Pensionet private me pagesë të detyrueshme. Skemë financimi për fondet private nga sigurimet shoqërore

Postuar në 19 Mars, 2016 15:10

Qeveri mendon të vendosë së shpejti sigurimin me detyrim në skemat private të pensioneve. Gazeta “Shqip” raporton se në takimin e djeshëm të organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka Botërore, një nga anëtarët e Këshillit Administrativ të ISSH-së, Naim Hasa, deklaroi se “në mbledhjen e fundit të këshillit është vendosur të paraqitet një studim mbi vendosjen e shtyllës së kontributit të detyrueshëm për skemat e pensioneve private”. Si operohet në këtë skemë? Njësoj pak a shumë si në të ashtuquajturën reformë të Arsimit të Lartë, ku universitetet private financohen në një masë nga paratë publike. Sipas Hasës që referohet nga “Shqip”: “Kjo skemë mbështetet në kontributet që paguan punonjësi në formë kursimi dhe në vlerën e shtuar nga investimi i tyre. Sipas shpjegimit të Hasës, nga kontributi i sigurimeve shoqërore, që aktualisht është 21.6%, është diskutuar që për llogari të fondeve private, të ndahet një pjesë, rreth 3% (1.6% të paguhet nga punëdhënësi dhe 1.4% nga punëmarrësi). Alternativa tjetër, më pak e mundshme, është që ky tre përqindësh të jetë një kontribut shtesë”. Nuk dihet se çfarë përfiton shteti nga kjo skemë shpërndarjeje, pasi po të jetë për sigurimin tek privatët, kjo mund të bëhet aktualisht nga vetë qytetarët nëse dëshirojnë. Të bësh shpërndarjen e fondeve që vjen nga kontributi i qytetarëve dhe puënëdhënësve drejt fondeve private, është as më shumë e as më pak financim i këtyre të fundit, në kushtet kur në tregun shqiptar asnjë nuk ia ka dalë të konkurojë me skemën shtetërore.
Para një viti, qeveria u mburr para shqiptarëve me atë që e quajti reformë në sistemin e pensioneve. U tha atëherë se skema është efektive, madje në ndonjë rast u përmend edhe fjala revolucionare, por i vetmi aspekt i prekshëm i saj është rritja e moshës së pensionit. Me zhvillimin e fundit ky pretendim bie. Bie, sepse propozimi që po bëhet nga AMF-ja dhe operatorët privatë do të duhet të ishte diskutuar paralelisht që në fillim me qeverinë, në mënyrë që skema dhe refoma të kompletohej në elementët e vet. Hasa ka disa shifra në dorë që favorizojnë nevojën e ndërhyrjes, gjithnjë në një realitet që është bërë lëmsh dhe që nuk pasqyron të drejtat e atyre që kontribuojnë. “Përfitueshmëria nga pensioni në raport me kontributet e derdhura, në Shqipëri aktualisht është rreth 33 për qind, kundrejt 75 për qind që është norma ligjore. Kjo situatë vjen për shkak të numrit të ulët të kontribuuesve përballë përfituesve të pensionit (1.2 kontribuues me 1 përfitues). Si rrjedhojë, sistemi i detyrueshëm i sigurimeve shoqërore prodhon më shumë pensione minimale (65% e totalit). Sipas ekspertëve të Bankës Botërore dhe të AMF-së, në Shqipëri ka ardhur koha që sistemi i pensioneve të mbështetet në tri kolona: sigurimet shoqërore (e detyrueshme); skemat private të pensioneve (e detyrueshme); skemat vullnetare (sipas dëshirës). Sipas specialistëve të AMF-së, Këshilli i Ministrave ka aktualisht në dorë draftin me ndryshimet që pritet t’i bëhen ligjit “Për fondet e pensioneve vullnetare”. Ndryshimi kryesor që pritet të bëhet në këtë ligj është heqja e tatimit personal mbi të ardhurat nga pensionet private dhe njohja si shpenzim për efekt të tatimit të pagesave për kontributet e planeve të pensioneve private në masën deri në 250 mijë lekë për një punonjës”, raporton “Shqip”. Siç shihet më sipër Shqipëria vijon të shpresojë te një sistem i përzier, duke detyruar njerëzit të kontribuojnë për pensionin e tyre, ndërkohë që u jep alternativënër sigurim vullnetar. Diçka që nuk dihet si të përkufizohet. Sigurimi për efekt pensioni nuk ka pse të jetë shqetësim i një qeverie, përpara sesa të jetë shqetësim i vetë qytetarit. Kjo pasi çdo qeveri do të përpiqet të mbajë në këmbë financimin e një skeme që nuk po funksionon, duke rritur njësoj si në BE moshën e daljes në pension. Të ndjekësh këtë qasje kërkon medoemos një studim për shëndetin e popullsisë, pasi nëse jetëgjatësia mesatare në Shqipëri pranohet ende 72 vjet, rritja e moshës së pensionit në 67 vjeç, e bën kontributin e një jete të tërë thuajse të pavlerë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.