“Lëvizja për Demokraci”, në thelb çon drejt ndarjes së Partisë Socialiste

Postuar në 10 Mars, 2016 17:15

Lëvizja për Demokraci, nisma e zyrtarizuar dje në Asamblenë e Partisë Socialiste nga një grup përfaqësuesish të saj, përfshirë edhe deputetin Ben Blushi, ka publikuar platformën e vet. Dhe ajo që rezulton nga një lexim i shpejtë i pikave të platformës është se në finale, platforma është një autosugjerim për krijimin e një partie të re. Partia Socialiste e tanishme, ashtu siç është transformuar, e ka të pamundur të bëjë korigjimet që propozon Lëvizja për Demokraci. Do të mjaftonte një pikë për të vlerësuar se lëvizja në fjalë synon zhbërjen e ekuilibrave ekonomikë që qeverisin realisht PS-në dhe një pjesë të vendit.

Mbështetja politike në luftën kundër korrupsionit dhe kapjes së politikës e shtetit nga oligarkët. Një grusht individësh - disa të pasuruar nga vjedhja shumëvjeçare e pasurisë kombëtare, e disa të tjerë duke shfrytëzuar funksionet e larta shtetërore e partiake - po përqëndrojnë në duart e tyre të gjithë vendimmarrjen reale, përcaktuese për fatet e vendit e të popullit tonë. Prandaj, krahas zbatimit të ligjit për dekriminalizimin dhe ligjit për reformimin e sistemit të drejtësisë, pa lejuar që hajdutët në krye të politikës të fshihen pas largimit të personave që përcaktojnë ky ligj e kjo reformë,  PS duhet të ndërmarrë nismën ligjore ”ad-hoc” për verifikimin dhe publikimin e pasurisë materiale e monetare të secilit politikan, ”të majtë” e ”të djathtë”, fillimisht të atyre që kanë kryer ose kryejnë funksionet e presidentit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit, deputetit dhe kryetarit të bashkisë. Ky proces duhet të përmbyllet me dërgimin e këtyre çështjeve në gjykatë, për të ligjëruar sekuestrimin e pasurive të paligjshme dhe dënimin sipas ligjit të cilitdo që ka abuzuar, thuhet në platformë. Për të ecur më tej me një propozim të natyrës statutore: “Largimi nga partia dhe nga funksionet përfaqësuese i të inkriminuarve, të korruptuarve dhe oligarkëve”.

Si mund të realizohet kjo në një parti, ekipi drejtues i së cilës promovon individë të dyshimtë, por edhe për ligjin e dekriminalizimit bëri rezistencë deri në fund? Propozimi vjen ndesh me të gjithë ekzistencën e mazhorancës aktuale, sa kohë vë gishtin për kontroll pasuror të një njeriu si Ilir Meta, i akuzuar dhe përfolur për çdo gjë, e ditëlindja e të cilit, do të mjaftonte për të zyrtarizuar korruptimin e tij dhe partisë që e ndjek. Tingëllon disi utopike për kushtet ku jemi përmbyllja e platformës: “Demokracia në partinë e socialistëve të Shqipërisë do të fitojë! Kjo fitore do t’i shërbejë popullit për një jetë më të mirë, do t’i shërbejë Atdheut për integrimin e plotë në familjen e madhe euroatlantike!”

Kjo mund të jetë e vërtetë, por jo me partinë aktuale. Këtu po flasim për një parti tjetër, e cila ende nuk është formalizuar, por është realitet i një vullneti politik, që nuk ka përfaqësim e që është lënë jashtë pushtetit nga ekipi i Rilindjes. Është e paimagjinueshme që ata që sot quhen oligarkë, njerëz që kanë financuar thuajse të gjitha operacionet politike në PS, që nga caktimi i kandidatëve e deri te lëvizjet për pushtetin vendor, të dorëzojnë kapitalet e tyre në këmbim të rikthimit të një partie si ajo e vitit 2002. Realizimi i një platforme si ajo që publikohet nga LD-ja, mund të ketë sukses vetëm jashtë PS-së aktuale. Kuptohet, nëse këto që thuhen nuk janë thjesht elementë negociimi, pasi Demokracia nuk negociohet. 

Comments

Submitted by I urti (not verified) on

Me mire te krijojne ndonje parti te re, e keshtu te provojne gjunjte e tyre se sa u mbajne.
Mbasi te vijne rrotull, ose do te shkermoqen si puna e PD, ose do t'i bashkangjiten LSI, qe eshte bere koshi i plehrave te PS.
Pune e madhe. Me mire le te shkojne tek LSI, mbasi ne zgjedhjet e 2017, digjen automatikish, e nuk kane goje te akozojne Ramen qe nuk i kandidoi,mose i la ne fund te listes.
Te bejne si te duan, vetem te ikin nga PS. mbase jane edhe te zotet, dhe u ecen. Mbase. Le t'a provojne, duke vene ne jete idete e Blushit, qe e di jeten si ne roman.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.