Fundi i një ere jo vetëm shqiptare në SHBA

Postuar në 16 Prill, 2016 12:16
Agron Alibali

Andon Athanasi (1911 – 2005) u lind në Trebickë të Korçës. Ishte vetëm katër vjeç kur familja e tij u largua nga vendlindja për t'u shpëtuar masakrave të kriminelëve kinse "epirotë" dhe u vendos fillimisht në New Bedford të shtetit Massachusetts. Në fund të jetës ai ishte ndër shqiptaro-amerikanët më të shquar. Restoranti i tij buzë oqeanit në Boston, “Anthony's Pier 4”, ndër më të njohurit në Amerikë, u kthye në një prej ikonave të shqiptarizmës në SHBA. Atë e kanë vizituar të gjithë presidentët e kryeministrat e Shqipërisë qysh pas rënies së murit të Berlinit. Dyert e tij ishin gjithmonë të hapura për të gjithë politikanët, pavarësisht nga orientimi politik, për biznesmenët, njerëzit e kulturës, artit, etj. që vizitonin Amerikën nga Shqipëria apo Kosova. Në Boston, si qendra e Diasporës shqiptare në Amerikë, nderohej historia e lavdishme e mbrujtjes së themeleve të Shqipërisë madje edhe para Pavarësisë së vendit. Kjo përfshin themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare (1908) e të Federatës pan-Shqiptare VATRA - THE HEARTH (1912), si dhe përpjekjet e kësaj të fundit, nën udhëheqjen e Fan S. Nolit, për ruajtjen e integritetit të Shqipërisë me atë që mund të quhet si "qeveria në mërgim" e Vatrës në vitet 1916-1918. Nderimi nga brezi i sotëm fillonte me vizitat në varret e Nolit e Konicës, vazhdonte me një ndalim në Kryekishën e Shën Gjergjit, dhe mbyllej zakonisht me mikpritjen tradicionale shqiptare në “Anthony's Pier 4”.

Aftësia e rrallë e Athanasit ishte se e ktheu restorantin e vet, para së gjithash, në një element të qenësishëm të jetës qytetare, politike e familjare të Bostonit dhe madje të Amerikës. Tavolinat dhe sallat e tij, me pamjen magjepsëse të bregdetit të Bostonit, mbusheshin plot me amerikanë që kalonin atje një drekë a darkë me miq, apo kremtonin festa e përkujtime familjare, mbidheshin për diplomimin e fëmijëve të tyre në një nga universitete e shumta të Bostonit, etj. “Anthony's Pier 4” ishte, nga ana tjetër, vendi i zgjedhur për politikanët e ndryshëm që garonin për ofiqe, ku ata shpalosnin programin e tyre dhe grumbullonin fonde e mbështetje.

Muret e restorantit ishin të mbushura me foto të njerëzve më të famshëm të Amerikës që kishin darkuar atje, si presidentë, senatorë, kongresmenë, guvernatorë, artistë e artiste të shquara, sportistë të famshëm, biznesmenë të fuqishëm, - shkurt, atje gjeje ajkën e Amerikës.

Vizioni dhe largpamësia e Andon Athanasit ishin legjendare. Më 1959, kur ai bleu truallin ku do të ngrinte restorantin historik, e gjithë lagjja buzë detit ishte vend i braktisur, që dikur kishte qënë molo për ngakim shkarkim mallrash që vinin aty me hekurudhë. "More, a je në vete ti?" - e pat këshilluar Fan Noli. "Jo vetëm që do të humbasësh vetë, por do të na marrësh në qafë edhe ne", i pat thënë ai, duke nënkuptuar ndihmën e vazhdueshme që biznesmeni shqiptar kishte dhënë për lëvizjen, komunitetin dhe kishën shqiptare në Amerikë.

E pra, Fan Noli doli i gabuar. Shumë shpejt në molon nr. 4 apo Pier 4 u ngrit restoranti, që mori emrin e pronarit krenar shqiptar. Pas ca kohe, pranë tij u ngrit rrjeti rrugor Expressway i autostradës 93, dhe më vonë, edhe pika fundore e autostradës ndërshtetëse I-90, që fillonte - apo mbaronte - në Seattle, në bregun e Paqësorit në anën tjetër të Amerikës.

