Këllëf apo pisqollë?

Postuar në 30 Mars, 2016 04:49
Ilir Mborja

Pas përleshjeve të fundit mes policisë dhe opozitës, që nuk do që të lejojë ndërtimin e parkut të lodrave për fëmijë tek Liqeni në Tiranë, bëri bujë, edhe më shumë se plagosja e tri vajzave police, ajo që fiksuan kamerat:  pistoleta në brezin e një përleshësi civil. U tha se ishte deputeti demokrat Gent Strazimiri. Po të hënën në mbrëmje, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Arben Ristani, pasi mbaroi mbledhja e kryesisë së PD-së, u ndal para gazetarëve dhe na çuditi me ato që tha: “Të jeni të bindur që deputeti Strazimiri nuk ka pasur pistoletë. Eshtë një mashtrim mediatik ndaj deputetit Strazimiri për të njollosur aksionin e opozitës. Fotoja nuk tregon asgjë. Për mua ka qenë këllëfi i celularit...”.

Pas kësaj deklarate që dha, u përqendrova pak më me vëmendje tek fotoja që kishte fiksuar momentin e diskutueshëm.  Dhe mua personalisht ashtu m’u duk. Mu si pistoletë ngjante ajo që kishte në brez personi në fjalë. Pistoletë që ç’ke me të dukej të ishte ajo. As këllëf dhe asgjë tjetër. Por, mua në fakt, nuk m’u duk të ishte deputeti Strazimiri ai personi që mbante në kokë një kapele “alla Broduej” dhe përleshej aq vrullshëm me policët.  Por kjo gjë, pra që personi përleshës që kishte rrasur në kokë atë kapele ishte ai Gent Strazimiri, nuk u mohua nga askush. As nga ai vetë. Prandaj nuk ia vlen të zgjatem në këtë pikë. Personi me pisqollë, a me “këllëf celulari” në brez, ai ishte. Deputeti i PD-së Gent Strazimiri.

Kështu që çështja që po debatohet është vetëm kjo:  ishte këllëf apo pisqollë? Socialistët i janë drejtuar prokurorisë ta zgjidhë këtë mëdyshje. Ne le t’i drejtohemi Fjalorit të Gjuhës Shqipe. Për fjalën e parë ai jep këtë shpjegim:

KËLLËF m. sh.

1. Pëlhurë e qepur si qeskë a si thes i vogël, që mbështjell jastëkun ose dyshekun për ta mbajtur pastër. Këllëf i qëndisur. Këllëf jastëku (dysheku). I vë këllëfin.

2. Kuti prej kartoni, prej lëkure etj., në trajtën e sendit që futim në të për ta mbrojtur nga goditjet, që të mos thyhet, të mos prishet a të mos fëlliqet. Këllëf mbrojtës. Këllëf lëkure (metali, kartoni). Këllëf thike (shpate, pistolete, kitare, syzesh).

3. Mbulesë a kësulë prej metali (prej ari, prej argjendi etj.), që i vihet dhëmbit të prishur. Këllëf ari. Këllëf…

Ndërsa për atë tjetrën që e pamë të gjithë, por nuk e shohin Ristani me Bashën, fjalori i shqipes në stilin bisedor e përcakton si të tillë:

PISQOLLË f.

1. hist. Armë e vjetër me çark, që mbushej nga gryka dhe mbahej në brez; kobure. Pisqollë e larë në argjend.

2. fig. mospërf. bised. Njeri i trashë nga mendja, njeri që nuk gjykon fare;  kobure.

