Orteku i zhgënjimit

Postuar në 25 Prill, 2016 10:23
Ilir Yzeiri

Sondazhi që shpalli Instituti Demokratik Amerikan nuk ishte as i befasishëm dhe as i papritur. Në një vend të vogël si Shqipëria, nuk është vështirë të kuptosh se çfarë ndiejnë shqiptarët, se çfarë mendojnë ata për qeverinë dhe për opozitën, se cili është humori i tyre, shkurt, në Shqipëri, sidomos pas vitit të parë të qeverisjes, u pa se Edi Rama është një vazhdim i qeverisjes së keqe të shqiptarëve në këta njëzetë e ca vjet dhe se opozita e Sali Berishës që artikulohet hera-herës edhe me zërin e hollë dhe pa ngjyrë të Lulzim Bashës, është forca politike më e padenjë për të përfaqësuar alternativën e qeverisjes shqiptare. Ne, shqiptarët, përballë kësaj fotografie duket se nuk kemi asnjë lloj shprese për t’u rimëkëmbur dhe për t’u ringritur në mënyrë të tillë që të bëhemi një shtet normal me institucione të qëndrueshme dhe të mësojmë të qeverisemi me dhunën e domosdoshme të ligjit dhe me rregullat e ngurta të demokracisë.

Apoteoza e fisit

Gjëja më tronditëse në gjithë këtë katrahurë të tranzicionit që po ndodh te ne është mungesa e modelit referencial. Mënyra se si sillet klasa politike shqiptare nuk është verifikimi i modelit demokratik, pra, klasa politike shqiptare nuk vepron dhe nuk sillet si aktore dhe si autore e rendit demokratik. Të pamësuar me institucione demokratike, politikanët shqiptarë udhëhiqen nga pasioni i fisit dhe i cubit. Në të gjitha sistemet shoqërore veprimet politike modelohen nga ligjërimi, përgatiten prej tij. Në sistemet demokratike, ligjërimi politik nuk është një shfrim i pakontrolluar i pasioneve të dhunuara të individëve që popullojnë Parlamentin, por është një ligjërim i strukturuar sipas modelit të demokracisë, në thelb të të cilit është opozicioni i detyrueshëm dhe ekzistencial, që do të thotë se opozita dhe pozita janë dy anët e së njëjtës faqe, janë verso dhe rektoja e asaj që quhet demokraci shqiptare apo sistem politik shqiptar. Derisa shqiptarët ndërtuan institucionet e tyre politike, ata i mbështesnin këto veprime në kodin e nderit dhe të besës, në atë kod që rregullonte më së pari jetën e fisit dhe të bashkësisë. Institucione të tilla si Kuvendi i Burrave apo odat janë glorifikuar dhe folklorizuar deri në atë masë sa shqiptarët janë paraqitur si viktima të kodeve barbare që në themel të tyre kanë pasur vdekjen dhe eliminimin e tjetrit. Siç dihet, këtë kod dhe këtë sistem e rregullonte gjaku. Megjithëse në Shqipëri kaluan disa sisteme politike nga ai mbretëror i moderuar deri tek ai diktatorial i përgjakshëm, shqiptarët dhe elitat e tyre politike edhe sot e gjithë ditën e ndiejnë veten më shumë robër të kodit të nderit dhe të besës sesa pjesëtarë të një shoqërie që është ndërtuar mbi kodin shoqëror të lirisë së individit dhe të respektimit të tjetrit që është i ndryshëm nga idetë, besimet, ngjyra apo seksi. Partitë politike shqiptare dhe sidomos ato dy kryesoret, janë sot një grumbull i strukturuar sipas parimit të besës ndaj liderit, ndaj kreut të fisit dhe jo struktura të ndërtuara sipas parimit të bashkimit të lirë rreth një programi. Programi politik i partive shqiptare nuk mbështetet në asnjë referencë apo ekspertizë që e llogarit territorin si shtëpinë e të gjithëve. Territori i Shqipërisë përfillet si një çiflig, si një pronë e atij që ka marrë mandatin nga shumica e atyre që votojnë. Sapo njëri prej tyre merr postin e kryeministrit, atdheu nuk ekziston më, ai bëhet pronë, çiflig dhe kryeministri i radhës nis të realizojë projektin e tij, duke e shndërruar atdheun jo në një vend të begatë për të gjithë, por në një çiflig të bukur që të jetë i jetueshëm për të dhe t’i japë kënaqësi egoizmit të tij të zmadhuar. Rreth tij, mblidhen gjithë eunukët dhe sejmenët që kanë vetëm një aftësi: t’i shërbejnë çifligarit të radhës që sipas modelit të imitimit politik thirret kryeministër. Matanë qëndron opozita ose cubat e fisit tjetër që presin me armë në dorë të rrëmbejnë sarajet që, sipas tyre, janë rrëmbyer nga pala tjetër e fisit.