“Anthony's Pier 4” mori nam për ushqimin cilësor me bazë prodhimet e detit, aragostat e famshme, koleksionin e pasur të verërave cilësore, atmosferën mikpritëse e hijerëndë, panoramën e mrekullueshme, shërbimin cilësor, etj. Në vitet 1960- 1970, ai u bë ndër restorantet më të njohur në Amerikë. Pjesë integrale e restorantit ishte edhe anija restorant-bar "The Peter Stuyvesant", e cila shërbente si paradhomë për vizitorët e shumtë, që prisin radhën për të darkuar në “Pier 4”. Stuhia gjigande e borës e shkurtit 1978, që bllokoi mbarë rajonin e Bostonit për disa ditë dhe shkaktoi 99 viktima, solli edhe mbytjen e anijes, e cila nuk u ngrit kurrë më. Ndërkaq, restoranti vetë në “Pier 4” vazhdoi ta ruajë shkëlqimin dhe famën e vet të paktën deri sa ndërroi jetë në vitin 2005 Anthony Athanas.

Në njërin mur të tij, deri vonë, gjeje letra dhe foto të familjes Athanas me presidentët amerikanë Nixon, Kennnedy, Bush (i jati dhe i biri), Clinton, udhëheqësit e Shqipërisë Alia, Berisha, Meidani, Moisiu, Majko, Topi, personalitete të njohura nga vende të tjera, artistë të famshëm si Anthony Quinn, Elizabeth Taylor e shumë e shumë të tjerë.

Këtë javë ngrehina e restorantit “Anthony's Pier 4” po prishet. Trualli u shit para ca vitesh për t'ia lënë vendin ndërtimeve luksoze shumëkatëshe dhe një parku të gjelbëruar. "Gjithmonë do të ketë një Anthony's Pier 4 këtu", më thoshte Athanasi, kur po ravijëzoheshin planet zhvillimore të atij trualli historik. Sot kjo gjë nuk është më e sigurtë. Ajo ç'ka është e sigurtë është se një pjesë e historisë së Amerikës, dhe e lëvizjes patriotike shqiptare në atë vend, së shpejti do të fshihet nga faqja e dheut.

A mund të ishte ruajtur ndërtesa e “Anthony's Pier 4”, për t'u kthyer në një muzeum për konservimin e një copëze të çmuar të historisë së atij vendi? Këtë nuk mund ta themi. Bostoni, si djepi i Amerikës, është i mbushur me monumente historike. Ndodhen aty fillimet e revolucionit amerikan, vendlindjet e disa presidentëve të Amerikës, dhe shumë vende të tjera historike, të cilat ruhen me kujdes e xhelozi. Mirëpo rrafshimi i “Anthony's Pier 4” përfaqëson jo vetëm fundin e një ere. Mesazhi tjetër është edhe për mbledhësit dhe koleksionistët e pasionuar privatë të veprave të artit, të objekteve historike, muzeale etj.

Nëse ata sot bëjnë një punë të paçmuar dhe jashtëzakonisht të vlefshme duke konkurruar edhe me muzeumit dhe galeritë publike, nuk ka asnjë siguri se brezat që vijnë, do të përçojnë të njëjtin kujdes dhe dashuri për vlerat e së kaluares të grumbulluara dhe ruajtura prej tyre. Eshtë fare e zakonshme në Amerikë, që koleksionistë të ndryshëm ua dhurojnë koleksionet e tyre bibliotekave publike, muzeumeve, universiteteve dhe institucioneve të tjera të artit dhe të kulturës, ku ato ruhen me kujdes dhe në vijimësi. Pra, mesazhi tjetër që përcjell fundi i erës së “Pier 4”-it, është se vlerat historike përfshirë ato të koleksioneve private ruhen ndofta përjetësisht vetëm me angazhimin e institucioneve të specializuara shtetërore dhe publike, si njëfarë inversi logjik i partneritetit publik-privat, ku kësaj radhe janë shteti apo organizmat publike ata që garantojnë ruajtjen e kujtesës së papërsëritshme edhe për brezat në vazhdim.

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.