***

Kur lexon me kujdes shpjegimin e fjalorit për të dyja këto fjalë, nuk ka sesi mos të vëresh një farë lidhjeje midis këtyre dy sendeve. Ato të dyja, këllëfi dhe pisqolla, jo vetëm bashkëveprojnë mes tyre, por siç e shpjegon fjalori, këllëfi duke pasur pikërisht “trajtën e sendit që futim në të” është krijuar pikërisht për t’i shërbyer atij, d.m.th pisqollës në këtë rast: “për ta mbrojtur nga goditjet, që të mos thyhet, të mos prishet a të mos fëlliqet”. Pra, a nuk ju duket fare i kotë debati për të ndarë në ishte pisqollë apo këllëf ajo që mbante në brez deputeti demokrat në përleshjen e së hënës? Nuk është më e mençur ta lemë mënjanë atë mëdyshje dhe të ndajmë se ç’është vetë deputeti Gent Strazimiri. Këllëf apo pisqollë?

Po vetë kauza për mbrojtjen e mjedisit nga kanosja e rrezikut që sjellin lodrat e kalamanjve që do të vendosë Bashkia atje, ç’është? Këllëf celulari apo pisqollë?

Ta vështrojmë pak më seriozisht problemin me syrin e kësaj simbolike gjithsesi qesharake në dukje. A nuk ju duket se kjo loja me këllëfë dhe me pisqolla është e vjetër sa vetë historia e PD-së? Ja të ndalemi pak vetëm tek dy tre raste dhe t’ia lemë vetë lexuesit t’i ndajë se ç’janë në të vërtetë ato.

Pas 23 qershorit të 2013-s, kur Berisha përzgjodhi pasardhësin e tij, a nuk ju duket se e përdori Lulzim Bashën tamam ashtu siç e shpjegon fjalori i shqipes, si:  “Mbulesë a kësulë prej metali (prej ari, prej argjendi etj.), që i vihet dhëmbit të prishur. Këllëf ari. Këllëf…”?

Po kur Arben Ristani ishte Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk i shërbeu si “këllëf ari” Lulzim Bashës për t’u bërë Kryetar i Bashkisë së Tiranës më 2011? Vini re sa ngjashmëri ka midis shpjegimeve të fjalorit për këllëfin me mënyrën e numwrimit të atyre votave nga kryekomisioneri i atëhershëm Arben Ristani:

“KËLLËF m. sh.- Kuti prej kartoni, prej lëkure etj., në trajtën e sendit që futim në të për ta mbrojtur nga goditjet, që të mos thyhet, të mos prishet a të mos fëlliqet...”.

A nuk duket qartë se ky shpjegim përputhet aq shumë me atë histori, sikur të jetë bërë pikërisht për “kutitë e gabuara” të fletëvotimeve të Ristanit, që të mos thyej apo fëlliqej Lulzim Basha? A nuk e provoi më pas shërbimin prej këllëfi mbrojtës të tij vetë Luli kur e përzgjodhi Ristanin për Sekretar të Përgjithshëm të PD-së?

Po kur dëgjoni të flasin në foltoren e Parlamentit Gent Strazimiri apo, kur artikulon mendimet e tij Flamur Noka, a nuk gjeni shpjegim tek përkufizimi i fjalorit për PISQOLLË-n: “...armë e vjetër me çark, që mbushej nga gryka...Njeri i trashë nga mendja, njeri që nuk gjykon fare; kobure”.

Dhe kështu, me histori pisqollash e këllëfësh nga të dy anët e politikës sonë mund të vazhdosh pafund. Po le të largohemi nga përleshja e parkut të Liqenit dhe këllëfi që mbante pisqolla me kapele dhe të mundohemi të shohim thelbin e gjërave akoma më seriozisht:

