E kemi një virtyt: Meritojmë më shumë...

Postuar në 05 Prill, 2016 20:19

Sot është prezantuar një strategji e re në luftën kundër korrupsionit. Kështu njoftojnë mediat për takimin e “prezantimit te një strategjie të re në luftën kundër korrupsionit”. Frëza të tilla si këto të strategjive të reja të lënë krejtësisht indiferent sa kohë që ato janë përpjekje për të shpikur metoda dhe metodologji kur rruga kryesore dhe e vetmja, zbatimi i ligjit, është e shkatërruar.  Një rrugë ku ata që janë menaxherët dhe mbikëqyrësit, pra gjyqtarë e prokurorë bashkë me politikën, janë problemi dhe jo zgjidhja.

Megjithatë në këtë takim ka folur edhe ambasadorja e Holandës në Tiranë, e cila ndër të tjera tha: “Lufta kundër korrupsionit është rruga më e mirë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Dhe është një rrugë e vështirë sepse në këtë luftë ka shumë për të bërë. Unë dëgjoj ende që shqiptarët duhet ta blejnë një vend pune, por shqiptarët meritojnë më shumë. Ata meritojnë që të dalin nga zona e kuqe ku Shqipëria renditet si një ndër vendet me shkallë të lartë korrupsioni. Dhe hartimi i një strategjie për ta luftuar këtë fenomen është hapi i parë. Më vjen mirë që këtë strategji, këtë hap të parë e mbështet plotësisht edhe ministri Çuçi”( http://vizionplus.al/strategji-e-re-antikorrupsion/).

Pra shqiptarët meritojnë më shumë dhe ambasadores i ardhka mirë që këtë pikëpamje ia mbështet edhe ministri Çuçi, i cili është aty ku është pikërisht që blerja e vendit të punës të mos vazhdojë. Ose të kufizohet, apo ideale fare: dikush që e nxit këtë dukuri të çohet para drejtësisë.  Një ide të tillë e përmendi para disa ditësh edhe ambasadori amerikan, kur në një takim me studentë foli për nevojën e njerëzve të rinj në administratë e politikë.

Fjalë të mira pra për popullin shqiptar që vijon të trajtohet si viktima e përjetshme e mashtruesve që janë në politikë. Në të vërtetë do të duhet të nënvizohet se ky lloj polarizimi në vlerësime, që kap shpesh shumëkënd prej nesh, çalon po ta vendosësh në raport me realitetin. Të meritosh më shumë në thelb është të meritosh më mirë dhe më shumë se qeveria që ke. Por këtë qeveri e kanë votuar njerëzit vetë, njësoj siç kanë votuar krahun opozitar, gjithnjë me parimin e konsoliduar se votohet e keqja më e vogël.

Ta zëmë kur në vitin 2005 në pushtet erdhi Sali Berisha, të gjithë e dinin se kush ishte. Kur Ilir Meta u shkëput nga PS-ja në vitin 2004 ishte disi shpejt për të folur, por në vitin 2013, kur ndërroi kahun, askush nuk kishte ndonjë iluzion. Rilindja fitoi 1 milionë vota në vitin 2013 dhe ndoshta shpresa ishte e tillë që i dha mbështetje a priori një partie pa lexuar mirë programin dhe pa parë veprimet e duke mbyllur sytë para një Ilir Meta. Por në vitin 2015, kur 1 milionëshi u përsërit , vështirë se pretendimi për t’u zhgënjyer edhe njëherë qëndron apo justifikohet.

Një popull meriton qeverinë që ka – këtë thënie të shumëcituar e kemi legjitimuar, qoftë në rastin kur naivisht kemi besuar se kemi votuar dikë ndryshe, qoftë në rastin kur e kemi ditur shumë mirë se kë po votojmë, por kemi bërë atë kompromisin e famshëm “të së keqes më të vogël”. Këtu nuk po përmendim zgjedhjet lokale ku njohja e kandidatëve është shumë më e mirë nga komuniteti,  apo faktin se zgjedhjet e vitit 2017 qysh tani e riprodhojnë skenën e mësipërme.

Një shpresë për të merituar më shumë është te brezi i ri, por disa shfaqje të fundit me studentë ekselence që marrin tesera partie dhe rendin për të bërë elozhe, të lë shumë dyshues. Sikundër është shumë çorientuese mandej deklarata e ministres Harito se ka “1000 vende të lira pune në administratë, por nuk ka njerëz të kualifikuar”. Ishte po kjo ministre e cila pranoi se PS-ja udhëzonte njerëzit e vet si të aplikonin për një vend pune në administratë, ndërkohë që listat e rekomandimeve nga deputetë nuk u përgënjeshtruan asnjëherë.

Është një rreth vicioz i cili gërsheton kriminalizimin e sistemit ekonomik që është ngritur në Shqipëri, bazuar mbi paligjshmërinë dhe ligje që anashkalojnë të drejtat, me mbulimin e plotë të korrupsionit dhe  konvertimin e këtij të fundit në gjeneruesin e vetëm të energjive. Përndryshe nuk do të na duhej të prisnim ambasadorin amerikan për ndonjë arrestim, apo për reformën në drejtësi. As do na duhej ambasadorja holandeze për të na shprehur keqardhjen, të fshehur pas simpatisë për virtytet tona. E vërteta e hidhur është se Çuçin apo çuçët, veliajt, nokat, metat etj., pa four për Berishën si rekordmen,  i kemi merituar, pasi na kanë shkelur dhe ua kemi shkelur syrin. Ndonëse e kanë mbushur kupën.  Askush prej këtyre kryesorëve nuk hyri në politikë me një plan vjedhjeje; të gjithë deklaruan ndonjë kauzë fisnike: dikush demokracinë dhe tregun, një tjetër integrimin, një tjetër më tutje shpëtimin apo rilindjen. Por këto rezultuan kauza kafenesh ndaj edhe tribunët u shndërruan në tahmaqarë dhe taksidarë të padeklaruar, apo mogulë të korrupsionit dhe të korruptimit.

Meqë “Letrat Panameze” janë kryelajmi i ditës, një hollësi që ka kaluar pa u vënë re ka rëndësi për të shpjeguar këtë dukuri që këmben propagandën për drejtësi me korruptimin. Themeluesi i kompanisë “Mossak Fonseca”, Ramón Fonseca thuhet se kur ishte i ri donte të shpëtonte botën, donte të bëhej prift dhe mandej punoi për Kombet e Bashkuara. Sot? “Nuk shpëtova asgjë, nuk solla asnjë ndryshim”, deklaroi ai në vitin 2008. “Vendosa pra, kur isha disi më i pjekur, t’i dedikohesha profesionit tim, të krijoja një familje, të martohesha dhe të bëja një jetë të rregullt. Kur piqesh në moshë, njeriu bëhet më materialist”(https://panamapapers.icij.org/20160403-mossack-fonseca-offshore-secrets....). E njëjta gjë ndoshta edhe me "shpëtimtarët" tanë, që njësoj si Fonseca nuk tregojnë atë pjesën tjetër që e nënkuptojmë të gjithë. 

Comments

Submitted by dreqoja (not verified) on

Mos eshte gje "VELLAI", i Vehbi Alimuces ?
Ismail Kadare, dikur, ne kohe teper te larget, pat botuar nje poeme per PPSH-ne, dhe nje nder vargjet e kesaje poeme, ishte :
"KU T'I KERKOJ RRENJET E TUA PARTI ?"
Ky do te ishte perifrazimi me i mire i ketyre firmave OFSHOR.
Tung.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.