A mund të quhet politika "edhe ashtu, edhe kështu", politikë moderimi?

Postuar në 08 Mars, 2016 21:31

Ilir Meta ka qëndruar gjithmonë në vijën e dytë të frontit, duke bërë në shumë raste edhe kritizerin e mazhorancës për nisma që  kanë ngjallur reagim publik apo dhe pakënaqësi politike në krahun kundërshtar. Luftën e mazhorancës e ka udhëhequr Edi Rama, herë me kokën para dhe herë me kokën mbrapa se çfarë humori ka aleati i tij. Gjithsesi në ndonjë rast vendosmëria e tij është zëvendësuar me zhgënjimin dhe tërheqje pa zhurmë nga vija e parë e frontit. LSI ka kohë që bën rolin e moderatorit, duke u atashuar me politikën “edhe kështu edhe ashtu”. Qëndrimi i mbajtur për reformën në drejtësi për një matricë konsensusi është me njërën këmbë në opozitë dhe me këmbën tjetër në qeveri. Efekti që prodhon ky qëndrim gjithsesi nuk e ka çuar përpara procesin. Me të njëjtën strategji LSI veproi edhe në çështjen e protestave kundër parkut të Liqenit Artificial, duke mbështetur projekte që e zhvillojnë Tiranën, por edhe duke kërkuar vëmendje ndaj qytetarëve. Edhe ky qëndrim nuk është se u përkthye në ndonjë nismë konkrete. Thjesht LSI mundohet të përkëdhelë sedrën e të dyja krahëve, është edhe me Erionin edhe me qytetarët. E vetmja nismë konkrete e LSI-së që prodhoi rezultat ishte paketa fiskale për fasonët në vitin 2014, të cilët u shpërblyen në një farë mënyre për sponsorizimin e LSI-së në zgjedhje. Asgjë përtej kësaj. Koha po provon se ambicia e LSI-së për të qenë çelës i lojë politike ka si parakusht konfliktin PS-PD. Është pra një investim për status quonë deri në gërryerjen e zonës gri në elektorat. Nisur nga ky realitet që i shërben vetëm një sipërmarrjeje pa asnjë institucion tjetër përveç emrit të Ilir Metës, duhet pyetur: Kujt i duhet ky rol "neutralizuesi" që merr partia e Metës? Aty nuk ka asgjë programore, parimore; ministritë e drejtuara nga LSI-ja janë si çifligje. Do të kishte vlerë ky pozicion kur me të vërtetë do të katalizonte procese për vendin. Përndryshe, për të përdorur një huazim nga e shkuara, absesi duhet shtrydhur. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.