Mësimi i madh i 7 prillit

Postuar në 07 Prill, 2016 13:40
Agron Alibali

7 prilli 1939 është ndër ditët më të errëta në historinë e Shqipërisë. Mëngjesin e së Premtes së Madhe trupat e Musolinit zbarkuan në portet e Shqipërisë. Atë ditë u varros pavarësia e Shqipërisë, e fituar me gjak e sakrifica të panumërta me 28 nëntor 1912.

Pak kohë para pushtimit, i gjendur pa kurrfarë mbështetjeje nga Fuqitë e Mëdha e vendet fqinje, Mbreti Zog përjetoi ndër ditët e tij më të vështira. Mbretëresha Gjeraldinë sapo i kishte lindur trashëgimtarin Lekë, dhe ishte ende lehonë. Me 5 prill Tirana ishte në festë ndërkohë që kërcënimet nga Italia sa vinin e po bëheshin më serioze.

Me prejardhje amerikano-hungareze, Gjeraldina ia kishte rrëmbyer zemrën shqiptarëve me bukurinë, sharmin, dashurinë dhe qytetarinë e saj. Ajo gëzonte respekt dhe simpati të veçantë edhe tek Legata Amerikane në Tiranë, si dhe tek shtypi amerikan!

Pikërisht dy net para pushtimit, në Legatën Amerikane në Tiranë vjen një telefonatë e papritur. Tezja amerikane e Gjeraldinës, e ardhur në Tiranë enkas për mbesën, i tregoi Ministrit Amerikan Hugh Grant se Mbretëresha ishte tejet e shqetësuar nga lajmet për pushtimin e pritshëm dhe interesohej të strehohej në Legatë sëbashku me të birin e sapolindur.

Ministri Grant e trajtoi këtë kërkesë të pashembullt me seriozitetin dhe taktin më të lartë diplomatik. Duhet të kemi parasysh se në atë kohë lidhja midis Tiranës dhe Washingtonin realizohej vetëm me telegrame. Koha nuk priste dhe Ministri Grant nuk iu drejtua asfare Sekretarit të Shtetit Hull në Washington. Duke ushtruar diskrecionin dhe autoritetin e veçantë si i dërguar i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë ai iu përgjigj tezes së Mbretëreshës se ishte i lumtur t'i ofronte strehim dhe mbrojtje Gjeraldinës bashkë me princin trashëgimtar nëse kërkesa bëhej drejtpërdrejt nga Mbreti!

Me siguri historia do të kishte marrë rrjedhë tjetër nëse kjo do të ndodhte, për arsyen e thjeshtë se - edhe nëse do t'i ngjante gjë Mbretit Zog - mund të argumentohet se tagret drejtuese sovrane të tij do të transferoheshin automatikisht tek Gjeraldina e Leka, dhe kësisoj, pavarësia e Shqipërisë të paktën do të ruhej de jure. Kuptohet se trupat e Musolinit nuk do të guxonin të kapërcenin kangjellat e Legatës Amerikane tek Rruga e Elbasanit. Kjo e fundit do të vazhdonte të ushtronte funksionet e saj e nuk do të mbyllej, sikurse ndodhi në qershor 1939. Nuk do të ndodhte as lufta absurde italo-greke, dhe kësisoj nuk do të lindnin rrethanat për tragjedinë çame. Dhe së fundi, imazhi i Gjeraldinës me htë birin të "robëruar" brenda truallit sovran amerikan të Legatës, do të trondiste me siguri opinionin publik amerikan, që jo vetëm do të protestonte ndaj nënshtrimit të një populli të vogël nga një fuqi e madhe, por do të prekej edhe nga fati mizor i së vetmes mbretëreshë me gjak amerikan në botë, duke ushtruar trysni ndaj qeverisë amerikane për të qenë më aktive.

Ndërkaq Faik Konica në Washington ishte nën tension të paparë. I gjendur larg vendit dhe jo fort i informuar, fillimisht ai kishte hartuar një njoftim - të cilin nuk e shpalli kurrë - ku shprehte mosbesim ndaj lajmeve të pushtimit të pritshëm. Më pas ai dënoi me ashpërsi pushtimin dhe evidentoi gjithashtu edhe keqtrajtimin që Italia kinse e civilizuar po i bënte Gjeraldinës, duke e shtrënguar të ngrihej nga shtrati ende në gjendje lehone.

Burimet arkivore sqarojnë se autoritetet italiane u shqetësuan seriozisht për fatin e Mbretëreshës, dhe u interesuan menjëherë për vendndodhjen e saj. Edhe trajtimi i mrekullueshëm letrar që i bën shkrimtari Ismail Kadaresë kësaj ngjarje të hidhur në lidhje me obsesionin e Kontit Çiano ndaj Mbretëreshës Gjeraldinë është shumë afër realitetit.

Ndërkohë, shkaqet e pushtimit italian të vendit duhen kërkuar edhe tek roli negativ i Fuqive të Mëdha. Edhe pse nuk u njoh kurrë nga Tirana, Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve me Marrëveshjen e Parisit të 9 nëntorit 1921 ishte atentati i parë ndaj pavarësisë së vendit. Ai i njohu Italisë rol dhe të drejta të veçanta ndaj Shqipërisë. Atentati i dytë ndaj pavarësisë së vendit ishte huaja famëkeqe e SVEA-s e vitit 1926, me kushte dhe interesa skllavëruese, e cila u përdor edhe për bulevardin e madh në Tiranë e për ndërtesat e sotme të ministrive. "E ç'i duhet Shqipërisë të mburret si vendi me bulevardin më të madh në Ballkan - i shkruante Edith Durham Faik Konicës në vitet 1930, - kur huaja italiane po skllavëron vendin dhe mund t'u japë shkas italianëve të pushtojnë portet shqiptare"?

Kurse atentati i tretë ishin marrëveshjet dhe traktatet dypalëshe, të cilat Zogu bëri çmos që të mos i rinovonte kur u erdhi koha e shtyrjes.

Ndofta mësimi më i madh i 7 prillit sot është se, edhe pse vend dhe popull i vogël, shqiptarët ndër breza e kanë konsideruar pavarësinë, mëvetësinë dhe sovranitetin si të shenjtë.

Mirëpo shenjat janë se brezi i sotëm mund t'i quajë demode këto koncepte të mbrujtura në kodin gjenetik të shqiptarit. Prandaj ndofta vërehet edhe indiferenca e sotme dhe minimumi i shqetësimit publik ndaj borxheve dhe huave të stërmëdha dhe shpesh të panevojshme, apo ndaj projekt-amendamenteve kushtetuese që cënojnë sovranitetin e vendit, si dhe akteve të tjera të ngjashme, që haptazi ose tërthorazi përbëjnë gërryerje të atributeve sovrane të shtetit e popullit shqiptar.

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.