Nis deportimi i emigrantëve nga Greqia për në Turqi

Postuar në 04 Prill, 2016 10:28

Ka filluar mëngjesin e të hënës deportimi i emigrantëve të paligjshëm nga brigjet greke për në ato turke. Operacioni është pjesë e marrëveshjes BE-Turqi, e arritur në mesin e muajit mars dhe përfshin emigrantë të paligjshëm, të cilët nuk përmbushin kushtet për marrjen e azilit në vendet europiane.
131 emigrantë, kryesisht nga Pakistani dhe Bangladeshi, janë imbarkuar në dy anije turke, që janë nisur nga porti i Mitilenës në ishullin Lesvos, për në qytetin bregdetar turk Dikili. Siç bëri të ditur komiteti qeveritar për menaxhimin e krizës, nga një ishull tjetër grek, Chios, u deportuan drejt Turqisë 66 emigrantë, që të gjithë nga Pakistani.
Sipas planizimit të operacionit, secili prej emigrantëve të deportuar shoqërohej nga një pjesëtar i agjencisë europiane të mbrojtjes së kufirit, Frontex. Në anijet ndodhej edhe një skuadër forcash speciale të policisë greke. Marrëveshja me palën turke parashikon që deri të mërkurën të deportohen 500 emigrantë. Ndërkohë, agjencia greke e lajmeve ANA-MPA raportoi se nuk do të deportohen familje, por vetëm individë nga Pakistani dhe vende të Afrikës Veriore.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.