Gratë tragjike të letërsisë

Postuar në 07 Mars, 2016 17:40

(Rreth romanit “Gurit të varrit ia rrëfej” të Agron Tufës)

ARTA MARKU

Atyre me siguri nuk duhej t’u kish shkuar në mendje qysh në krye të herës. E cili shkrimtar, teksa shkruan, e ka hallin te fama e personazheve të tij? Cili shkrimtar bëhet merak për gjurmët që do të lënë personazhet, për vendin që ata do t’i bëjnë vetes apo për jetëgjatësinë e tyre, teksa është duke i farkëtuar ata. Absurde të mendosh që një shkrimtar të ulet mbi fletën e bardhë pikërisht me mëtimin për të skalitur personazhin që do të mbetet në histori. E megjithatë disa syresh mbesin. Ama, me siguri shkrimtarët nuk e marrin me mend qysh në krye të herës ose së paku nuk është ajo që i shqetëson çasteve të krijimit. E me siguri, as ata. Po flas për Floberin dhe Tolstoin. Porse Ema Bovaria dhe Ana Karenina jo vetëm që e gjetën vendin e tyre në letërsi, por u shndërruan sa hap e mbyll sytë në protagoniste. Më se 150 vjet më pas vijojnë të jenë në të njëjtën lartësi qiellore. Personazhe simbolike! Në mos më të famshmet, ndër më të famshmet gra të letërsisë së kohërave.

A mos do të thotë kjo se një grua duhet të jetë TRADHTARE që të shndërrohet në personazh letërsie? Ka të ngjarë. Po Penelopa atëherë? Gruaja model e Uliksit e priti për vite të shoqin, edhe pse mëtuesit i silleshin rrotull shpresëplotë për dorëzimin e saj. Kurse ajo e gjeti mashtrimin, pikërisht për të mos kryer tradhtinë, shpiku pëlhurën e saj të pambarimtë. Por ndoshta është pikërisht ky përjashtimi që përforcon rregullin. Tek e fundit ishte pikërisht mosbesimi ndaj rezistencës së një gruaje apo bindja se gruaja e tradhtia janë një binom i pandashëm, të cilat bënë që për vite me radhë, Penelopës të mos i ndaheshin mëtuesit. Ndoshta ajo bëri qëndresë m’u për të theksuar përjashtimin (pikërisht atë përjashtim që përforcon rregullin pra). Jo rregullin sipas të cilit gratë janë tradhtia, por rregullin sipas të cilit gratë, atëherë kur janë tradhtia, shndërrohen në personazhe letrash të gjithëkohshme.

***

Por … mos ndoshta, më shumë vlerë sesa këndvështrimi tolstojan apo floberian që ka të bëjë me joshjen nga tradhtitë, ka këndvështrimi dostojevskian që sipas të cilit tragjedia (kështu thotë ai, tragjedia e jo tradhtia) e prodhon letërsinë e madhe? E sigurisht letërsi e madhe do të thotë personazhe të gjithëkohshëm. Tek e fundit, as Ema Bovaria e as Ana Karenina nuk e mohojnë dot, përkundrazi e pohojnë me veten e tyre. Sepse tragjedia u përket.

Apo mos ndoshta më e saktë dhe më e padiskutueshme është të themi se gruaja, thjesht gruaja, di ta bëjë të fuqishme letërsinë? Sepse drama është diçka që lehtësisht e mbart. Diçka që më së shumti ajo e mbart. Drama që mund të jetë si ajo e Ema Bovarisë, si e Ana Kareninës, si e Penelopës gjithaq … apo e tjetërsojtë … për shembull DRAMA E NJË GRUAJE TË PËRDHUNUAR!

Gratë e famshme të letërsisë janë të tilla, tek e fundit, sepse kanë shkelur nëpër rrugë që jo kushdo guxon t’i shkelë. Ato rrugë nëpër të cilat jo kujtdo i bie fati të ecë … apo fati i keq më saktë … sepse shpesh FATI i ka shtyrë atyre rrugëve, edhe pse mund të duket herë-herë sikur ato vetë i kanë zgjedhur. Ama rrugët në çdo rast nuk janë nga ato të shumëshkelurat. E në këto rrugë një grua herë është tradhtare, por tjetër herë mund të jetë pikërisht një e PËRDHUNUAR … Është sërish, akoma më shumë, rasti për t’iu kthyer Dostojevskit me të famshmen thënie të tij: “Më jepni një tragjedi, t’ju jap një kryevepër!”.