A nuk ka qenë dhe vazhdon të jetë ende një “këllëf i hekurt” i gjithë sistemi ynë i sotëm i drejtësisë që mbron politikanët të krimbur në korrupsion? Këtu, tek sistemi i gjyqsorit, qëndron problemi. Vetëm këtu. Dhe prandaj sot nuk ka vend që dikush të hutohet nga zhurma e pisqollave që shpërthejnë tek parku i Liqenit apo të enjteve në sallën e Parlamentit. Të gjitha ato sajohen për të shmangur atë që synon ta zhbëjë këtë këllëf mbrojtës të kriminelëve me imunitet, Reformën në Drejtësi. Prandaj nuk duhet harruar as sot, se si për 25 vjet, të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm, pa përjashtim, deri para Llallës, i dolën armiq Berishës. Nuk do shumë mend për të kuptuar se kujt nuk i ndahet shpirti nga “këllëfi mbrojtës” i tij. Prandaj, sot nuk ka pikë rëndësie të humbësh kohë në diskutimin nëse ishte pisqollë apo këllëf ajo që mbante në brez Gent Strazimiri.

Ashtu ishte, siç tha Arben Ristani...Këllëf ceculari mbante në brez ai. Asgjë tjetër veç këllëfit nuk mbante pisqolla me kapele... Problemi është tek ai “këllëfi” që pengon Reformën. Tek ajo që e dinë dhe besojnë të gjithë në këtë vend se, pa një Byro Hetimi të pavarur, Berishës nuk i hyn gjemb në këmbë. Me një prokuror që varet nga “këllëfi mbrojtës” prezervativi i tij Adriatik Llalla, vrasësit e Gërdecit apo të 21 janarit nuk kanë për t’u ndëshkuar kurrë.  Askush nuk e beson në të kundërtën. Ashtu, si nuk e besoi njeri Bashën që “ishte tre vjet me grip” kur e thërriste prokuroria për aferën e rrugës së Kombit, gjersa skadoi afati dhe e shpëtoi “këllëfi i procedurës”. Edhe pa dëgjuar ekspertizën e FBI-së njerëzit e dinin se më 21 janar Faruk Myrtën e vrau plumbi i gardistit të Kryeministrisë dhe jo cifla e lëvozhgës së pemës siç tha “këllëfi i krimit”, Gjykata shqiptare. Le të më thotë ndokush se a do shumë mend të kuptosh se kush kishte interes të fshinte natën e 21 janarit serverin e Kryeministrisë dhe të zhdukte provat filmike? Krimineli që urdhëroi të qëllohej në mish ishte i interesuar. Kush tjetër veç atij pisqolle?..

Dhe historia me pisqolla dhe këllëfë s'ka të mbaruar...

***

Nga e enjtja që kaloi, në sallën e Parlamentit, morëm vesh se Reforma në Drejtësi nuk do të kalojë aq shpejt sa u duk pak ditë më parë. “Ky parlament nuk mund të vazhdojë misionin e vet pa larguar deputetët që dyshohet se kanë shfrytëzuuar fondet publike dhe pa i vendosur ata para ligjit. Shumica injoroi vendimet e Gjykatës Kushtetuese” e nisi fjalën i pari në këtë seancë Eduard Halimi. Ai, duke luajtur plotësisht rolin e “pisqollës së Berishës” deklaroi qartë se "Opozita (nënkupto ai me të gjithë pisqollat që komandohen nga Berisha) do të vazhdojë të këmbëngulë dhe se Parlamenti nuk do të lejohet t’i kthehet normalitetit për sa kohë maxhoranca e majtë nuk largon personat (që sipas tij) kanë përfituar nga fondet publike." Kaq dhe më pas, çdo gjë mori rrokullimën.

