Kulla e Sahatit – e bardhë si vilat e milionerëve të Golemit

Postuar në 13 Prill, 2016 12:11

Bashkia e Tiranës përsëriti dje ritualin e shpalljes publike të suksesit të një pune të re: restaurimi i Kullës së Sahatit, simbol i Tiranës. Mirëpo pas kësaj pune është ngritur një shqetësim për cilësinë e punës së bërë. Në një deklaratë të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore thuhet se restaurimi është skandaloz, nisur nga përdorimi i një boje plastike të bardhë, ndërkohë që 6 vjet më parë siç shkruan Forumi, Kulla u restaurua me një fond të ambasadës amerikane.
“Përsëriten restaurimet skandaloze me plastikë të improvizuar duke zhdukur çdo gjurmë të kohës. Pjesa e "restauruar" e kullës, është pjesa që u ngrit më 1928, d.m.th gati 90- vjeçare. Pas ndërhyrjes profesionale të bërë 6 vjet më parë me financimin e Ambasadës Amerikane, pa pasur asnjë nevojë, kulla bojatiset me bojë të bardhë plastike duke humbur peshën e shekullit që mban mbi supe dhe duke u ripropozuar si e bërë sot. Instituti i Monumenteve e ka humbur tashmë krejtësisht besueshmërinë që mund të jetë në gjendje të ekspertojë restaurimet. Gafa është e njëjtë me atë që u bë para disa muajsh kur përfundoi "restaurimi" i varrit të Kolë Idromenos, por atëherë opinioni shkencor dhe ai publik reagoi duke e detyruar Ministrinë e Kulturës të deklarojë sa për sy e faqe se ka edhe një fazë tjetër restaurimi - fazë që në fakt nuk u krye kurrë. Tani një kullë plastike, me makiazh provincial si të vilave të milionerëve të Golemit dhe Gjirit të Lalëzit, u serviret shqiptarëve si "ri-restaurim". Para të shpërdoruara për të bërë një restaurim jo vetëm të panevojshëm, pasi kulla ishte tashmë e restauruar sipas kritereve, por edhe të dëmshëm, duke i dhënë asaj një imazh që nuk e ka patur kurrë. Dikush duhet të përgjigjet... INSTITUTI ose MINISTRIA”, shkruhet në faqen në Facebook të Forumit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.