Opozita mund dhe duhet të bëjë diçka më shumë sesa vetëm të konstatojë probleme

Postuar në 03 Prill, 2016 20:07

Partia Demokratike nxori sot në një deklaratë për shtyp, zëdhënësen e vet, Ina Zhupa, e cila bëri një denoncim të ri. Tha Zhupa: “Pasi ka shtënë në dorë çdo vend pune, çdo tender, çdo licensë, çdo tokë e truall, çdo plazh, çdo burim fitimi, me dekret të posaçëm të Edi Ramës, Koço po bëhet gati të fusë në kthetra dhe kalanë e Porto Palermos, dhe kjo është arsyeja pse Ministria e Kulturës vendosi ti japë me qira këto objekte të trashëgimisë kulturore”. Ministria e Kulturës ka paraqitur një projektligj për këtë çështje. Pra edhe nëse Kokëdhima e merr kalanë, qoftë edhe për t’i bërë qejfin Fatmir Toçit që e deklaroi si “Ali Pasha i ri”, duket se kjo do të jetë ligjore. Por Zhupa shtoi se: “Në mbarë vendin qytetarët janë të revoltuar për korrupsionin, hajdutërinë e Edi Ramës dhe oligarkëve të tij”. Pra akti si i tillë kontestohet si oligarkik, apo korruptiv.

Jemi në terrenin e hipotezave, por gjithsesi besojmë se PD-ja ka informacione. Mirëpo këtu ka një problem:  opozita mjaftohet vetëm me denoncimin e akteve të tilla dhe nuk ndërmerren veprime të mëtejshme që të sigurojnë qytetarët për vullnetin e saj.

Rastet e sipërpërmendura, duke iu përmbajtur opsionit të PD-së se kemi të bëjmë me paligjshmëri shtrojnë nevojën për një zgjidhje, përpos evidentimit të problemit. P.sh nëse ajo që thotë PD-ja se te Parku i Liqenit do të ndërtohen pallate, pse nuk deklarohet prerë dhe qartë se çdo ndërtim apo ndërhyrje që prek Parkun është antiligjor dhe se PD-ja me të ardhur në pushtet do të prishë çdo ndërtim që cenon hapësirën e gjelbër? Shembulli i dhënë nga qeveria aktuale me hedhjen në erë të pallatit në Vlorë, banorët e të cilëve mandej i dëmshpërbleu, është një rast i mirë për të justifikuar zgjidhje të tilla, që me siguri do të kenë efekt. Pasi çdo investitor apo blerës do të ndruhej nëse do të dëgjonte se forca politike që aspiron pushtetin është e vendosur të prishë ndërtime që janë aventurë dhe që ndërhyjnë aty ku ndodhet mushkëria e vetme e Tiranës. Por ka edhe raste të tjera. Bllokimi i pallatit te “Sky Toëer” në Tiranë, zotim i Edi Ramës kur ishte në opozitë, është një shembull tjetër.

Për monumentet problemi është edhe më flagrant në një farë mënyre. Ngjan e çuditshme që qeveria nuk ka fonde të mirëmbajë dhe ndërhyjë në një objekt që edhe në gjendjen që është tërheq turistë, siç është Porto Palermo, ndërkohë që i bie shkurt duke propozuar dhënien e monumenteve për kafene. Kudo aplikohen mënyra të tilla, por në një vend ku ka patur raste që ish-pronarë janë kompensuar në Butrint, në park arkeologjik, ka shumë vend për t’u shqetësuar. Qeveria aktuale iu kthye idesë së dhënies me qira të monumenteve, pasi kritikoi këtë praktikë që u vu në zbatim nga qeveria e shkuar. Sot është PD-ja që ngre zërin për Koço Kokëdhimën, por çfarë propozon për nesër kur të ndodhë rotacioni? Çfarë sugjeron PD-ja për monumentet, menaxhimin e tyre? Kjo është një kërkesë e domosdoshmë për një opozitë e cila jo vetëm duhet të rikthejë besimin e njerëzve, të transfomohet në alternativë reale, por edhe sepse përmes zgjidhjeve që sugjeron sqarohet deri diku nëse [PD-ja është distancuar sadopak nga praktikat që prodhoi me qeverisjen e vet.

P.sh sot ka shumë diskutim për konçesionet dhe ndërtimin, sektorë ku ka shumë dyshime për abuzime. Por kryetari i PD-së, nuk është dëgjuar të ketë thënë qoftë edhe gjysmë fjale për konçesione të paprecedentë si “Rapiscan” apo ngjyrosja e karburanteve. Vitin e fundit të qeverisjes së PD-së u bëmë dëshmitarë sesi kryeministri në mbledhje qeverie deklaronte pezullimin e akteve të pushtetit lokal për leje e ndërtime në Farkë, ndërkohë që zullumi ishte bërë i plotë. Gjithë pra një trashëgimi problematike, që vijohet nga duar të tjera, pa u kaluar në një sitë kritike dhe në një analizë që do ta bënte reale alternativën për kapërcimin e situatës.

Për momentin nuk ka një zë tjetër që të përçojë këto shqetësime. Një mënyrë që PD-ja të dëshmojë se është e gatshme dhe në gjendje të bëjë diçka më shumë sesa të konstatojë problemet, shenjë kjo se kërkon pazar me qeverinë, është të ndërmarrë hapa konkretë, publikë dhe të cilëve mund t’u përmbahet. Le të kujtojmë këtu se Sali Berisha e nisi rrugën e qeverisjes me bllokimin e mbikalimit te Zogu i Zi, që ishte ndër të tjera edhe një luftë me Bashkinë e Tiranës që drejtohej nga Edi Rama. Nuk ka më nevojë për hakërrime dhe kapriço të tilla. Nuk ka më as nge dhe as nerva, pa folur për kostot. Do të mjaftonte një program realist, konkret dhe disa zotime që vijnë në përputhje me shqetësimet publike, jo për t’u konformuar me humorin e momentit, por për të lëvizur nga balta e tranzicionit të llafeve të pafundme me instrumente reale, një ndër të cilët është një opozitë Reale.

Comments

Submitted by Profesori (not verified) on

PD eshte kethyer ne nje parti DYLBERESH.
Kush me shume e kush me pak, jo fizikisht, por me filozofine, sjelljet, qendrimet, oponencen, etj, etj, tregojne per dylberllek te karakterit.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po cfare mund te beje me shume nje opozite se sa te denoncoje e demaskoje veprimet e paligjeshme te qeverise ?
Ka depozituar ne prokurori gjithato akuza qe me kete ritem hetimesh, mund t'ju vije rradha pas 20 vjetesh.
Mos duhet te beje ndonje "revolucion bollshevik" per permbysjen e pushtetit me dhune ?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.