Presidenti kthen ligjin për kamerat e sigurisë në mjedise private dhe publike

Postuar në 04 Prill, 2016 14:30

Presidenti i Republikës ka kthyer sot për rishqyrtim ligjin “Për masat shtesë të sigurisë publike” në të cilin parashikohet vendosja e kamerave në mjedise private dhe publike.  Në arsyetimin e vet kreu i shtetit i përmbahet argumentimit se ligji nuk respektimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale të jetës private të qytetarëve. “Rregullimet ligjore në lidhje me masat shtesë të sigurisë, subjekteve që do i zbatojnë dhe përpunimi i të dhënave nuk sigurojnë respektimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve referuar Nenit 35 të Kushtetutës dhe Nenit 8/1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), duke vënë në dyshim se gjatë zbatimit të ligjit mund të krijohen premisa të cënimit të parimit të ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit referuar nenit 8/2 , 17 të KEDNJ-së”, shpreh qëndrimin e vet Presidenti Bujar Nishani. Ai jep tri arsye thememlore  pse rikthen ligjin që shkurtimisht janë: vendosja e kamerave në mjedise të hapura cenon privatësinë, çka bie ndesh sipas tij me nenin 35 të Kushtetutës që sanksionon se “mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj si dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut që normon se: “Çdo person ka të drejtë që t’i respektohet jeta e tij private dhe familjare, vendbanimi dhe korrespondenca e tij”. Krahas kësasj është edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Së dyti sipas Presidentit “ndërhyrja në të drejtën për jetë private dhe familjare përmes masave të parashikuara në nenin 8 të Ligjit nuk është e justifikueshme, e domosdoshme dhe proporcionale”. Shtuar këtu edhe një vërejtje direkte për punën e organeve ligjzbatuese: “Në rastin konkret, referuar dokumenteve parlamentare nuk del e qartë se përse masat e deritanishme  nuk kanë sjellë rezultate dhe përse pikërisht përdorimi i masave shtesë të sigurisë do të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë publike, zhdukjen e paligjshmërisë dhe informalitetit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Së treti presidenti vlerëosn se “Ligji  miratuar bie ndesh me Direktivën 95/46 EC  dhe dispozitat e ligjit nr.9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar”. “Ligji krijon mundësinë që përpunimi i të dhënave personale, i cili do të kryhet nga një prej sistemeve më të rëndësishëm, atë të video survejimit do të monitorohet nga ana e Policisë së Shtetit, pasi më parë ajo të ketë bërë vlerësimin e riskut  dhe të ketë vlerësuar se ku do të vendosen kamerat, ndërkohë që kjo është kompetencë e Autoritetit të Pavarur  të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

Nisur nga sa vlerëson Presidenti, ligji edhe nëse miratohet ai mund të çohet në Gjykatën Kushtetese nga Bujar Nishani, që pas ligjit të pronave e vendos mazhorancën në një pozitë jo pak të sikletshme. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.