Edukimi fetar, shteti dhe laiciteti

Postuar në 13 Prill, 2016 11:20
Dr. Xhavit Shala

Njëzet e pesë vite më parë, me lejimin e praktikimit lirisht të besimeve fetare, Shqipëria u divorcua përfundimisht nga ateizmi shtetëror, ndërkohë që shteti demokratik ruajti parimin e shenjtë të laicitetit.

Por, megjithëse ka kaluar më shumë se një çerek shekulli, në vendin tonë nuk ka gjetur zgjidhje ligjore problemi i edukimit fetar, problem i cili nuk mund të anashkalohet më tej. Ekziston një ndjenjë frike se mos duke u marrë me edukimin fetar, cenohen laiciteti i shtetit dhe shekullariteti i sistemit arsimor.

Feja dhe edukimi fetar, për vite të tëra gjatë komunizmit u zëvendësuan me edukimin komunist marksist-leninist. Besimi në fe u tentua të zëvendësohet me besimin te partia. Ky edukim u imponua jo vetëm në programet mësimore, por në çdo qelizë të jetës. Marksizmi, gradualisht, u kthye në një besim më vete dhe në opium për popullin.

Edukimi fetar, për kushtet e vendit tonë, që ka një popullsi relativisht të vogël, me katër besime fetare tradicionale, nuk mund të jetë thjesht një problem pedagogjik dhe arsimor, por ai ka ndikimet e tij edhe në sigurinë tonë kombëtare.

Marrja nga fëmijët dhe adoleshentët e njohurive të shtrembëruara për një besim fetar, shumë herë përjashtuese për besimet e tjera fetare, të kushtëzuara, në disa raste, me ndihma ekonomike, të ofruara nga organizata me origjinë dhe financime të dyshimta, e bën këtë kontingjent lehtësisht të manipulueshëm për t’u përdorur për veprime antiligjore dhe një kërcënim serioz për tolerancën fetare të vendit tonë.

Ndonëse shteti ka heshtur në vite për këtë problem, edukimin fetar e kane realizuar dhe po e realizojnë, sipas mënyrës dhe qëllimeve të tyre, OJQ-të dhe shoqatat me misionarë arabë, italianë, grekë apo nga vende të tjera, të stacionuar në vendin tonë. Disa nga këto shoqata janë përpjekur ta bëjnë edukimin fetar jo në përputhje me besimet tradicionale të vendit tonë dhe, në disa raste, bëjnë diversion kundër tyre. Kështu, mbështetur në burime të besueshme të komunitetit të shërbimeve tona ligjzbatuese, vetëm në Qarkun e Elbasanit, në vitet 1998-1999, kurset ilegale e gjysmë ilegale të OJQ-ve arabe, kryesisht të financimit e orientimit vehabi-selefist, frekuentoheshin nga mbi 500 fëmijë të moshave nga 9-15 vjeç. Programet fetare që jepeshin në këto kurse kishin ndryshime esenciale me fenë tradicionale islame në Shqipëri. Gjithashtu, futja e Dëshmitarëve të Jehovait në skenën e besimeve fetare në Shqipëri, përveç xhelozisë së besimeve tona tradicionale, u pasua nga një serial vetëvrasjesh të miturish në fillim të vitit 2005. Për vetëvrasjet, media fajësoi edukimin fetar të Dëshmitarëve, megjithëse edhe pas akuzave, gjer më sot, nuk ka pasur asnjë provë për ta dëshmuar këtë fakt. Në disa raste, vetë autoritetet e besimeve zyrtare fetare në vendin tonë kanë denoncuar praninë e misionarëve të huaj fetarë, të cilët, gjoja, operojnë në emër të tyre, por që nuk dihet kë përfaqësojnë.