***

Më erdhi në mendje Lara, bukuroshja ruse, e dashura e famshme e Juri Zhivagos. Një tjetër protagoniste, grua e famshme letërsie. Ama nga ato që qëndrojnë përkundër Ema Bovarisë e Ana Kareninës, porse e mbështjellë gjithsesi nga veli i errët tragjik. Një aspekt i Larës është ai tek i cili dua të qëndroj: DHUNIMI. Komarovski kishte abuzuar me të duke e detyruar t’i bëhet dashnore. Kjo ka ndodhur në të shkuarën. Por dhuna vazhdon në të ardhmen teksa ai e detyron sërish t’i shkojë pas, duke përdorur makinacione për ta ndarë nga Juri. Është burri i fuqishëm që mundet të bëjë ç’të dojë me një grua të pambrojtur, në kushte të pafavorshme dhe e bën.

… A nuk ndodhi krejt e njëjta gjë me Lirika Mërtirin?

***

Po, mes Larisa Fedorovnës dhe Lirika Mërtirit ka pika të përbashkëta. Por drama e Lirikës shkon përtej. Apo më saktë, PËRDHUNIMI te personazhi shqiptar ka egërsi edhe më shtazarake, është edhe më cinik, akoma më denigrues, shkatërrues. Sepse mbi të gjitha ka qenë sistematik dhe pastaj e ka bërë pësuesen të ndihet e PADENJË. E padenjë edhe për çastin më të shkurtër të lumturisë. Në krye të herës, gruaja e librit “Gurit të varrit ia rrëfej” të Agron Tufës, vështirë të përfytyrohet si një grua e PËRDHUNUAR. Sepse vështirë t’i kapë shikimi i zakonshëm plagët e thellësive. Lirika Mërtiri, ende pa u zbuluar, duket thjesht si një femër sfiduese. Kapriçioze, qysh në faqet e para, ajo refuzon ofertën për dashuri në këmbim të dashurisë së saj. (Larisa përkundrazi ia jep vetes të drejtën për të marrë e për të dhënë dashuri). Lirika është vajza që e kishte ndarë mendjen që të mos ia jepte Arsenios. Për më tepër vendosmëria për të mos ia dhënë atij e eksitonte pafund. Kështu thotë. Kësisoj, figura që na vizatohet nuk duket assesi sikur mbart një dramë brenda vetes. Jo, nuk është ky modelimi i një drame! Nuk është assesi paralajmërimi për praninë e dramës. Një dramë ka nevojë të zbutet e për këtë lipset pikërisht dashuria, sa më e madhe drama aq më e madhe nevoja për dashuri (Larisa e vërteton). Kurse përkundrazi, dashuria është pikërisht çfarë refuzon Lirika Mërtiri. Me cinizëm madje. Harbutërisht. Atëherë, ç’janë këto ujëra ku noton ky personazh? Ç’është kjo femër kështu? A e ka ajo stofin, lëndën, dramën, për t’u shndërruar në një GRUA LETËRSIE? Tek e fundit, ku është drama e Lirika Mërtirit?

***

Ajo është një grua e bukur. Një bukuri përpara së cilës edhe shpërfillja më stoike dorëzohet. Një bukuri së cilës drama i zë pritë. Ndryshe e thënë, te bukuria zë fill drama e Lirika Mërtirit (a do të kish abuzuar Komarovski me Larën po të mos kish qenë e bukur?), e shkruar prej fatit qysh në krye të herës. Ashtu e bukur, ajo e ka mbështjellë veten me një koracë egërsie dhe harbutërie. Por qëllimi nuk është për të mbajtur larg rrezikun. Ai ka ndodhur tashmë. Qëllimi është për të fshehur dramën. Ose më saktë, për të fshehur atë në të cilën e ka shndërruar drama Lirika Mërtirin. Fëmijëria e saj ka qenë me ëndrra të makthshme. Ishte në klasë të parë kur të atin ia morën. E asaj iu desh të rritej pa figurën atërore për ta udhëhequr, për ta mbrojtur tek e fundit. Për më tepër të rritej rrethuar nga përbuzja e të tjerëve që e shihnin vëngër vajzën e një të burgosuri politik. Por deri këtu jemi në një terren të njohur, një terren për të cilin është folur shumë, një terren, njerëzit e së cilës disi kanë arritur ta shkarkojnë peshën e dramës për të vetmen arsye, sepse kanë folur. E kanë nxjerrë vetes, kanë bërë katarsis. Të paktën njerëzia i ka dëgjuar, i ka pranuar, i ka mbështetur, u ka dhënë dorën e shpresës. Kurse drama e Lirikës është dramë mbi dramë (akoma më dramë sesa ajo e Larës) edhe për faktin se ajo as që mundet ta thotë, as që guxon t’ia rrëfejë kujt veç në mos gurit të varrit.

