Një opozitë me dy axhenda(qëndrime)

Postuar në 04 Mars, 2016 19:38

Ditët e fundit po i japin opinionit publik një dëshmi të qartë të ndarjes në Partinë Demokratike, e cila nuk është më për opinione apo gjykime mbi çështje të caktuara, por për strategjinë e saj si opozitë e vendit. Dhe ndarjet në strategji, kanë si premisë ose adoptimin e parimeve të ndryshme, ose të qëllimeve dhe axhendave të ndryshme, që çojnë mandej në krijimin e dy linjave që rivalizojnë. Kjo po ndodh edhe në opozitën shqiptare në Parlament.   

Viti i ri nisi me një ndryshim axhende të PD-së, e cila përmes kryetarit të saj, Lulzim Basha, deklaroi në muajin dhjetor se janari do të sillte zhvillime të reja dhe se “zyrtarët e korruptuar do të arrestoheshin”.

E rimarrë në kontesktin e ditëve të fundit, kjo deklaratë e Lulzim Bashës zbulohet si një karton jeshil momental që ky i fundit ngriti ndaj axhendës politike të Sali Berishës. Një element që e përforcon këtë gjë është deklarata tjetër e Bashës në “Top-Story”  ku kreu i PD-së tha se “nuk mund të drejtohet më PD-ja sipas modelit “Berisha”. Nisur nga këto hollësi mund të hipotetizojmë se skenarët radikalë që artikuohen shpesh nga zyra e shtypit të PD-së nuk janë të preferuarit e Bashës, i cili është i orientuar më shumë drejt rrugës institucionale dhe politikës së asistencës ndërkombëtare.

Mbledhja e fundit e Grupit Parlamentar duket se ka ndarë këtë qëndrim të tijin përballë ‘radikalëve’ në PD, të cilët frymëzohen dhe shpresojnë vetëm te Sali Berisha. Si asnjëherë tjetër, ky i fundit në fjalën e mbajtur në seancën plenare ditën e enjte, rrëfeu para deputetëve qëndrimin e tij në Grupin Parlamentar të PD-së, apeloi për qëndrime të forta ndaj një mazhorance të implikuar me krimin, insistoi për bojkot nëse nuk largohet Armando Prenga dhe Koço Kokëdhima që ka mandatin peng në Gjykatën Kushtetuese dhe në fund “sanksionoi” nevojën e një zgjidhjeje përfundimtare. Berisha, që është autoritet në PD-, por me sa duket nuk është më Autoriteti, e ngriti shumë lart stekën e objektivave politikë të partisë së tij, aq sa ato bënin nul edhe prezencën e saj në procese me rëndësi si dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi. Dhe ndoshta ky ka qenë një ndër qëllimet e fshehura pas  qëndrimeve që mori në seancë.

Zhvillimet e ditës së sotme nuk i dhanë të drejtë Sali Berishës, në kuptimin që axhenda e propozuar prej tij nuk u adoptua si qëndrim zyrtar. PD-ja miratoi sot formularin për dekriminalizimin dhe në njoftimin për shtyp që Zyra e Shtypit të PD-së nisi, ishte vetëm fjala e Oerd Bylykbashit për çështjen e dekriminalizimit. Është një arritje për opozitën ky proces, ndonëse ai nuk përfshin propozimet për personat e arrestuar në flagrancë, që në fakt janë vetëm një sebep i gjetur nga rikthimi i Armando Prengës në Kuvend si pasojë e ndryshimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Lartë. Një moment tjetër i ditës së sotme është inkoherenca në deklarime e Berishës dhe Lulzim Bashës. Sapo doli nga seanca ish-kryeministri deklaroi ndër të tjera: “Mos e quani bojkot por quajeni më shumë se bojkot pasi të gjitha opsionet janë të hapura, sepse këtu këto ditë ka ndodhur zhvillimi më dramatik në këtë parlament. Edi Rama thirri vrasësin për të sfiduar opozitën. Është i hapur dezintegrimi parlamentit”. Nga ana tjetër, kryetari zyrtar i PD-së, Basha në takimin me Federica Mogherini, Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, është shprehur se: “Parakusht për të ecur përpara është dialogu politik që çon drejt konsensusit bazuar mbi kriteret e Venecias. Për këtë Partia Demokratike ka qenë, është dhe mbetet e qartë dhe e vendosur”. Pra ndërkohë që njëri flet për dezintegirm të Parlamentit, tjetri, kryetari flet për dialog. Janë padyshim dy qajse të kundërta të cilat lidhen në çdo rast me reformën në drejtësi dhe pasojat e parashikuara të saj. Nuk mungon në këtë evidencë të çarjes së PD-së edhe kryeministri që foli sot “për dy koka tek opozita, e që asnjëra nuk është mbi shpatulla”, një  diversion që u kujton të gjithëve se PD-ja është ende në fazën e riorganizimit dhe identifikimit me ndryshimin e lidershipit. Duket se nuk ka bërë dot gjë në këtë drejtim as ambasadori amerikane Donald Lu, i cili e dorëzoi personalisht te Berisha draftin e Venecias, duke këkruar kështu miratimin e reformës në Kuvend.

Reforma është axhendë edhe e SHBA-së, që është aktor me rol të pamohueshëm në Shqipëri. Madje pjesë e vendimmarrjes dhe ajo çfraë thotë Basha me Mogherinin e inkuadron PD-në dhe kontributin e saj në tryezën e organizuar nga ndërkombëtarët. Përkundrazi, Berisha po administron një krizë potenciale në duart e veta, pa zbuluar ende mirë synimet. Situata rrezikon që të prodhojë një paradoks: aty ku Berisha përpiqet të refuzojë një rol noteri të opozitës për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi, sa kohë në Parlament duket Armando Prenga dhe Koço Kokëdhima, mundet fare mirë që nesër të lexohet një sukses i Lulzim Bashës dhe ekipit të tij në PD që kanë imponuar  një standard ligjor për pastrimin e listave dhe në miratimin e një reforme që është e pashmangshme.  Ish-kryeministri mund të ketë të gjitha arsyet e botës për të kundërshtuar këtë situatë, e cila shtyhet para nga një parlament i infektuar rëndë, por nëse ka një mësim që qeveria e tij i dha Shqipërisë është se “pushteti i dalë nga vota ikën vetëm me votë”. Sikurse kjo situatë pa kuptim dhe absurde e një opozite me dy axhenda, apo së paku me dy qëndrime, na jep një tjetër mesazh: Basha nuk ka për ta ndjekur zgjidhjen përfundimtare. Ciladoqoftë ajo. Dhe këtu Basha është firma dhe institucioni i kryetarit jo Lulëzimi që shihet përherë si karamele e shkrirë para mentorit të tij të dikurshëm të cilin ndoshta duhet të mësohemi që ta shikojmë shumë shpejt vetëm si deputetin Sali Berisha. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.