Populli nën armë dhe banditët si heronj të kohës sonë

Në gjithë këta vjet tranzicion, në imazhin kolektiv të shqiptarëve modelet për t’u imituar apo për t’u ndjekur janë zëvendësuar në mënyrë të shpejtë. Në fillim duhet thënë se ne jemi ndoshta ndër kombet e rralla që nuk kemi ngulitur modele të shenjta në memorien tonë që t’i ndjekim dhe t’i imitojmë apo t’i shpallim si pikësynim të rrugës që ndjekim. Modelet zakonisht lidhen me historinë. Për hir të së vërtetës, historia jonë është dinjitoze dhe ka prodhuar modele që janë të denja për t’u ndjekur. Mirëpo, në të njëjtën kohë, kemi prodhuar po aq antimodele, madje brenda vetes sonë si komb asnjëherë nuk e kemi gjetur drejtpeshimin që të pranojmë atë që është bërë mirë nga ajo që është bërë keq. Demokracia, veç të tjerash, është edhe epoka e ndarjes me të shkuarën në kuptimin modern. Mirëpo, popujt e Ballkanit dhe sidomos ne shqiptarët, veçanërisht, që nuk kemi një autoritet superior besimi, vijojmë ende të sillemi si pjesëtarë të fisit që kanë disa perëndi që janë në gjendjen barbare në të cilën gjendje nuk e pranojnë autoritetin e fjalës, por i binden dhunës së veprimit. Në gjendjen e sotme, ne, shqiptarët, si këtu në Shqipëri si në Kosovë, e kemi ndërtuar jetën duke u bazuar në autoritetin e fisit dhe në fuqinë e banditit. Reportazhet që janë shfaqur në Kosovë për disa nga figurat kyç të elitës politike atje, na tregojnë një seri luftëtarësh folklorikë që ashtu si në kohën e Perandorisë Otomane, zhveshën pallën, udhëhoqën betejat dhe pas kësaj erdhën dhe plaçkitën vendin e çliruar. Mentaliteti i plaçkitjes së vendit të çliruar është një mendësi që vjen nga luftërat otomane. Administrata otomane nuk mund të përballonte shpenzimet e luftës dhe, siç dihet, pas betejave që fitonte, i derdhte ushtarët e saj të bënin plaçkë. Sintagma “të bësh plaçkë” ka ardhur në ditët tona në formën “të bësh lekë”. Edhe elitat politike në Kosovë edhe ato në Shqipëri, i frymëzojnë militantët e tyre më këtë pasion. Ndaj korrupsioni, vjedhja dhe shpërdorimi këtu te ne dhe në Kosovë nuk ndalen. Ndërsa thirrja e Berishës për të rrëmbyer armët, veç të tjerash, buron nga pasioni i çmendur i atij që e përfytyron veten si kryebandit cubash që po ndien se mund të përfundojë në ndonjë hapsanë dhe se e vetmja shpresë për të rimarrë çifligun është palla.

Andrea Stefani, ose misioni i pamundur

Andrea Stefanin e kam koleg dhe mik të ngushtë. Jemi bërë miq si gazetarë në fillim dhe kemi mbetur të tillë. Kam njohur shumë njerëz në këtë botë brenda dhe jashtë. Kam njohur jo pak njerëz, por e them me siguri se rrallë kam takuar njerëz me integritet intelektual e moral si Andrea Stefani. Në këta njëzetë e ca vjet tranzicion, ai është modeli i gazetarit që e ka ndërtuar jetën më korrektesën më të madhe dhe nuk është përzier në asnjë aferë të dyshimtë. Fatos Nano pas ardhjes në pushtet në vitin 1998 e ofroi, por ai nuk pranoi të angazhohej në qeverinë e tij. Ka punuar si përfaqësues i IREX-it në Shqipëri, por për shkak të qëndrimeve të tij korrekte dhe të pakompromis, ai program është mbyllur. Është autor i disa librave dhe sot një nga opinionistët dinjitozë që disa herë krijon edhe situata të tensionuara. Në opinion është krijuar ideja se Andrea është mbështetësi i Edi Ramës dhe, sipas mentalitetit shqiptar, ai duhet të ketë përfituar. Unë që rri përditë me të e them me bindje se dinjiteti i Andrea Stefanit nuk ka të bëjë me pazaret që mund të bëjë Edi Rama. Ai nuk merr asnjë qindarkë nga kjo qeveri dhe nga asnjë qeveri tjetër. Ai jeton vetëm më punën dinjitoze të gazetarit. Ai është djali i profesorit të njohur Koço Stefani dhe nipi i fotografit të parë të Durrësit, Palokë Gurashit, por ende nuk ka marrë pronat që ia janë rrëmbyer prej regjimit komunist. Ai është i pakuptueshëm për shumicën e otomanëve shqiptarë që parim të jetës kanë të bësh plaçkë. Sot, Andrea Stefani është ndër të vetmit dhe të rrallët që përpiqet t’u japë shpresë shqiptarëve që mbështesin Edi Ramën se në raport me opozitën, qeveria e Edi Ramës është e keqja më e vogël. Në njëfarë kuptimi, Andrea si shumë opinionistë të tjerë mendonte se Edi Rama mund të ishte shpresa e fundit për tranzicionin shqiptar. Ndërsa shfaqet në publik si kundërshtar i vendosur i gjithçkaje që prodhon sidomos Berisha dhe e sheh të keqen e këtij vendi në mosdënimin e krimeve të tij. Unë e di se edhe pritshmëritë ndaj qeverisë Rama janë lëkundur tek Andrea dhe sot qeveria e Edi Ramës po vrapon me shpejtësi drejt humbjes së të gjithë institucioneve të besimit. Edi Rama i shpërfilli të gjitha këto institucione, sepse ai siç vinte re Rajërsoni në intervistën e “Zërit të Amerikës”, është një shartim i otomanizmit dhe komunizmit, ashtu si dhe Berisha. Stefani është ndër të paktët që mendon t’i japë shpresë popullit që ndjek Edi Ramën se ai është një kopje tjetër nga Berisha, por, kjo miku im Andrea, më duket mision i pamundur.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.