Lirika Mërtirin e kanë përdhunuar. Madje nuk bëhet fjalë për dhunë të një çasti të vetëm, sado i gjatë të ketë qenë. Sikurse edhe Larën e Pastërnakut, Lirikën një burrë i “pushtetshëm” e ka detyruar t’i bëhet dashnore. E ka detyruar, sepse e ka ditur që nuk rrezikon. E ka detyruar, sepse e ka ditur se ajo askënd nuk ka për ta mbrojtur. E ka ditur që ishte e dobët, e brishtë, lehtësisht e cenueshme. Ka luajtur të fortin përballë të dobëtit. Dhe e gjitha sepse ishte një vajzë e bukur.

Por përdhunuesi i parë i Lirika Mërtirit nuk është i vetmi. Ai pasohet nga të tjerë. Aq sa vajza e bukur kupton se nuk mundet të shpëtojë syresh, se nuk ka fuqi, se nuk ka pushtet, se nuk ka kush e mbron, se të gjithë mbrojtësit e vet të mundshëm janë po aq të dobët sa ajo. S’mundet tjetër të bëjë veç të dorëzohet. Dhe pastaj, kupton mbi të gjitha, për tmerr se NUK MUND TË RRËFEHET. E ngaqë nuk mundet të rrëfehet, nuk mundet për pasojë as të shpëtojë prej fëlliqësisë të cilën, për dreq, i duhet ta mbajë brenda vetes. I duhet të jetojë me helmin përbrenda e për këtë ndihet e helmuar. Helmi pikërisht është çfarë përpiqet të fshehë me koracën e saj, teksa luan sfiduesen dhe refuzon dashurinë që do t’i ish bërë balsam e që për të cilën thellë-thellë ëndërron që të jetë e denjë. Por, për fat të keq, çfarë ajo ndien është pikërisht të qenët e PADENJË. Lara e doktor Zhivagos nuk e pati këtë problem. Në fakt, njëfarësoj nuk e pati as Rita O., e përdhunuara tjetër e librit “Gurit të varrit ia rrëfej”. Ajo e gjeti rrugën e vet, sepse fatet nuk janë kaq identike tek e fundit. Ndryshe nga Lirika Mërtiri, Rita O. u kryqëzua diku me fatin. Sepse ajo iku nga Shqipëria? Sepse doli nga shtrati i dhunimit? Ndoshta. Edhe Lirika Mërtiri u përpoq, por rrugëtimi për në bregun tjetër ishte për vajzën e bukur përdhunimi (ose përdhunimet) i radhës. Ama, me gjasë, matanë, i njëjti fat do ta kish pritur. Ajo kishte filluar qysh prej gjimnazit të ishte VAJZA E PËRDHUNIMEVE, vajza e tragjedisë dhe kjo nuk mund të merrte fund.