Gjithsesi, prania në vend e dhjetëra shoqërive dhe grupimeve të ndryshme fetare, e qindrave misionarëve të huaj kristianë e myslimanë, tregon se në Shqipëri sot ekziston një sistem i tërë gjysmë legal për edukimin dhe arsimimin fetar. Diskutimi nëse duhet apo jo edukimi fetar në vendin tonë, tashmë, është i tejkaluar. Problemi është si të vihet në binarë ligjorë dhe të legalizohet ky edukim, cili do të jetë raporti i tij me arsimin publik, do të jepet ai si mësim feje apo si histori e besimeve fetare, mënyrat e financimit të tij etj. Fillimisht, duhet bërë dallimi midis edukimit dhe arsimimit fetar. Ndërsa edukimi fetar ka të bëjë me dhënien e një kulture për besimet fetare, si përmbajtja e tyre, ritualet dhe ceremonitë fetare, institucionet religjioze etj., arsimimi fetar nënkupton diferencimin e një besimi, thellimin e bindjeve për një besim të caktuar dhe për të jetuarit sipas atij besimi, si dhe përgatitjen e kuadrit fetar.

Në praktikat botërore, edukimin fetar askush nuk e anashkalon, pavarësisht nga mënyra se si e realizon. Edhe praktika Perëndimore, së cilës shpesh i referohemi, është e larmishme. Kështu, sipas ligjit amerikan, edukimi fetar në shkolla ndalohet përveç paraqitjes së informacionit nga një këndvështrim neutral dhe akademik. Informacionet jepen në kurset teologjike ose mësohen duke u përfshirë në departamentin e teologjisë. Në SHBA ka pasur një ndarje tradicionale mes besimeve dhe shtetit. Shkollat shtetërore nuk ofrojnë studime fetare për fëmijët. Arsimimi fetar i besimtarëve dhe i kuadrit fetar realizohet nga vetë komunitetet fetare.

Në Europë shtetet financojnë edukimin fetar nëpër shkolla në mënyra të ndryshme. Ajo varion nga varianti i hartimit të një lënde të botës fetare, si në Norvegji; edukimi kryesisht tradicional i fesë ortodokse kristiane në Greqi apo ai katolik roman në Itali e Spanjë e deri te zgjedhja e njërës prej traditave protestante ose katolike si një alternativë në programet etike, si në Gjermani e Holandë. Edhe në vendet ish-komuniste, edukimi fetar ka zëvendësuar gjerësisht vendin e indoktrinimit të vjetër komunist.

Ashtu si Amerika, edhe Franca nuk praktikon sponsorizimin e shtetit për edukimin fetar. Kjo, për shkak të ndarjes historike midis shtetit dhe kishës romane katolike. Por shpejt edhe ajo do ta braktisë këtë pozicion. Kohët e fundit, në opinionin francez po diskutohet pozitivisht futja e edukimit fetar nëpër shkolla. Prania e një komuniteti të madh mysliman, kryesisht afrikano-verior, nevoja që ata të marrin një edukim korrekt për islamin dhe për besimet e tjera fetare, do të ndihmojnë në integrimin më të lehtë të tyre në shoqërinë franceze, si dhe në ndihmojë në parandalimin e radikalizimit të tyre, duke ndikuar kështu pozitivisht në çështjet e sigurisë në Francë.

Me interes është studimi i praktikës së edukimit fetar në Angli. Fëmijët atje mund të marrin kulturë fetare rreth gjashtë besimeve kryesore në botë, të cilat janë: kristianizmi, islamizmi, hinduizmi, judaizmi, budizmi dhe besimi sikh, besime të cilat janë prezente dhe në territoret e Mbretërisë Bashkuar dhe të Komonuelthit. Kjo nuk të befason, kur mendon se rreth 100 vjet më parë në parlamentin anglez ka pasur deputetë myslimanë.

