politikave gjermane të Angela Merkel, që i cilëson “dogmatike dhe konservatore”, duke shkuar më tej në përfundimin se rendja pas kursit gjerman do të çojë drejt shkatërrimit të Europës. Dështimet e Merkelit, që pasojnë  politikat ekonomike të kabinetit të saj po japin simptoma edhe në politikën e Jashtmë, përfshirë tema të nxehta si marrëdhëniet me Turqinë, apo menaxhimi i Marrëveshjes së Minskut në Ukrainë.

 Pyetjes se kush është sot në gjendje të zëvendësojë Gjermaninë, Kaletsky i përgjigjet: Italia. Britania e Madhe ka përjashtuar veten, Franca është në amulli deri në zgjedhjet presidenciale vitin tjetër, Spanja nuk po krijon dot qeveri. Italia është e vetmja sipas tij që ofron sot stabilitet, vizion dhe po përpunon ide të reja edhe në fushën ekonomike. Shembull është edhe Mario Draghi, drejtor i Bankës Qendrore Europiane, i cili sipas autorit në fjalë, ka ditur që duke iu kundërvënë opinionit gjerman të aplikojë lehtësimin sasior duke “shpëtuar euron përmes anashkalimit të rregullave të Traktati të Mastrihtit kundër monetarizimit dhe në shpërndarjen e borxhit qeveritar”. Draghi ka ecur shpejt dhe ka përqafuar edhe ide si “Helicopter money”, e cila konsiston në shpërndarjen e parave të emetuara rishtas drejt rezidentëve. Sipas Kaletskyt, Draghi ka vepruar ndërkohë që sipas tij ideja gjermane është “Jo për gjithçka” kur vjen puna tek iniciativat që synojnë fuqizimin e Europës. Por autori në fjalë ka fjalë të mira edhe për kryeministrin italian, Matteo Renzi dhe ministrin e Financave të saj, Pier Carlo Padoan.  Ky i fundit ka vepruar në Itali me një efikasitet që është për t’u shënuar: ulje taksash pa hequr dorë nga shpenzimet publike. Më tej një seri projektesh Partneritet Publik Privat shihet si një mënyrë e mirë për të financuar bankat që janë në vështirësi. Gjithë pra, një Itali që ka iniciativë dhe pak imagjinatë, vënia në punë e të cilave ka sjellë rikthimin e optimizmit që pasqyrohet në rënien e partive populiste që në Europë po ngrenë krye.

Mund të duket si shumë optimist ky opinion i autorit në fjalë, nisur nga raportimet mediatike në Itali që paraqesin një panoramë më të zymtë.  Qasja italiane është me sa duket përgjigja më e mirë për të neutralizuar qëndrimin gjerman, i cili po shikohet si problemi kryesor i Europës dhe të ardhmes së saj. Nëse ky vështrim do të sjellë Italinë në krye të reformës së BE-së dhe në krye të punëve për stabilizimin e perspektivës së unionit, siç thotë autori, me siguri që për Shqipërinë dhe Ballkanin është një shans jo i keq. Qoftë për integrimin si aspiratë, qoftë për frymëmarrjen ekonomike e cila do të eliminonte edhe një barrë psikologjike shumë negative që ka kapluar shoqërinë. 

 

https://www.project-syndicate.org/commentary/italy-not-germany-leads-eur...

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

Te zevendesish rrolin e Gjermaninise me Italin, don te thote ta bajsh Europen si Italia.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.