“Nuk kemi synim ndarjen e PS-së”

Postuar në 12 Mars, 2016 18:31

Ben Blushi i ka dhënë sot një intervistë “Zërit të Amerikës” përmes së cilës ka sqaruar pozocionin e vet dhe synimet e Lëvizjes për Demokraci që është zyrtarizuar në PS, gjatë punimeve të Asamblesë. Blushi thotë se dokumenti i publikuar, është një dokument parimesh dhe se ai nuk synon ndarjen e PS-së. “Shtypi ka abuzuar, pavarësisht se jam gjithnjë pro shtypit. Nuk mendoj se shtypi nuk ka të drejtë. Shtypi nuk ka të drejtë kur nuk ka informacion, dhe është rasti t’ja japim. Ajo që u paraqit në Asamble dhe që u quajt si Lëvizje, është një dokument parimesh. Nëse e lexoni, ato janë disa parime themelore mbi të cilat ndërtohet funksionimi i një partie politike. Ajo nuk është embrioni i një partie të re, apo një shizme (ndarjeje) brenda PS-së. Unë kam patur mundësi ta bëj këtë në vitin 2009 por nuk e kam bërë. Nuk kam pse ta bëjë sot kur PS është në pushtet. Qëllimi im nuk është të rrëzoj PS-në nga pushteti. Përkundrazi. Jam i interesuar që të jetë një parti e hapur, funksionale e qendrës së majtë. Gjëra që nuk po ndodhin. Pra partia nuk është e hapur, nuk është demokratike, nuk është funskionale dhe nuk po qeveris sipas qendrës së majtë. Shqipëria ka nevojë për një të majtë moderne që për fat të keq nën trysninë dhe presionin e Rilindjes si filozofi, Partia Socialiste nuk e ka më. Kjo është ajo që them”, thotë Blushi.

Në fakt dokumenti i propozuar është radikal në kuptimin se kërkon jo vetëm hapjen, por edhe zhbërjen e disa ekuilibrave që janë konsoliduar aty brenda. Ja si përgjigjet deputeti socialist për temën e oligarkëve: “Të gjithë njerëzit që kanë më shumë pushtet brenda një partie, në një kuptim janë të pabarabartë mes të barabartëve. Njerëzit që vijnë nga biznesi të cilët asnjë gjë në të shkuarën nuk i ka lidhur me Partinë Socialiste, e janë afruar kur ajo pothuajse erdhi në pushtet, e kanë në disa raste konflikte interesi me të drejtën publike. Njerëz të cilët mund të influencojnë politika favorizuese, të cilat devijojnë thelbin e një partie që duhet t’i shërbejë interesit publike, e që në disa raste i shkon më shumë interesit privat...”, tha Blushi. Mirëpo si mund të ndikojë një dokument i tillë në ridimensionimin e vendimmarrjes? Ka qenë po Blushi që deri më dje fliste për krijimin e familjaritetit në PS, ku strukturimi i interesave ekonomike kishte zbritur deri te pushteti lokal, njësoj siç sot në përgjithësi, të gjitha partitë shqiptare përfaqësojnë më shumë se çdo gjë interesa të grupeve ekonomike. Gjithsesi asgjë nuk është e pamundur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.