Ndjekje penale për Dallëndyshe Bicin, prishi hotel me leje në Pogradec

Postuar në 16 Prill, 2016 12:00

Prokuroria e Pogradecit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim për veprën penale të ”Shpërdorimit të detyrës”, Kryeinspektoren e Inspektoratit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Dallëndyshe Bici, si edhe Drejtuesin e Njësisë Operacionale të këtij institucioni, Fatmir Meta. Dy zyrtarët akuzohen se kanë prishur në mënyrë të paligjshme një ”Bar-Restorant” me sipërfaqe 450 m2, në zonën e liqenit të Ohrit, në ish-komunën Udënisht.

Prokuroria e Pogradecit ka arritur të faktojë se godina në pronësi të kallëzuesit ka qenë e pajisur me lejen e ndërtimit nga organet kompetente. Po ashtu, ditën e ndërhyrjes së inspektorëve të IKMT për prishjen e godinës, pronarit të ligjshëm të saj nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt administrativ përkatës. Sipas Prokurorisë një akt i tillë për prishjen e godinës nuk gjendet as në arkivin dhe protokollin e IKMT-së në Tiranë.

Sipas prokurorisë vendimi për prishjen e këtij objekti është selektiv, arbitrar dhe haptazi në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi objekti ishte ndërtuar me leje dhe ishte i regjistrtur në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.  Nëse leja e dhënë vinte në kundërshtim me dispozitat ligjore,  çështja do të zgjidhej në gjykatë.

Vendimi i mësipërm është selektiv, pasi kishte të paktën edhe dy lokale të tjerë, pjesërisht të ndërtuar në liqen, të konstatuar nga vetë punonjësit e IKMT si ndërtime në kundërshtim me lejen e dhënë. Në këto raste, asnjë prej tyre nuk u konsiderua si ndërtim i kundraligjshëm.  Përkundrazi, këto raste janë trajtuar si prishje në kuadër të shpronësimeve për zbatimin e projektit  buzë liqenit të Ohrit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.