***

Të tilla janë gratë e librit “Gurit të varrit ia rrëfej” të Agron Tufës: GRA TRAGJIKE e për pasojë GRA LETËRSIE! Lirika Mërtiri, me babanë në burg e më pas të vdekur (pushkatuar) aty, është krejtësisht në duart e fatit. E zbuluar, pa çadër nën shi padyshim që do të laget. Nuk duket kaq e pambrojtur Rita O. Nuk ka asnjë cen biografik, përkundrazi ajo është duke u pranuar në partinë e vetme të kohës së diktaturës. Është këngëtare e suksesshme, natyra i ka dhuruar zërin hyjnor, festivalet i dhurojnë çmime, kurse publiku adhurim pa fund. Ndërsa djalli që i ka zënë pritë Lirika Mërtirit është një burrë në moshën e të atit që vepron në mënyrë të drejtpërdrejtë, djalli që i ka vënë syrin Rita O. ka nxjerrë përpara një grua, motori i fuqishëm që furnizon me energji, i së cilës është xhelozia. Pa bukurinë, pa famën, pa talentin e këngëtares, ajo është hiena që e ndjek për ta zënë në “gabim”. Ndërsa “gabimi” i Lirika Mërtirit është pasioni për poezinë dhe ëndrra vajzërore për t’i parë poezitë e saj të botuara, “gabimi” i Rita O. është rrëfimi i sekreteve të saj në ditarin vetjak. Poezitë e Lirika Mërtirit i mori mësuesi i letërsisë dhe i dha në këmbim dhunën dhe poshtërimin. Ditarin e Rita O. e mori Besiana Ç. dhe e dorëzoi në duart e ujkut që e kish nxitur e që kortet e të cilit e zonja e ditarit i kishte refuzuar vendosmërisht e që më në fund ka rastin të hakmerret duke e futur në burg e duke e përdhunuar. Terrenin tragjik mbi të cilin vënë këmbët Lirika Mërtiri dhe Rita O. e plotësojnë të tjera histori tragjike grash të bukura. Një grua e tretë nuk është tamam personazhi i librit të Agron Tufës, por tërthorazi po, sepse është personazhi i librit që rreket të shkruajë personazhi i Agron Tufës. Edhe Irena, e përdhunuar gjithashtu. Një grua e “mbrojtur”, e martuar për më tepër, burri i së cilës e kishte të fortë tokën nën këmbë, ajo e thekson tragjizmin. Pikërisht për faktin se as mbrojtja që ka nuk e mbron dot. Dhe të gjitha bashkë e bëjnë tragjedinë klithëse, sepse nuk bëhet fjalë për një grua, as për dy a tri, por për një kohë. PËR KOHËN E PËRDHUNIMEVE. Për kohën e të përdhunuarave që nuk i mbron dot kush. Por ka akoma: drama, tragjedia më mirë, vazhdon. Vazhdon edhe kur përdhunimi të mbarojë (në fakt as vetë përdhunimi nuk mbaron). Drama më e madhe qëndron te fëlliqësia që mbetet. Te helmi që nuk gjen rrugë për të dalë, tek errësira e skutave që nuk munden të ajrosen kurrë. Dje u dhunuan, sot dhunuesit i sfidojnë duke u qeshur mu në fytyrë (duke i përdhunuar sërish madje). E pastaj sërish sot, ato nuk flasin dot, se nuk kanë kujt t’i flasin; se askush nuk do t’i dëgjojë; se dikush ka frikë t’i dëgjojë ngase mund të jetë edhe e rrezikshme t’i dëgjosh; se shumëkush nuk i beson; se ndoshta më shumë akoma janë ata që nuk i pranojnë.

***

Gratë e tragjedisë janë këto, të tragjedisë që nuk ka cak. Nuk hidhen nën rrotat e trenit. Por edhe sikur të ndodhte nuk është fundi aty. Lirika Mërtiri vdes nga ethet tropikale në një vend të botës së tretë e as varri nuk i dihet. Por ka vdekur e helmuar. Fëlliqësinë që ia kanë injektuar përdhunuesit, nuk ia ka dalë ta shpëlajë e të bëhet njeri si të tjerët. Lirika Mërtirin s’e ka dëgjuar askush. Rita O. nuk e dëgjon askush. Janë gra tragjike! Janë gra letërsie. Lara e Juri Zhivagos e kishte të thellë tragjedinë e vet, ama një çast lumturie e jetoi, një kujtim lumturie e mbajti gjithnjë me vete … Mesa duket ka TRAGJEDI akoma më të mëdha … dhe GRA LETËRSIE akoma më tragjike.

***

Kur tradhtia nuk është, atëherë ndoshta letërsisë i duhet diçka tjetër. Diçka dostojevskjane, merret me mend. I duhet përdhunimi! I tillë sa për t’ia rrëfyer veç gurit t’varrit. Që mund të rrëfehet veç nëpërmjet letërsisë, sepse tek e fundit detyra e letërsisë është rrëfimi. Afërmendsh, jo rrëfimi i asaj që duket, që shihet me sy e merret me mend. Por rrëfimi i çfarë zbulohet depërtimit nëpër kthinat e errëta te labirintet e ngatërruara të nënvetëdijes. Sepse thellë shkon tragjedia, e sa më thellë aq më e errët, rrënjëshumë dhe e pashkulshme, aq më vështirë e riparueshme. Zor të thuash se çfarë prodhon më shumë tragjedi sesa historitë e grave të librit “Gurit të varrit ia rrëfej”, se çfarë prodhon më shumë letërsi …

“Shqip”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.