Zbulohet një gjendje e re e materies

Postuar në 07 Prill, 2016 16:44

Shkencëtarët zbuluan për herë të parë një gjendje misterioze të materies, e parashikuar katër dekada më parë nga studiuesi Philip Warren Anderson, fitues i çmimit Nobel. Formën e re të materies shkencëtarët e kanë quajtur “tjerrja kuantike likuide”. Në këtë gjendje, elektronet sillen sikur të jenë të “fragmentarizuar”, në kaos të rregullt. Quhet kaos i rregullt pasi nuk përplasen asnjëherë me njëri-tjetrin dhe njëkohësisht janë të lirë të bëjnë çfarë të duan. Ky kaos, sipas studiuesve, krijon një strukturë magnetike të panjohur deri më tani në natyrë. 
“Deri më tani gjendja apo faza e materies e parashikuar nga Anderson nuk ishte riprodhuar asnjëherë. Ky është një rezultat me rëndësi sepse është vëzhguar dhe zbuluar një fenomen krejt ndryshe nga ajo që ndodh në natyrë”, thotë Pasquale Calabrese, fizikant në Shkollën e Studimeve të Avancuara në Trieste, pjesëmarrës në studim. Më konkretisht, shkencëtarët thonë se ky zbulim do të ndihmojë në të ardhmen në krijimin e superkompjuterave ose kompjuterave kuantikë shumë herë më të fuqishëm nga ata që njohim sot. 
Tek mikroçipët aktualë informacioni ruhet në formën e 0 ose të 1, ose i njohur ndryshe si sistemi binar. Ky sistem ka funksionuar mirë deri më tani, por lejon procesimin e një numri të kufizuar informacionesh. Revolucioni mund të nisë nga ky zbulim, pasi lëvizja kaotike (por edhe të mos përplasen) e elektroneve do të mundësonte në të ardhmen gjetjen e materialeve në gjendje që të përdorin njëkohësisht si statusin 0, ashtu edhe 1, apo edhe të dyja bashkë. Për këtë, shkencëtarët thonë se “likuidi i tjerrë kuantik” është kandidati kryesor për të qenë silikoni i së ardhmes. Zbulimi i takon “Oak Ridge National Laboratory” në Shtetet e Bashkuara dhe u publikua në revistën “Nature Materials”.

 

Marrë: "Top-Channel" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.