Propozimi i Lavrov: “Zgjerimi i NATO-s drejt kufirit rus, shkaku i të gjitha tensioneve. Të krijojmë Unionin Euroaziatik”

Postuar në 04 Mars, 2016 04:32

Konflikti i fundit mes Rusisë dhe Perëndimit ka riaktivizuar shumë terma dhe ka gjallëruar shumë klishe që mendohej se ishin lënë pas. Që nga fjalimi i Vladimir Putinit në Munih në vitin 2007, Perëndimi nisi të shihte më qartë ambiciet e presidentit rus nën një prizëm imperial, njësoj si Bashkimin Sovjetik dikur. Ngjarjet e Gjerogjisë dhe Osetisë në gusht të vitit 2008 theksuan prirjen për ta parë Rusinë si një qendër që synonte rivalitetin me Perëndimin, ndërkohë që përballja në Ukrainë dhe në Siri i ka hapur letrat plotësisht. Së fundmi Rusia u akuzua se po provokon valën migratore nga Siria me synim destabilizimin e Europës, një tezë kjo që ngjan disi jashtë kontesktit logjik: destabilizimi i Europës do t’i jepte rol të ri SHBA-së dhe NATO-s, që është pikërisht e kundërta e asaj që Moska luan prej kohësh.

Për të hedhur dritë mbi pikëpamjen ruse për zhvillimet ndërkombëtare, ministri i Jashtëm i këtij vendi, Sergey Lavrov ka publikuar një analizë të gjatë në faqen e Ministrisë së Jashtme ruse. Lavrov e nis me parashtrimet e shembujve historikë që sipas tij konfirmojnë se Rusia ka ndikuar në krijimin e paradigmave të rendit ndërkombëtar siç është edhe Paqja e Vestfalisë, por duke kultivuar identitetin e vet dhe duke u ngritur si një shtet që nuk është aspak “vegël në duart e Europës”. Lavrov këmbëngul që Rusia është pjesë e Europës, e historisë dhe e kulturës së saj, e cila që nga Pjetri i Madh hyri në skenë si fuqi botërore. Kalimet historike të Lavrov synojnë të japin pamjen e një shteti që ka patur një qëndrim konstant për ruajtjen e rendit ndërkombëtar; luftërat me Napoleonin dhe mposhtja e tij shënon ruajtjen e rendit ndërkombëtar që po shkatërrohej dhe hapi rrugën e Koncertit të Vjenës. Lavrov kujton shumë përvjetorë që jehojnë nga historia: beteja e Borodinos, çlirimi nga pushtimi polak dhe dton në një përvjetor tjetër, 100 vjetorin e Revolucionut të Tetorit, duke hedhur poshtë përpjekjen e Perëndimit që e bashkon nazizmin dhe komunizmin sovjetik në një peshore.  “Pavarësisht të gjitha të këqijave, Bashkimi Sovjetik nuk synoi asgjësimin e kombeve të tërë”, shkruan ministri rus për të rikonfirmuar pikëpamjen ruse dhe zbuluar interesin e këtij shteti: Zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes dhe kufirit rus është shkaku i të gjitha tensioneve të sotme. Duke folur për kalimin që disa vende të Lindjes Europiane bënë nga Traktati i Varshavës drejt NATO-s, Lavrov mbron pikëpamjen se ato “nuk kaluan nga nënshtrimi drejt lirisë, por thjesht ndryshuanlidershipin”. Europa Qendrore dhe Lindore mbetet kështu një kushinetë që përdoret sipas rastit.

Te Bashkimi Sovjetik dhe reformat e tij masive sheh Lavrov edhe angazhimin e shteteve europiane pas Luftës së Dytë në krijimin e atij që njihet si shteti mirëqenies sociale, që u adoptua edhe si nevojë për të eliminuar rrezikun e majtë.

Gjithë kjo histori flet sipas tij për konsistencën ruse në ruajtjen e disa parimeve të rendit ndërkombëtar siç janë sovranitetit territorial dhe barazia e shteteve. Në një botë globale dhe të ndërlidhur, pikëpamje ruse që shtjellohet nga Lavrov është se bota nuk mund të menaxhohet nga një qendër e vetme dhe se ka shumë modele zhvillimi që duhen pranuar dhe duhet të bashkëveprojnë. “E përsëris: nuk po kërkojmë konfrontim me SHBA-të, Bashkimin Europian apo NATO-n. Në të kundërt, Rusia është e hapur për bashkëpunimin më të madh me partnerët perëndimorë. Ne vazhdojmë të besojmë se mënyra më e mirë për të siguruar interesat e njerëzve që jetojnë në Europë është të krijojmë një hapësirë ekonomike dhe njerëzore të përbashkët nga Atlantiku në Paqësor, kështu që Unioni i ri Euroaziatik të jetë një lidhje mes Europës dhe Azizë në Paqësor”, shkruan Lavrvov. Një kundërofertë e hapur kjo ndaj përpjekjes për rigjallërimin e lidhjes Atlantike, pra rolit të SHBA-së në Europë, ndërkohë që Ëashingtoni ka vepruar në krahun tjetër me marrëveshjet tragëtare në Paqësor.  

Analiza e Lavrov është në një farë mënyre piketa e politikës së Jashtme të Rusisë, e cila po përsërit nevojën e një Europe pa SHBA-në.  Ndërkohë që kërkon të ruajë rendin ndërkombëtar aktual, apo parimet e tij funskionalë, Rusia po synon që të orientojë drejtimin e zhvillimit në një drejtim euroaziatik, që ngjan më i natyrshëm për Europën dhe të vetë, si në planin historik, ashtu edhe atë ekonomik aktual. 

 

http://www.mid.ru/en/foreign_policy/news/-/asset_publisher/cKNonkJE02Bw/...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.