Kështu pra, Parlamenti ynë nuk po e gjen dot qetësinë e domosdoshme për të hyrë normalisht në rendin e ditës për të votuar Reformën në Drejtësi. Hymë kështu në javën e pestë, që “këllëfët dhe pisqollat” e PD-së të marrë zvarrë nga Berisha mbajnë atë që e konsiderojnë “qëndrimin e kushtëzuar ndaj parlamentit” deri në zbatimin e vendimit të Gykatës Kushtetuese për mandatet e deputetëve Kokëdhima, Suli dhe Leskaj të akuzuar nga PD-ja si të dyshuar për përfitime të jashtëligjshme duke shfrytëzuar mandatin e deputetit. Për Koço Kokëdhimën, më në fund, mazhoranca ia bëri qejfin kësaj opozite dhe e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese për interpretim mandatin e tij. Me këtë veprim u zhvlerësua akuza e Berishës se, me atë qëndrim, socialistët nuk e kishin hallin për të mbrojtur Sulin, por Kokëdhimën. Megjithatë, të enjten që kaloi deputetët e tij nuk u ndalën duke e fokusuar sulmin tek deputeti socialist Rakip Suli. Ata u derdhën para foltores duke e shndërruar atë në një daulle të zhurmëshme për të mos lejuar askënd të flasë, qoftë edhe deputetin Rakip Suli për të replikuar?!

Të enjtet e Parlamentit tonë, prej kohësh kanë qenë përgjithësisht të shëmtuara. Të shëmtuara gjer në neveri. Fyese për këdo që ka durim dhe i ndjek seancat e tij. Them fyese se, nga ajo sallë e mbushur me të inkriminuar gjer në palcë, dëgjohet morali më hipokrit që mund të ekzistojë në faqe të dheut. Shqiptarët që i kanë votuar, përfillen nga këta pisqolla a këllëfë të Berishës për naivë, për leshko... Por puna është ndryshe. Njerëzit janë më të mençur se sa i marrin ata. Edhe objektivë janë. Edhe njerëzit e Rilindjes që nuk i kanë shumë të lehta hesapet me Inspektoriatin e Kontrollit të Lartë të Pasurive, njerëzit i dinë. Kështu, asnjë njeri nuk ka besuar se, kur me t’u bërë deputetë dhe kompanitë i kaluan në emër të familjarëve të tyre, u zgjidh problemi i influencave. Mund të mos ketë asgjë të paligjshme në historinë e djalit të Valentina Leskajt, madje si madhor që është, duket legjitime që ai të mos privohet nga e drejta të përfitojë tendera në investime të mëdha meqë ka mamanë në atë pozicion. Por njerëzit e kanë të vështirë të besojnë se djali i nënkryetares së Parlamentit është i barabartë me investitorët e tjerë në një garë që e gjykon dhe e vendos qeveria e mamasë së tij. Edhe mua që po shkruaj, pavarësisht ligjshmërisë, kjo histori nuk më le shije të mirë.

Nuk dyshoj që kërkesa për të çuar në Kushtetuese dy deputetët socialistë, ashtu si edhe kauza “këllëf” e saj për mbrojtjen mjedisore te parku i Liqenit, janë “pisqollat” e radhës të Berishës që i trembet si djalli temjanit Reformës në Drejtësi dhe sidomos Byrosë së Hetimit. Mund të jetë edhe krejt e palogjikshme juridikisht kjo kërkesë e tij. Po pse nga socialistët nuk lëshohet pak pe për këtë kërkesë të tij? Çfarë i kushton PS-së t’ia plotësojnë qoftë edhe këtë preteks të fundit Berishës?! Pse nuk dërgohen për shqyrtim në gjykatë për verifikim mandatet e tyre? Nuk kemi dëgjuar që Gjykata Kushtetuese të hajë njerëz. Sidomos kur janë në pajtim me ligjin. Lëre pastaj kur janë në pushtet. Nëse janë në të drejtën e tyre, asgjë nuk do t’i gjejë deputetët Suli dhe Leskaj. Por edhe po u hoqën gabimisht, pastaj ç’u bë? U përmbys bota? Cila është kostoja e këtij lëshimi për PS-në? 0. Po për Shqipëtarët mos lëshimi në këtë pikë? – I pallogaritshëm.

Të gjithë e dinë ku e ka burimin zullumnaja që bëhet çdo të enjte brenda sallës së Parlamentit. E thotë Berisha vetë kur del nga ajo sallë aty sapo zbret shkallët. Edhe këtë të enjte që shkoi, shejtan budalla krejt i paparashikueshëm si ai, Berisha shkrehu pisqollën dhe kërkoi para gazetarëve shkrirjen e parlamentit, pasi, sipas tij, maxhoranca ka konsumuar aktin më të rëndë kushtetues, atë të grushtit të shtetit!!!

