Një shembull nga Franca: “Inspektimi kryesor tatimor tek biznesi i madh”. 2015, vit rekord në mbledhjen e të ardhurave

Postuar në 07 Mars, 2016 17:22

Evazioni i kompanive të mëdha është në fakt problemi kryesor i të ardhurave. Kjo vlen për çdo vend, përveç Shqipërisë ndoshta e cila nën qeverinë aktuale preferoi të bënte dy veprime që nuk dihet ku çojnë: të shlyente në kohë rekord, duke marë borxh, borxhin që qeveria u kishte kompanive publike që kishin kryer punë dhe nuk ishin paguar, dhe e dyta të godiste sa më fort të ishte e mundur biznesin e vogël përmes aksionit kundër informalitetit. Viti 2015 u mbyll me mosrealizim të ardhurash, sidomos nga doganat, aty ku operon biznesi i madh dhe shpresa e qeverisë se shlyerja e borxhit do të sillte rritje të kreditimit nuk ndodhi.
Një tjetër qasje dhe filozofi vjen nga Franca, një vend që përballet me jo pak probleme. Mediat raportojnë se viti 2015 ishte një vit rekord, edhe në raport me vitin tjetër rekord në mbledhjen e të ardhurave, atë 2014. 21.2 miliardë euro më shumë u mblodhën si pasojë e goditjes së mashtrimit fiskal dhe 2.65 miliardë nga zbulimi dhe taksimi i personave me llogari bankare sekrete. Ka shumë rëndësi ajo që thotë ministri për Buxhetin i Francës, Christian Eckert: “Ne duhet të heqim dorë nga idea se të ardhurat nga kontrolli fiskal vijnë rriten duke presuar dhe goditur taksapaguesit e vegjël. Nuk është e vërtetë. Të ardhurat nga inspektimi fiskal vijnë thelbësisht nga kompanitë e mëdha”. Siç shihet është e kundërta e asaj që ndodhi në Shqipëri e që vazhdon akoma me politikat fiskale të pushtetit vendor, me taksa hapësire, pa sqaruar se ku shkojnë këto para.
“Duke ndjekur biznesin e madh solli rritjen me 5.8 miliardë euro për vitin 2015 nga 4.2 miliardë në vitin 2014, ndërkohë që u identifikua se mashtrimi me taksta, pra evazioni u rrit nga 2.3 miliardë euro në 2.7 miliardë euro”, raporton RFI që shton se një ndihmë kanë dhënë edhe zbulimet nga UBS dhe Luxleks(http://en.rfi.fr/economy/20160303-big-business-main-culprit-france-nets-...).

Mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar
Pavarësisht arritjeve Cour des Comptes në Francë ka gjykuar se rezultatet janë zhgënjyese. Pika më e dobët në mbledhjen e të ardhurave është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që rezulton si pika më e dobët. “Vetëm 100 milionë euro u rikuperuan, ndërkohë që mashtrimi me TVSH-në vlerësohet në 14 miliardë euro për çdo vit”, raporton RFI për Francën një vend ku vlerësohet se evazioni total i përvitshëm shkon nga 60-80 miliardë euro.
Duke lexuar të dhënat e mësipërme mund të bëhet një karahasim minimal me Shqipërinë: administrata tatimore rriti inspektimet si vëllim dhe imponoi vendosjen e kasave fiskale, por siç është deklaruar nga vetë drejtues të kompanive të kasave, sistemi vuan nga probleme serioze teknologjike dhe të regjistrimit të saktë të transaksioneve. Që këtu shmangia nga detyrimet është e paravendosur. Ndërkohë që u deklarua formalizimi i ekonomisë, u hoqën taksat për biznesin e vogël, pa bërë asnjë ndërhyrje serioze në kontrabandën që zhvillohet në dogana(akciza nga duhani në nivelet më të ulëta për 14 vjet) dhe pa asnjë aksion të vërtetë për të vlerësuar bilancet e biznesit të madh. Nuk dihet nëse kjo mbrojtje e biznesit të madh është bërë me synimin politik për ruajtjen e gjendejes aktuale të punësimit, por fakt është se të ardhurat nuk mund të shtrydhen nga biznesi i vogël që është vënë në kushte mbijetese. Dhe evazioni i kompanive të mëdha konsiston te shitja e TVSh-së dhe tek deklarimi i fitimeve si kapitale, me synim shmangien e tatim fitimit. A ka vallë qeveria ndërmend që të ndërhyjë në këtë drejtim? Mbetet për t’u parë, por shembulli i Francës me “inspektimin tek biznesi i madh” është i dobishëm dhe ka dhënë rezultate.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.