Lapsusi i ministrit me emrin e Maqedonisë, tërmet politik në Greqi

Postuar në 16 Mars, 2016 11:00

E ardhmja e koalicionit qeveritar në Greqi ndodhet në pikëpyetje të madhe, pasi aleatët e kryeministrit Tsipras, “Grekët e Pavarur”, kërkuan dorëheqjen e ministrit të emigracionit, Janis Muzalas. Muzalas, gjatë një interviste që u transmetua në orët e vona të së martës, e përmendi Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, gjë që politika zyrtare nuk e ka pranuar kurrë. Muzalas e bëri këtë kur po shpjegonte ngjarjen e të hënës, kur disa qindra refugjatë kaluan në territorin e vendit fqinj. Ministri po thoshte se “persona që nuk kanë asnjë lidhje me organizatat joqeveritare dhe vullnetrarët që ndihmojnë në idomeni, organizuan kalimin në Maqedoni”. Përmendja e emrit Maqedoni për shtetin fqinj nga një përfaqësues i qeverisë greke, shkaktoi reagimin e menjëhershëm të partive opozitare.

Demokracia e re e cilësoi si një “sjellje të pahijshme”, që përforconte argumentet e Shkupit zyrtare dhe shtonte se ministri duhet të mendojë ndoshta edhe dorëheqjen. Pak a shumë i njëjtë ishte dhe reagimi i PASOK-ut. Qeveria u përgjigj menjëherë ndaj kritikave, duke i cilësuar ato si të ekzagjeruara dhe hipokrite. Vetë Muzalas kërkoi publikisht ndjesë, duke ia atribuar “lapsusin” nxitimit. Por kjo ndjesë duket se nuk e ka bindur kryetarin e grekëve të pavarur, ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos, i cili që nga momenti i parë kërkoi që ministri i emigracionit të japë dorëheqjen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.