Në këto kushte, pragmatizmi i PS-së, duke parë filozofinë e gjuhës së përdorur nga Berisha dhe të tijtë, duhet të ushqejë logjikën që provon të vërtetën. Është i njohur që nga koha e Platonit sofizmi: “Një gjë që nuk e ke humbur, do të thotë se e ke.” Kështu, edhe me dy deputetët socialistë Suli dhe Leskaj. Nëse nuk e kanë shkelur ligjin, ta gëzojnë mandatin! Përndryshe, dy të tjerë le t’i zëvendësojnë ata dhe të enjten që vjen t’i hapet rrugë votimit të Reformës në Drejtësi.  Socialistët nëse e duan vërtetë atë, duhet ta ndërrmarrin këtë hap. Edhe për parkun e lodrave tek Liqeni mund të tërhiqen. Më mirë 1 Qershori të na gjejë pa lodrat e kalamanjve, se sa pa Reformën në Drejtësi . Nuk është ndonjë lëshim i madh, qoftë edhe për t’i hapur rrugë ca të çmendurve me pisqolla në brez. Ndërsa për atë në ishte pisqollë apo këllëf ajo që duket në foto, mendoj se nuk ka rëndësi. Për mua ishte veçse një këllëf...

Comments

Submitted by Fiorentina (not verified) on

Si gjithmone godet Ilir,por jo me pis-qolle.As me kellef.Ti godet me fjale.Dhe ty te ka peshe fjala , se fjala eshte me e rende se plumbi i pis-qolles.Por per fat te keq,sot ligjin e ben Pis-qolla.Deri kur ???

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

Zoti Mborja, me ke plotesuar shpirtin me kete hollesi analize gazetarie te nivelit te larte, gje teper e rralle ketu tek ne.
Cdo gje botohet me shumice, c'tu vije per mbare, duke kujtuar se bejne gazetari, por vetem gazetari nuk bejne. Kjo ndodh ne te gjitha organet e shtypit, pa dallim, e printuar apo online.
Jam kenaqur.
Per plotesim, te PISQOLLES, ne Shkoder, SQOLL, i thone lavapjatit, qe dikur, ka qene ne oborr, nje si lloj grope me beton, ku laheshin enet. Pis-sqoll thuhej kur aty ishin lare enet, por nuk ishte lare sqolli. Gjithsesi, ploteson shume bukur idete e shprehura nga ju ne kete shkrim bukur te arrire.
Ju admiroj.
Gjithenji tregoni nivel te larte intelektuali te mbrujtur me kohe, e jo dhushem sic po ndodh keto kohet e fundit nder ne.
Tung.

Submitted by Ilir Mborja (not verified) on

Faleminderit Ndoc! Te perqafoj per inkurajimin dhe fjalet e mira qe me thua.

Submitted by Myslim Maska (not verified) on

Nje analize e sinqerte, reale, konstruktive dhe e paaneshme. Urime.

Submitted by Ilir Mborja. (not verified) on

Faleminderit miku im, shkrimtari i mrekullueshem Myslim Maska! Megjithese ke "konflikt interesi" te perqafoj per inkurajimin dhembeshtetjen.

Submitted by Nënkryetarja e ... (not verified) on

Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj i ka dërguar një letër, kryeparlamentarit Ilir Meta, ku i kërkon që mandati i saj të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

Letra që Leskaj i ka dërguar kryeparlamentarit, pritet që të njoftohet nga Ilir Meta në nisje të seancës plenare.

Ndërkohë mandati i deputetes Leskaj, por edhe i deputetit Rakip Suli janë kushti i opozitës për kthimin ne Kuvend.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.