Sistemi anglez i edukimit fetar bazohet në disa parime mjaft të rëndësishme. Në radhë të parë, edukimi fetar në Mbretërinë e Bashkuar, ndonëse kërkohet me ligj, është shekullar. Ai nuk ka për qëllim të konvertojë besimin e njerëzve ose të thellojë bindjet në një besim të caktuar. Synimi i tij është të kontribuojë në zhvillimin njerëzor dhe edukativ të fëmijëve, duke i bërë ata të aftë të kuptojnë diçka nga besimet dhe të zhvillojnë ndjenjat e tyre për vlerat e jetës. Indoktrinimi është kategorikisht i ndaluar. Lënda që jepet për edukimin fetar është shekullare, gjithashtu, edhe nga përbërja e trupës mësimore që e jep atë. Mësuesit e edukimit fetar janë mësues të zakonshëm. Ata nuk janë domosdoshmërish përfaqësues të një besimi apo të kenë ndonjë besim të veçantë. Edukimi fetar trajtohet si një përgjegjësi profesionale. Mësuesit specialistë që diplomohen në teologji apo në studime fetare, trajnohen dhe mësojnë edhe për lëndë të tjera të programit mësimor.

Nga ana tjetër, edukimi fetar që bëhet në Angli është kritik dhe shpirtëror. Sistemi anglez i edukimit fetar synon të aftësojë fëmijët të zhvillojnë aftësinë e të menduarit, të dëshmojnë vlerat dhe të kenë njohuri sa më të plota rreth botës moderne, të kenë sensin kritik për vlerat e shoqërisë, në mënyrë që të zhvillojnë sensin e qytetarisë brenda një shoqërie multikulturore. Një parim tjetër i rëndësishëm i sistemit anglez të edukimit fetar është edhe decentralizimi. Pavarësisht se është i detyrueshëm me ligj, implementimi i programeve mësimore të edukimit fetar është përgjegjësi e autoriteteve lokale. Lënda e edukimit fetar është pjesë e programit mësimor, i cili vendoset në bashkëpunim midis mësuesve dhe prindërve.

Për kushtet e Shqipërisë do të ishte e rekomandueshme përfshirja e edukimit fetar në sistemin arsimor publik, duke respektuar laicitetin e shtetit dhe shekullaritetin e shkollës. Për këtë është e nevojshme të hartohet një lëndë mësimore, nga e cila fëmijët të marrin informacionin e duhur për besimet kryesore fetare, me synim që të arrijnë të kenë njohuri sa më të plota rreth botës moderne e të zhvillojnë sensin kritik për vlerat e shoqërisë. Edukimi legal fetar, jo vetëm që nuk e cenon laicitetin e shtetit dhe shekullarizmin e sistemit arsimor, por është një investim për sigurinë kombëtare dhe për mbrojtjen e tolerancës fetare në vendin tonë.

 

"Mapo"

Comments

Submitted by Fillestare (not verified) on

Problemi specifik shqiptar, ndryshe nga pervoja perendimore, eshte se diversiteti konfesional eshte i nje shkalle shume here me te larte se ne cdo vend tjeter ne bote dhe se praktikat dhe traditat fetare merren me seriozisht.
Ne raste te tilla eshte me mire te supresohet cdo perzjerje e shtetit me fene, perfshi ketu edhe edukimin ne shkolla. Ky i fundit (edukimi nepermjet kurrikulave shkollore) nuk eshte ndonje mjet qe vertet do te influenconte mire-edukimin fetar. Nuk eshte se edukata seksuale apo mesimi i gjuhes se huaj ka dhene kushedi sa rezutate deri tani ne Shqiperi. Por nje diskutim formal neper shkolla do te krijonte nje platforme jo diskutimi por sherri dhe rivaliteti te cilat mund te perdoreshin per qellime te shtrembra nga njerez ose te paditur ose qellim-keqij dhe veshtire qe mesuesit te jene ne gjendje te mbajne ne kontroll sherre te tilla.
Mire apo keq, Shqiperia ka nje tradite ne trajtimin e ceshtjeve fetare. Une shoh rrezik ne tranzicionin nga ateizmi ne politeizmin neper shkollat tona.

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

Un tham qe ne orte e besimit fetar te zhvillohen konceptet themelore te KUSHTETUTES SHQIPTARE si dhe konceptet kryesore te legjislacionit, te kodeve civile, penale, familjare si dhe procedurave perkatese. Per kete ka ma shume nevoje sot brezi i ri, se per brezat te djeshem dhe te sotem te rriturve asht per hibret.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.