Të jesh në dorë të kësaj policie...

Postuar në 23 Mars, 2016 17:34

Sot kanë dëshmuar në Gjykatën e Lartë efektivët e policisë që kanë qenë prezent gjatë konfliktit mes fiseve Cali e Prenga për Lagunën e Patokut. Është fjala për ngjarjen që çoi deputetin e PS-së, Armando Prenga drejt përleshjes me armë dhe arrestimin e tij. Kuptohet deri sa të lirohej sërish e sot të jetë një deputet si gjithë të tjerët në Parlamentin shqiptar. Njësoj si në rastin e videos Meta – Prifti edhe me këtë ngjarje ka një autizëm të klonuar në logjikën e ngjarjeve: Prenga thuajse pranoi ngjarjen, ndërkohë që sot policët thonë se “nuk e kamë parë atë në përleshjen para komisariatit në Laç”. Argumenti: Ishin 20-25 vetë që po ziheshin. Çfarë ndodhi me videon ku dukeshin “gishtërinjtë e trashë të Ilir Metës”, sa për të përdorur një shprehje të një rilindasi? Meta e pranoi, kurse gjykata e sqaroi. Janë tre policët që sot kanë deklaruar me konsensus se “nuk kanë parë gjë”: Agim Vathaj, Gjon Kola dhe Lutfi Hima. “Policët dëshmuan më pas se nuk kishin arritur të merrnin dot kallëzimin e Gjok Calit në komisariat për shkak se jashtë komisariatit nisën krisma armësh, por ata thonë se nuk e kanë parë Armando Pregnën. Polici Lutfi Hima është shprehur se në sherrin jashtë komisariatit ishin gati 20-25 persona”, raporton “Top-Channel”.

Të imagjinojmë për një çast sikur të jesh në dorën e këtyre lloj policësh, të marrësh gjobë nga këta, të ndalohesh dhe kontrollohesh, të kërkosh mbrojtje te kjo polici. Menjëherë automatizohet ajo shprehja: “Dy duar për një kokë”. Me gjasë edhe deputeti Prenga këtë ka patur parasysh për policinë kur u hodh përpara ta zgjidhte vetë hallin(!)

Nga ana tjetër, ky “verbim” total që çon në pohime identike, refuzohet edhe nga shkenca si i saktë. Tingëllon ironike, por një studim i fundit i Universitetit të Adelaides dhe Angers thekson pikërisht këtë se “probabiliteti i një deklarimi unanim në dëshmimin e një ngjarjeje është shenjë gabimi”( http://phys.org/news/2016-03-statistics-unanimous-agreement-witnessed-ev...). Dhe kjo edhe kur të gjithë pohojnë atë që besojnë se kanë parë, jo si në rastin konkret kur “nuk e di” është një bashkësi fjalësh shpëtuese nga një siklet i madh.

Këto dëshmi kanë rëndësi edhe sepse na riprovojnë se kjo polici luan në fakt rolin e truprojës për qeveritarët dhe jo të ruajtjes së rendit. Raporti i fundit i Prokurorisë, pavarësisht se kush e kontrollon këtë institucion, zbulonte se numri më i madh i të arrestuarve për energjinë elektrike ishin të papunë. Dhe që me standard europian kanë të drejtën e shërbimeve bazike, si ujë dhe drita, edhe kur nuk kanë mundësi të paguajnë. Jo. Jo në Shqipëri, një vend ku siç po na çajnë menderen duke na e përsëritur, reformat po prekin rehatinë e disave, po prekin interesa. Po cilën rehati dhe cilat interesa preku e ashtuquajtura reformë në sektorin e energjisë? E duke parë këto lloj dëshmish, mund të pyesim: cilat rehati dhe interesa do të prekë reforma në Drejtësi, kur faza e parë e një procesi, marrja e provave nis kështu, me dëshmi si këto të këtyre policëve? Të cilët për të nxjerrë prova e dëshmi nga të tjerët nuk mungojnë të aplikojnë edhe dhunë?

Ka një thënie që e kishim harruar prej 31 vitesh e që po na risjellin sërish: “Qentë le të lehin, karvani të ecë përpara”. Nuk ka asnjë dyshim që do të ecë përpara me një polici si kjo që luan rolin e ruajtësit të karvaneve.

 

Comments

Submitted by Interpoli (not verified) on

Te pakten, nuk jane si ne kohen e pritezotqametit SALI, me modele si Kulicaj me shoke, qe vrisnin koleget e tyre per afera koruptive, dhe te vrisnin kater veta ne bulevard.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.