Operatorë turistikë të Rusisë së shpejti në Shqipëri. Premtohet edhe binjakëzimi i Durrësit me një qytet bregdetar rus

Postuar në 07 Prill, 2016 19:11

Ambasadori i Rusisë në Shqipëri Alexander Karpushin duket se ka thyer traditën e parardhësve të vet, duke ndjekur një axhendë më intensive dhe më pranë medias shqiptare. Sot ambasada njofton se Karpushin ka qenë në Durrës, ku ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë, Vangjush Dako. Rëndësia e takimit qëndron tek interesi i Rusisë për të vendosur bashkëpunim ekonomik me Shqipërinë, qoftë edhe në nivel rajonesh, aq më tepër që së fundmi një hapësirë prej 200 ha në Spitallë është shpallur “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit”. “Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik si dhe në fushën e turizmit duke e njohur ambasadorin rus me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj.. Dako deklaroi se Durrësi ka çfarë t’u ofrojë investitorëve të huaj dhe konkretisht edhe atyre rusë, jo vetëm në fushën e turizmit, por edhe në të gjithë sektorët ekonomikë...Në takim është rënë dakord për të filluar konkretisht bashkëpunimin në shumë fusha si dhe u mor angazhimi për ndërmarrjen e hapave konkretë për binjakëzimin e Durrësit me një qytet rus bregdetar. Po kështu ambasadori rus Karpushin i ka bërë me dije kryebashkiakut Dako që një grup operatorësh turistikë rusë do të vizitojë qytetin e Durrësit në muajin Maj dhe kjo vizitë padyshim do të ndikojë pozitivisht në nxitjen e interesit të turistëve rusë për të vizituar Durrësin”, referon ambasada takimin. Rusia ka kohë që përpiqet të hyjë në tregun e vogël shqiptar në disa sektorë, por nuk ka arritur gjë konkretisht. Mbetet për t’u parë sa efektiv do të jetë bashkëpunimi me Dakon. 

 

http://www.durres.gov.al/bashkia/zyra-e-shtypit/715-kryebashkiaku-i-durrësit-vangjush-dako-ka-pritur-në-një-takim-ambasadorin-rus-alexander-karpushin

Comments

Submitted by Profesori (not verified) on

Ruset jane gati te blejne Durresin me gjithe rrethina, e jo me per tutizem.
Duhet luajtur njecike futboll me ruset, por per te vituar e jo per te humbur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.