Këshilltari i Ministrisë së Financave po hetohet nga FBI(përditësuar)

Postuar në 11 Mars, 2016 10:24

Knidi (Kssidi) Bashari, këshilltari i Ministrisë së Financave, është vënë nën lupën e Byrosë Federale të Hetimit në SHBA, pasi rezulton i implikuar në një megamashtrim kompjuterik dhe mashtrime me transferta elektronike. 41-vjeçari Bashari është gjurmuar prej janarit 2015 nga FBI dhe Seksioni i Krimit Kompjuterik dhe Pronës Intelektuale i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, të cilët kanë zbuluar 5245 veprime elektronike të cilësuara si kriminale, duke infektuar 475.532 adresa IP në 225 shtete, të cilësuara nga FBI si viktima, pasi i kanë sjellë dëme të shumta financiare dhe jo vetëm. Mes viktimave është dhe vetë kompania prestigjoze “Microsoft”. Këshilltari i ministrisë së Financave, rezulton të ketë hyrë pa autorizuar në rrjetet kompjuterike, duke interceptuar kredencialet e llogarive të përdoruesve të shërbimeve të shumta në rrjet, duke bërë të mundur sulme të grupuara për mohimin e shërbimeve dhe duke krijuar një mekanizëm për infektime të mëtejshme. Sipas kësaj gazete, firma e Basharit ka pasur akses në disa institucione të rëndësishme shtetërore. Jo vetëm kaq, por firma ka marrë tendera dhe ka ofruar internet për objektet shtetërore në Shqipëri raporton "shqiptarja. com".

 

Kundrejt shkrimit të mësipërm në "shqiptarja.com", Knidi publikon një reagim, ku ndër të tjera thotë: 

"Shkrimi niset nga një letër porosi për ndihmë juridike kërkuar nga SHBA, dhe në vendimin e  Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë,  së pari sqarohet se bëhet fjalë për ekzekutim të një “Letërporosie për ndihmë juridike” dërguar nga SHBA në adresë të Ministrisë së Drejtësisë, në të cilën kërkohet lejimi për të marrë të dhëna të biznesit, konkretisht të dhënat e plota të aktiviteteve të kompjuterit (kompjuterëve) qe kane lidhje me adresën IP xx.xx.xx.119, nga Keminet Ltd., si dhe çdo informacion të abonentit dhe logjet që kanë të bëjnë me këtë server.

Në letërporosi për ndihmë juridike theksohet se, “Prokuroria e Shteteve të Bashkuara për Distriktin Perëndimor të Nju Jorkut dhe Seksioni i Krimit Kompjuterik dhe i Pronës Intelektuale i Departamentit Amerikan të Drejtësisë (së bashku me prokurorin e SHBA), si dhe Byroja Federale e Hetimeve të Shteteve të Bashkuara (FBI), janë duke hetuar nëse persona të panjohur kanë shkelur ligjet penale të SHBA-së, duke hyrë pa autorizim në rrjetet kompjuterike, duke interceptuar kredencialet e llogarive të përdoruesve të shërbimeve të shumta në rrjet, duke bërë të mundur sulme të grupuara për mohimin e shërbimeve dhe duke krijuar një mekanizëm për infektime të mëtejshme”.

Për më tepër, në letërporosinë për ndihmë juridike, në vendimin e gjykatës citohet se: “Në përgjigje te kërkesës për ndihmë juridike sqarohet se, nga autoritetet e SHBA-së, nuk besohet që IP e mësipërme të jetë e angazhuar në asnjë mënyrë me hetimin e kryer prej tyre”.

Pra jo vetëm që unë, Knidi BASHARI nuk jam në hetim për krime kompjuterike dhe kibernetike por kompania në të cilen kam shërbyer dikur si administrator, ka shprehur angazhimin maksimal dhe ka bashkëpunuar me autoritet amerikane dhe shqiptare, duke vënë në dispozicion të hetimit të gjithë materialet dhe informacionet e nevojshme për të ndihmuar  hetimet.

Për më tepër, jam shkëputur nga të gjitha funksionet, aksionet, të drejtat dhe detyrimet që kam pasur në këtë kompani, që prej Gushtit të 2015 ndaj nuk e gjykoj as të drejtë e as të justifikueshëm këtë sulm dashakeq ndaj meje.

Mashtrimet kibernetike si ky që lexova sot dhe gazetaria që  njoha sot fatkeqësisht nuk kanë asnjë lidhje me të vertetën dhe aq më pak me misionin e shenjtë të informimit publik, ndaj do të ishte në nderin kesaj media që të përgenjeshtroje të pavertetat që ka publikuar"(http://www.gazetatema.net/web/2016/03/11/une-knidi-bashari-nuk-jam-ne-he...). 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.