Rrëzimi i helikopterit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm: “Helikopteri nuk doli nga itinerari i paracaktuar. Shkaqet e rrëzimit po hetohen”

Postuar në 06 Prill, 2016 17:22

Sot një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, u njoftua se u rrëzua në rrethina të Shkodrës. Pati shumë informacione, mes të cilave dhe një deklaratë për shtyp nga Ministria ku thuhej se helikopteri ishte nisur për stërvitje, por pa saktësuar se për çfarë konkretisht. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Jeronim Bazo, ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka përsëritur që në fjalinë e parë se bëhej fjalë për një fluturim stërvitor të miratuar më parë. Më poshtë deklarata e plotë e tij:

“Është një dalje jo e zakontë kjo e sotmja, është një dalje që nuk do ta dëshironte askush. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftojnë se gjatë një fluturimi rutinë stërvitor  të planifikuar dhe miratuar më parë, një helikopter i Forcave Ajrore është aksidentuar në rajonin Grizhë të Malësisë së Madhe. Helikopteri “EC 145” me numër bordi 637 kishte në bord 3 ekuipazh, kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtar profesionist Gerald Baramuça. Me keqardheje më duhet të bëj me dije se dy nga anëtarët e ekuipazhit,  Kapiten Florian Deliaj dhe  toger Donald Hoxha kanë humbur jetën, ndërsa i treti, ushtar profesionist Gerald Baramuça po trajtohet në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Forcat e Armatosura kanë humbur dy ushtarakë të devotshëm, dy pilotë të talentuar që gjithmonë kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët. Në emër të Mistrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe gjithë personelit të FA përcjellim ngushëllimet tona më të ndjera për familjet e të rënëve në krye të detyrës, ndërkohë që i urojmë shërim të shpejtë të plagosurit. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë të menjëherëshme kanë angazhuar të gjitha burimet në dispozicion për të hedhur dritë mbi  rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti tragjik. Janë shumë pyetje që kanë nevojë për përgjigje, por do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që t’i japim kohën e nevojshme procesit të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes për të cilat jemi të gjithë të interesuar”.

Pyetje – përgjigje:  

A ka dalë helikopteri nga trajektorja?

Helikopteri EC-145 është futur në përdorim të FA në nëntor të vitit të kaluar. Të dy helikopterët EC-145 sapo janë marë nga FA, në bazë të kontratave disavjeçare tashmë  dhe ishin brenda kësaj periudhe fluturimi. Ndërkohë sikundër e thashë më lart, itinerari i fluturimit të këtij helikopteri ishte brenda trajektores, itinerarit të miratuar gjatë një stërvitjeje fluturimi rutinë, apo siç e quajmë ne, fluturim për njohje, pasi ky helikopter shërbente për operacionet e kërkim – shpëtimit. Ky ishte qëllimi i fluturimit.

Sa vite eksperiencë kishin pilotët dhe cili dyshohet se ka qenë shkaku?

Dy pilotët janë me një përvojë të lavdërueshme, të kënaqshme, të trajnuar gjërësisht brenda dhe jashtë vendit. Do t’ju kërkoja mirëkuptimin tuaj pasi në të tilla raste të ngjashme kudo në botë, kërkohet një kohë e domosdoshme maturie, saktësie profesionale për të hedhur dritën e duhur mbi incidentin në fjalë. Ne ju premtojmë në çdo kohë që do të kemi informacionet e duhura, do t’i ndajmë me publikun e interesuar dhe opinionin në Republikën e Shqipërisë, të cilët njësoj si ne, jam i sigurt, ndajnë të njëjtin hidhërim, respekt dhe mirënjohje për punën e lavdërueshme të pilotëve.

A i është nënshtruar kontrollit teknik helikopteri?

Është ende herët, pritet të mbidhen të dhënat e duhura dhe maturia e domosdoshme që kërkohet në këto raste, si kudo në ngjarje të tilla në botë. Përsa i takon kontrolleve, gjithçka është bërë brenda rregullave të fluturimit dhe të përgatitjeve përkatëse që bëhen në këto raste.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.